Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

“Vjeshta e ankthit” zgjedhor (II)

Politika jo(lokale) 

Sidoqoftë, shkarje të tilla mund të jenë edhe produkt i mënyrës se si Lëvizja Vetëvendosje i është qasur nivelit lokal të politikës. Gjatë gjithë ekzistencës së saj, ajo nuk kishte demonstruar ndonjë interesim të veçantë për çështjet e këtij segmenti të pushtetit, sikur bie fjala për atë nacional.

Ajo ishte ngjizur dhe konsoliduar si entitet politik më shumë në termat e strategjive të politikës totale, të përgjithshme dhe pretendimeve të saj për rezistencë “globale”. Madje, edhe kur ka qenë e fokusuar në kundërshtim të proceseve që në shikim të parë kanë pasur karakter lokal, në të vërtetë ky kontestim i është subordinuar një plani më të madh për mbrojtje të funksionalitetit total të shtetit.  Dhe në këtë drejtim mund thuhet se segmenti i politikëbërjes lokale nuk e kanë gëzuar të njëjtin vend në hierarkinë e preokupimeve të saj politike.

Kurse shpërfilljen e këtij  “mikrokozmosi” politik mbase duhet kërkuar te një koncept i çuditshëm “elitisit”  që bartësit e kësaj Lëvizjeje e kanë mishëruar ndër vite. Te bindja e tyre se mund të ndërtohet një përkitje totale ndërmjet masave popullore në njërën anë dhe grupit të ngushtë të organizatës në anën tjetër, duke e përfytyruar të parën vetëm si material për qëllimet politike të së dytës. Kështu fokusimi, investimi dhe përgatitja në këtë nivel të pushtetit ka qenë jorelevante përballë ambicies për ta instaluar një hegjemoni të përgjithshme politike dhe ideologjike.

Por, siç ka thënë Michel Foucault, “çdo pushtet prodhon rezistencë”,  apo siç ka argumentuar Chantal Mouffe në librin e saj “Agonistic-Thinking the World Politically”, ta “mendosh botën politikisht do të thotë ta pranosh dimensionin ontologjik të negativitetit radikal”. Të pajtohesh se “ekzistenca e një forme të negativitetit kurrë nuk mund të tejkalohet në mënyrë dialektike dhe se objektiviteti i plotë po ashtu s’mund të arrihet asnjëherë, kurse antagonizmat mbeten një mundësi e përhershme e kësaj sfere”.

Prandaj bilancin e këtyre zgjedhjeve mund ta shohim si konfirmim të këtyre pandehmave. Pra rezistenca ndaj pushtetit dhe beteja ndaj projeksioneve që aspirojnë ta sintetizojnë shoqërinë në mënyrë totale u zhvendos në nivelin lokal të shoqërisë. Pikërisht aty ku Lëvizja Vetëvendosje e kishte pritur më së paku. Me këtë veprim që i ngjason kategorisë hegeliane të “dinakërisë së mendjes”, shoqëria kosovare i “përdori” partitë opozitare si mjet për ta mbrojtur “logosin” e politikës së “negativitetit radikal”. Ashtu si dikur e kishte “përdorur” Lëvizjen Vetëvendosje kundër tyre derisa ato ishin në pushtet.

Po ashtu, këto rirreshtime qytetare, më shumë se asgjë tjetër, treguan se edhe nëse dëshirojmë të operojmë me kategori hegeliane, kjo rrugë nuk mund të bëhet nëpërmjet bastardimit dhe manipulimit propagandistik me tezat e këtij mendimtari për interesa të politikës ditore. Por aplikimin e skemave të tilla teorike në rrethanat tona bashkëkohore mbase mund ta bëjmë, siç ka pohuar Richard J. Bernstein në librin e tij “The New Constellation – The Ethical-Political Horizons of Modernity/Postmoderntiy”, duke e pranuar dinamikën e përhershme sociale dhe politike të “pajtimit-thyerjes” (Reconciliation/Rupture), pa arritur që asnjëherë ta tejkalojmë këtë proces “dialektik”.  Ndërkaq, të menduarit nëpërmjet “Hegelit, kundër Hegelit” po ashtu na ndërgjegjëson për pamundësinë “pajtimit racional përfundimtar” nën ombrellën e kategorive të frymës absolute.

Prandaj këto zhvendosje politike qytetare, krahas zhgënjimit publik me qeverisjen e Lëvizjes në nivel qendror, mund të shihen edhe si goditje ndaj kësaj pjese të konceptit të saj politik. Dhe kjo disfatë është më serioze sesa lëvizjet elektorale. Të tronditur nga këto “ekstreme”, eksponentët e Vetëvendosjes, në përpjekje për ta justifikuar realitetin e ri sajuan edhe deklarata groteske. Të njëjtit që atmosferën e 14 shkurtit e definuan si manifestim i një vetëdijesimi të madh popullor, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, e kërkuan fajtorin kujdestar për këtë rënie, te klientelizmi i partive të “regjimit të vjetër”. Tek aleancat e tyre subversive kundër progresit të “regjimit të ri”.

Mirëpo shtrohet pyetja, si ndodhi që vetëdija e emancipuar politike të reifikohet kaq shpejt nga ingranazhi i klientelizmit të ish-partive të regjimit? Apo pse ato s’qenë në gjendje derisa ishin në pushtet ta tjetërsonin vullnetin politik të referendumit, por e arritën këtë qëllim “djallëzor” nga pozicioni i opozitës? Kontradikta të tilla vetëm sa dëshmojnë se ata nuk e kanë të qartë as arsyen e suksesit të tyre gati absolut në shkurt dhe as përgjysmimin e mbështetjes popullore tani.

