Pas shprehjes së ambicies nga presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për ta bërë Grenlandën pjesë të SHBA-së, profile të shumta në gjuhën serbe në “Platformën X” kanë tërhequr analogji me çështjen e Kosovës. Atyre u është dhënë hapësirë nga disa media serbe të njohura për qëndrimin e tyre kundër shtetësisë së Kosovës dhe për promovimin e narrativës se “Serbisë i është marrë me dhunë Kosova nga Perëndimi”.
Më datë 9 janar 2025, “Blic.rs” ka publikuar një artikull me titullin: “E ARDHMJA NË GRENLANDË” Twitteri serb ka qenë ‘në flakë’ për disa ditë me radhë pasi Trumpi kërcënoi se do ta marrë nga Danimarka ishullin më të madh: ‘Kudo që të shkoj, DO TË KTHEHEM PËRSËRI NË GRENLANDË.” Në përmbajtje të këtij artikullit shkruan se “fakti që Amerika ka udhëhequr përpjekjet e Perëndimit për të krijuar Kosovën dhe M, provincën jugore të Serbisë, si një shtet të pavarur për gati tri dekada, ua kujtoi shumë përdoruesve të rrjetit X se Danimarka mund të përjetojë një fat të ngjashëm me vendin tonë për momentin”.
Në vazhdim, mediumi serb “Blic.rs” ka publikuar disa nga postimet në “X”, të tilla edhe në formë të shakave për pretendimin e Trumpit që të bëjë Grenlandën pjesë të SHBA-së.
Krahas tyre, artikullit i është bashkëngjitur edhe një deklaratë e Dushan Milenkoviqit, analist politik, i cili ka deklaruar se: “Spektakli i plotë kognitiv i Twitter-it serb për ambicien e Trumpit për të kapur Grenlandën është kështu: për shkak të dekadave të zhgënjimit kombëtar se Kosova na është vjedhur, para së gjithash nga amerikanët, Twitter serb po thotë se të njëjtit amerikanë do të vjedhin përsëri territor nga dikush, kësaj radhe nga danezët…”.
Më 7 janar 2025, Donald Trump Jr vizitoi Grenlandën, pasi babai i tij, presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, përsëriti ambicien për të marrë kontrollin mbi territorin autonom danez. Trumpi, në një konferencë shtypi, refuzoi të përjashtojë përdorimin e forcës ushtarake ose ekonomike për të marrë territorin nga Danimarka, një aleate e SHBA-së. “Ne kemi nevojë për Grenlandën për qëllime të sigurisë kombëtare”, tha ai, ndërsa ka kërcënuar se do të vendosë tarifa ndaj Danimarkës nëse nuk ua japin Grenlandën. Me rastin e vizitës së djalit të tij në Grenlandë, Trumpi shkroi në media sociale se: “është një marrëveshje që duhet të ndodhë”.
Atij i ka reaguar kryeministrja daneze Mette Frederiksen, duke theksuar se Grenlanda nuk është në shitje.
Grenlanda, që ndodhet midis SHBA-së dhe Europës, është ishulli më i madh në botë, një ish-koloni daneze dhe tani një territor autonom i Danimarkës. Një studiues i lartë në Institutin Danez për Studime Ndërkombëtare, Ulrik Pram Gad, ka thënë se ky ishull është parë prej kohësh si çelësi për sigurinë e SHBA-së, posaçërisht për ta zmbrapsur një sulm të mundshëm nga Rusia.
Ky nuk është rasti i parë kur mediat serbe tërheqin analogji mes zhvillimeve në botë dhe rajon, duke e mbajtur gjallë narrativën kundër shtetësisë së Kosovës.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”