Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Domosdoshmëria e edukimit të hershëm të fëmijëve në Kosovë

Ilustrimi nga: BigEye

Ende nuk është arritur një qasje universale në nivel global për ta siguruar përfshirjen e fëmijëve në edukimin e hershëm, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme në këtë drejtim nga ana e shteteve. Me gjithë progresin, në jo pak vende mungon ofrimi i shërbimeve adekuate për edukimin e hershëm, si dhe ekziston mospërputhje e madhe midis rajoneve dhe shteteve të ndryshme sa u përket niveleve të ndryshme të zhvillimit.

Edhe pse këto probleme dhe vështirësi janë dukshëm më të theksuara në vendet jashtë kontinentit europian, sigurisht që të njëjtat janë të pranishme edhe në kontinentin europian, sidomos në Europën Lindore dhe Europën Juglindore.

Për Kosovën, përfshirja e fëmijëve në edukimin e hershëm vazhdon të mbetet sfidë jashtëzakonisht e madhe. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, vetëm 19% e fëmijëve në Kosovë të moshës 0-6 vjeç janë të përfshirë në edukimin e hershëm. Kuptohet, kjo përbën një shifër shumë të ulët, e cila redukton dukshëm ndikimin që do të mund të kishte edukimi i hershëm në zhvillimin e fëmijëve.

Shumica e prindërve në Kosovë janë të detyruar që t’i mbajnë fëmijët në shtëpi. Kjo ndodh për shkak se në një pjesë të konsiderueshme të komunave, sidomos në zonat më rurale dhe rajonet ku banojnë komunitetet joshumicë, nuk ekzistojnë kapacitete të mjaftueshme infrastrukturore që fëmijëve t’u ofrohet mundësia e edukimit të hershem. Për më tepër, për një pjesë të konsiderueshme të prindërve, edhe faktori financiar përbën një tjetër problem.

Tutje, në ato vende ku tashmë ekzistojnë kopshte, numri i fëmijëve që pranohen është i kufizuar, ose në raste shumë të shpeshta prindërit e kanë të vështirë t’u qasen kopshteve sepse këto të fundit janë në një distancë të konsiderueshme nga vendi ku prindërit dhe fëmijët jetojnë.

Për më tepër, akoma nuk ekziston një vetëdijesim i duhur në mesin e prindërve për rolin dhe rëndësinë që ka edukimi i hershëm në fëmijërinë e hershme, por edhe zhvillimin e gjithmbarshëm edhe në faza të tjera të jetës.

Vitet e para të jetës janë ndër më kritiket për zhvillimin e fëmijës. Gjatë fëmijërisë së hershme, ritmi me të cilin ndodh rritja dhe zhvillimi i trurit është jashtëzakonisht i shpejtë. Progresi i shëndetshëm ndikohet nga shumë faktorë si ushqimi adekuat, mbrojtja dhe stimulimi i përgjegjshëm, mjedisi i sigurt, kujdesi fizik dhe emocional, mes të tjerash.

Të gjithë këta komponentë krijojnë bazë solide që i ndihmon fëmijët të rriten të shëndetshëm dhe të jenë të suksesshëm në mësime.

Tutje, një bazament i tillë solid ka një ndikim të rëndësishëm në zhvillim e fëmijës, duke ndikuar në aftësinë e tyre për ta zhvilluar veten dhe për të kontribuar në shoqëri. Kështu, edukimi dhe kujdesi cilësor në fëmijërinë e hershme vendosin themelet për suksesin e mëvonshëm në jetë. Një gjë e tillë është veçanërisht e rëndësishme për fëmijët me kushte të pafavorshme.

Kujdesi dhe edukimi në fëmijërinë e hershme është më shumë sesa përgatitje për shkollën fillore. Ai synon zhvillimin gjithëpërfshirës të nevojave sociale, emocionale, njohëse dhe fizike të fëmijës. Kujdesi dhe edukimi në fëmijërinë e hershme rrit gjasat për krijimin e një qytetarie më të kujdesshme, të aftë dhe të përgjegjshme.

Ligji mbi Edukimin Parashkollor në Kosovë rregullon edukimin parashkollor përmes normave institucionale. Ky ligj parasheh programet e duhura për edukim parashkollor në përputhje me kurrikulat e Ministrisë së Arsimit, standardet e edukimit parashkollor, mënyrën e financimit të institucioneve publike, atyre private dhe institucioneve të tjera, stafin edukativ, dhe të tjera.

Në strategjitë për zhvillimin e arsimit në Kosovë, edukimi parashkollor është trajtuar në mënyrë të veçantë, përfshirë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim (SKZH) 2016-2021 dhe Planin Strategjik për Arsim në Kosovë (PSAK) 2017-2021. Megjithatë, përkundër përfshirjes së edukimit parashkollor në politikat zhvillimore, investimet në zhvillimin e këtij niveli vazhdojnë të mbesin mjaft të kufizuara.

Ditë më parë, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se Projektligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme është në diskutim publik. Me këtë ligj, edukimi parafillor do jetë i obligueshëm nga viti shkollor 2023-24. Ky projektligji synon të rregullojë ofrimin e edukimit cilësor në të gjitha format e organizimit e të edukimit në fëmijërinë e hershme për të gjithë fëmijët prej lindjes deri në moshën 6-vjeçare.

Për rëndësinë e kësaj është deklaruar edhe vetë ministrja Nagavci, e cila ka theksuar se prioritet i Qeverisë së Kosovës është edukimi në fëmijërinë e hershme, ku synohet përfshirja në edukim cilësor për çdo fëmijë si një e drejtë e garantuar, pa dallim gjinie, etnie, prejardhje apo besimi fetar.

Investimi në edukim të hershëm kërkon veprime të menjëhershme. Është shumë e rëndësishme që investimet e Qeverisë së Kosovës të orientohen drejt edukimit të hershëm. Pastaj, është e nevojshme të krijohen kushtet për hapje të institucioneve parashkollore të të gjitha organizimeve, duke vënë edukimin e hershëm të institucionalizuar si prioritet në zhvillimin e politikave si dhe ndarjen buxhetore.

Është po ashtu imediate që të angazhohen të gjitha komunat e Kosovës duke aktivizuar dhe informuar komunitetin për mundësitë e krijimit të kopshteve, pasi po rezulton si një formë e suksesshme e organizimit më të përballueshëm për xhepin e qytetarëve.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.