Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Rritja kineze, humbja kosovare

Ilustrimi: BigEye

Një nga lajmet kryesore në zhvillimet e ekonomisë botërore janë vështirësitë ekonomike të Kinës. Fati i ekonomisë kineze do të duhej t’i interesonte më shumë kosovarëve, po të zhvillonte ky vend nje politikë ekonomike racionale dhe me synim zhvillimor. Tani do shpjegoj pse.

Një nga kokëçarjet që rënia ekonomike në Kinë po shkakton për vendet tjera, sidomos ato që orientim kryesor kanë eksportin e komoditeteve (prodhimeve të papërpunuara), është se kjo rënie po shoqërohet me uljen e kërkesës për këto komoditete. Si vend i varfër për nga burimet natyrore (me përjashtim të qymyrit), ekonomia e dytë më e madhe në botë ka nevojë të madhe për komoditete si minerale, naftë, madje edhe prodhime bujqësore.

Rritja e madhe e ekonomisë kineze, sidomos gjatë dy dekadave ë fundit, ka qenë boom ekonomik edhe për vendet eksportuese të komoditeteve, veçanërisht në Amerikën latine e në Afrikë, dy kontinente të pasura me pasuri tokësore e nëntokësore. Firmat kineze tashmë kanë krijuar një prani të thellë në këto vende. Nga boom-i kinez kanë përfituar edhe prodhuesit e naftës si vendet e Lindjes së Mesme dhe Rusia.

Kërkesa e lartë e Kinës për importe të komoditeteve po zgjat tashmë një dekadë e gjysmë. Kina importon minerale, metale e produkte tjera si për nevojat e industrisë prodhuese, por edhe për ndërtimtarinë, që gjatë dekadës së fundit ka përjetuar një rritje galopante me investimet e mëdha të shtetit kinez, i cili fushat e orizit po i transformon komplet në qytete të reja milionë-banorëshe. Nga viti 2000 në 2013, importet kineze të metaleve u dhjetëfishuan nga rreth 7 miliardë USD në 78 miliardë USD (shih grafikun 1). Kërkesa kineze për komoditete ka qenë faktori kryesor, gjatë po kësaj periudhe, për rritjen e çmimeve të tyre në tregun botëror (siç tregon grafiku 2).

Kjo nuk do të ishte diçka që ka rëndësi për pjesën tonë të botës sikur vendet e Ballkanit (përfshirë Kosovën) të mos ishin vende të bekuara me pasuri të shumta nëntokësore. Teoria klasike e tregtisë së jashtme, modeli neoklasik i Heckscher-Ohlin, na thotë se shtetet duhet ta mbështesin tregtinë në ata sektorë ku kanë epërsi krahasuese bazuar në pasuritë e brendshme (factor endowments).

Bazuar në këtë, duket se kërkesa kineze për minerale tashmë ka përfshirë edhe Ballkanin. Në vitin 2013, Shqipëria eksportoi afër 75% të kromit, kurse Serbia dhe Maqedonia 90% të hekurit dhe metaleve të tjera, pikërisht në Kinë.

Madje edhe Kosova, në vitin e kaluar, Kinën e pati partnerin e tretë më të madh tregtar për eksporte (pas Italisë dhe Shqipërisë), ku eksportoi hekur.

Kjo na kthen të çështja e oportunitetit të humbur tash e 15 vite.

Kërkesa e madhe kineze për minerale ka qenë shans i përkryer për një vend të varfër si Kosova, që të investojë dhe të funksionalizojë industrinë e saj ekstraktuese. Me një treg me kërkesë gati të pashuar, Kina do të ishte destinacion i përkryer për mineralet e Kosovës.

Pas shumë viteve pune, më 2012, qeveria e Kosovës më në fund nxoriStrategjinë Minerare të Kosovës. Ky studim injoron zhvillimet e tregut botëror të komoditeteve dhe nuk përmend askund Kinën (as ndonjë vend tjetër) si treg të mundshëm për mineralet kosovare.

Ky lloj avashllëku qeveritar, kombinuar me mungesën e një orientimi strategjik, i ka kushtuar Kosovës me humbjen e shansit zhvillimor që nga viti 2008, por edhe më herët në saje të politikave ngulfatëse ekonomike të UNMIK-ut.

Sipas një studimi, vetëm prodhimi i plumbit në Kosovë, përbrenda kapaciteteve ekzistuese, mund të arrijë deri në 1 milion ton në vit. Në muajin gusht, çmimi i plumbit në tregun botëror ishte 1750 USD për ton. Nuk po bëhemi kaq ambicioz, e po themi se  Kosova do të eksportonte 500 mijë ton plumb në vit. Me çmimin aktual, të ardhurat e realizuara do të ishin (matematika është e thjeshtë) 875 milionë dollarë në vit. (Sa për krahasim, eksportet minerare të fqiut tanë verior, Serbisë, në vitin 2013 ishin 2 miliardë USD.)

Me një llogari shumë konservatore (sepse çmimi ka qenë më i lartë gjatë viteve të fundit), i bie se Kosova ka humbur mundësinë për të paktën 6 miliardë dollarë të ardhura nga viti 2008, vetëm nga eksporti i plumbit, pa llogaritur mineralet tjera të shumta të cilat i posedon Kosova.

Çfarë do të bënte Kosova me 500, 600, 800 milionë ose 1 miliardë e më shumë dollarë eksporte mineralesh në vit? (Sa për përkujtim, e gjithë GDP-ja e Kosovës është më pak se 4 miliardë dollarë.) Këtë po ua lë imagjinatës suaj.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.