Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Fantazma e osmanizmit qarkullon nëpër Ballkan (II)

Në fillim të viteve ’90, bashkë me përfundimin e Luftës së Ftohtë, përfundoi dhe logjika e deriatëhershme e funksionimit shoqëror, politik dhe ideologjik në politikën ndërkombëtare dhe kombëtare. Si në shumë vende të tjera, edhe në Turqi kishte filluar të shfaqej një krizë identiteti. Jo rastësisht, periudha kur fantazma e Perandorisë Osmane e bëri të dukshme prezencën e saj edhe një herë filloi me kryeministrin dhe pastaj presidentin turk Ozal, i cili ishte lider politik në këtë periudhë.

Ka shumë faktorë për thirrjen e Ozalit ndaj osmanizmit. E para, edukimi familjar tradicional, kultura e tij konservatore dhe jeta shkollore e Ozalit e bënë atë ta donte prejardhjen e tij osmane. E dyta, në këtë kohë, sikur në diskursin e Ozalit, me rishfaqjen e një sinteze turko-islame, islami si diskurs filloi të përmendej sërish në hartimin ose propagandimin e politikave. Pra, nuk ishte rastësi t’u referoheshim osmanëve si diskurs në këtë mjedis të ri. E treta, angazhimi i Turqisë me problemet etnike dhe PKK-në në shtëpi, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe krijimi i shteteve të reja turkike, shpërbërja e Jugosllavisë, ndryshimi i hartës së Ballkanit dhe Lufta e Gjirit, janë prej faktorëve që i krijuan hapësirë presidentit Ozal ta thërriste përsëri fantazmën e Perandorisë Osmane.

Në këtë kontekst, për ta krijuar një model përbashkues brenda Turqisë kundër problemit kurd, Ozal vuri theksin te multietniciteti dhe për ta legjitimuar politikën e saj të jashtme ai kërkonte një model supra-identitar duke marrë Shtetet e Bashkuara si model. Kështu, Ozal u përpoq të zvogëlonte identitetin turkist dhe të ngrinte ose theksonte identitetin osmanist si një identitet më gjithëpërfshirës, brenda të cilit mund ta gjenin vetën popujt me të kaluar osmane brenda dhe jashtë.

Sa për ta përkujtuar nga shkrimi i kaluar, brenda kuadrit të fantomologjisë së Derridas dhe identiteteve imagjinare të Andersonit, osmanizmi nuk u zhduk sociologjikisht, kulturalisht dhe ideologjikisht brenda Republikës së Turqisë, e cila u ndërtua si tjetra e Perandorisë Osmane. Për më tepër, fantazma e osmanizmit vazhdonte të qarkullonte si një formë imagjinare e përkatësisë dhe shfaqej kur koha dhe mjedisi ishin të përshtatshme.

Çfarë lidhje ka çështja e osmanizmit me Ballkanin? Që në krye të herës duhet të përmendim që vetë emri i Ballkanit vjen nga Perandoria Osmane, sipas një mendimi të bazuar. Përveç kësaj, arkitektura, ushqimi, kultura, muzika dhe gjithçka është e lidhur në një mënyrë ose tjetrën me Perandorinë Osmane. Ishin osmanët ata që e bënë Ballkanin Ballkan. Përveç kësaj, në çdo vend të Ballkanit ka turq ose myslimanë që kanë mbetur nga Perandoria Osmane dhe ka ballkanas të imigruar në Turqi.  Ndikimi i kësaj marrëdhënieje të ndërlidhur është i rëndësishëm për sa i përket mbajtjes gjallë të idesë së Perandorisë Osmane dhe osmanizmit. Sidomos në ngjarjet e viteve 1990, kjo marrëdhënie filloi të ndizej më shumë. Masakrat dhe gjenocidi i kryer nga Serbia kundër boshnjakëve dhe shqiptarëve në këto vite e theksuan vetëdijen historike të bazuar në osmanizëm në Turqi dhe Ballkan.

Ndonëse kjo politikë si ideologji dhe si orientim strategjik kishte filluar në vitet ‘90 me presidentin Ozal, politika neo-osmaniste (osmaniste sepse vë theksin te e kaluara osmane dhe neo sepse bëhet me mjete të reja në kontekst tjetër) mori rëndësi veçanërisht pasi AKP erdhi në pushtet. Politika e AKP-së për Ballkanin është njohur nga ndikimi në rritje ish-ministrit të Punëve të Jashtme dhe ish-kryeministrit Davutoğlu, veçanërisht që nga viti 2009. Kjo fazë u shënua nga intensifikimi i shtrirjes diplomatike të Turqisë në Ballkan, i cili ishte i mbushur me referenca për të kaluarën e saj osmane.

Davutoğlu si një akademik me përvojë dhe dije të thellë zhvilloi shumë nga idetë e tij në lidhje me pozicionin global të Turqisë në përgjigje të asaj që po ndodhte në Ballkan. Siç u shpreh në studimin e tij përfundimtar të Thellësisë Strategjike, Davutoğlu besonte se Turqia në mënyrë që të përmbushë fatin e saj historik dhe të dalë si një fuqi globale duhet ta plotësojë orientimin e saj perëndimor me një interesim më të fortë në Lindjen e Mesme dhe Ballkan. Gjatë qëndrimit të tij si ministër i Jashtëm, Turqia u bë shumë më aktive në këto rajone. Në kundërshtim me themeluesit e Turqisë moderne që kishin refuzuar trashëgiminë osmane, Davutoğlu mendonte ndryshe. Sipas tij, si shumica e kuadrit politik në AKP, Davutoğlu besonte se republika Kemaliste ishte reduksioniste, se trashëgimia osmane ishte e lavdishme, jo e hidhur, dhe se Turqia mund ta përmbushte fatin e saj vetëm nëse përdorte fuqinë e saj të butë në vendet e ish-Perandorisë Osmane.

Në fakt, sapo Davutoğlu u bë ministër i Jashtëm, Turqia nisi një fushatë marramendëse promovuese diplomatike në Ballkan dhe kështu u bë shumë aktive. Efektet e kësaj periudhe mund të shihen në marrëdhëniet e vendeve të Ballkanit me Turqinë deri më sot. Efektet e kësaj politike mund të shihen nga ekonomia në politikë, nga kultura në shëndetësi, nga arsimi në muzikë dhe kjo perceptohet nga popujt e Ballkanit jo vetëm si një mjet dhe qëllim hegjemonik i Turqisë, por si një kthim te vetja dhe një marrëdhënie e natyrshme. Edhe pse me largimin e Davutoğlus nga AKP-ja fuqia e tij politike është zbehur, qeveria e tanishme e Turqisë e vazhdon këtë politikë por me një qasje shumë më pragmatiste.

Duke pasur parasysh të gjitha këto, nuk do të ishte gabim të thuhet se ekziston një spektër osmanist në Ballkan dhe se Ballkani është një mejdan i osmanizmit, mes të tjerash. Kjo do të thotë që Turqia dhe vendet e Ballkanit, përpos së kaluarës, kanë edhe bekimin/mallkimin të jenë të lidhura në shumë dimensione në të tashmen dhe të ardhmen gjithashtu.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.