Natyrisht, kjo s’do të thotë që Lëvizja Vetëvendosje do të margjinalizohet brenda natës nga skena politike. Përkundrazi, ajo do të mbetet një faktor i patejkalueshëm politik. Dhe atë shumë më shumë sesa ëndërrojnë kundërshtarët e saj, por më pak sesa aspirojnë drejtuesit e këtij formacioni.

Në fund të fundit, ajo është produkt i frustrimeve publike, shterpëzimeve të përgjithshëm politike dhe shoqërore, për të cilën partitë “tradicionale” që kanë qeverisur deri në fillim të këtij viti e kanë peshën dhe përgjegjësinë kryesore. Ka qenë kryesisht sjellja e tyre politike dhe institucionale e cila ndikoi që ky formacion nga diçka që shihej me një lloj dyshimi të shndërrohet në të vetmen shpresë, nga një lëvizje që perceptohej si radikale të përqafohej si e nevojshme dhe e domosdoshme.

Prandaj, deshëm apo s’deshëm ta pranojmë, ky formacion me retorikën, presionin, propagandën, kritikën dhe aktivizmin konstant i ka shtuar pritjet e qytetarëve nga politika. Dhe në saje të kësaj strategjie Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet nacionale që u mbajtën në muajin shkurt arriti që të imponohet para opinionit si e vetmja adresë për ndryshim. Mirëpo, paradoksalisht, në zgjedhjet lokale të tetorit ky vullnet politik u shkapërderdh edhe në formacione dhe individë të tjerë. Sepse me disa nominime kjo Lëvizje doli kundër pritjeve që vetë i kishte proklamuar. Ajo në komuna të caktuara u pozicionua në antinomi me nevojat dhe shtytjet e shoqërisë kosovare për ndryshim. Për çka edhe u ndëshkua nga zgjedhësit.

Me këtë lëkundje, Lëvizjes Vetëvendosje iu bë e qartë se tash e tutje  nuk mund ta sigurojë performancën e saj të qëndrueshme vetëm nga suksesi në të kaluarën, por nga perspektiva për të ardhmen. Fenomen që e kishin përjetuar edhe partitë e tjera. Sepse edhe ato një kohë ëndërronin se me triumfin e tyre kishte përfunduar historia. Prandaj s’ka kush t’i degdisë nga pushteti për shkak të meritave historike që gëzonin në procesin e shtet-ndërtimit. Se mund të sillen si t’ua ka qejfi. Ta ofendojnë qytetarin mesatar të këtij vendi. T’i shpërfillin, interesat, pritjet, gjykimin politik madje edhe shijet estetike dhe kulturore të tij. Sepse, në fund të fundit, bashkësia ndërkombëtare do të jetë e obliguar të punojë vetëm me ta, meqë s’mund të gjejë partnerë tjerë, për shkak të ngarkesave ideologjike të Vetëvendosjes dhe qëndrimit për dialogun etj. Por se si rrodhën ngjarjet dihet nga të gjithë ne. Ato e paguan një tagër poshtëruese për këtë arrogancë.

Mirëpo, siç ka thënë Hegeli, e “vetmja gjë që kemi mësuar nga historia është prirja për të mos mësuar asgjë prej saj”. Dhe kjo tendencë për të shpërfillur orakullin e historisë është treguar me pasoja fatale në jetën e çdo partie politike. Nga ky tundim nuk arriti të çlirohet as Lëvizja Vetëvendosje. Drejtuesit e saj kalkuluan se meqë shoqëria kosovare i kishte ndëshkuar njëherë partitë “tradicionale” për shkak të gabimeve të tyre, tash kjo Lëvizje mund të sillej si të donte sepse mungonte një alternativë serioze ndaj tyre. Po ashtu shpresuan se mund t’i fitojnë zgjedhjet lokale me figura të shpenzuara dhe komike publike, vetëm pse e mbanin etiketën e Vetëvendosjes, në mënyrë që pastaj të kishin mundësi ta ushtronin pushtetin e tyre thuajse absolut. Mirëpo, llogaritë e “indulgjencës” morale u dolën gabim. Sepse qytetarët s’e pranuan të njëjtën gjellë vetëm pse ishte ndërruar garnitura.

Prandaj, nëse këto zgjedhje dëshmuan diçka për të ardhmen, jo vetëm për këtë formacion politik, por për çdo parti tjetër, është se nëse ato dëshirojnë tash e tutje të kenë qëndrueshmëri stabile, nuk mjafton vetëm angazhimi në nivelin “makro-politik” duke e shpërfillur dhe injoruar dimensionin e nivelit “mikro-politik”.  Atë hapësirë të domosdoshme ky qytetari takohet drejtpërdrejt me efektet konkrete të pushtetit.  Se forcimi i autoriteteve të ndërmjetme politike që qëndrojnë në mes të lidershipit të partisë dhe qytetarëve, nuk guxon të shihet si rrezik dhe kërcënim për pushtetin e drejtuesve të formacionit politik, por si një shans për çdo lider. Kurse ndërtimi i demokracisë bëhet pikërisht nga investimi në nivelin horizontal të politikës. Po ashtu ato treguan se koha e liderëve të mëdhenj po perëndon. Kurse zgjedhjet tash e tutje s’mund t’i fitojë asnjë drejtues i vetëm pavarësisht iluzioneve mbi atributet e tij “ekstra-politike” heroike dhe historike. Ndërkaq “muzgu i idhujve” do jetë horizonti dhe fatumi i rendit tonë politik.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.