Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Mbi historikun dhe rëndësinë e përzgjedhjes së dizajnit të fletëvotimit në Kosovë

Pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbi 1,700 votues nga Florida deklaruan se kishin votuar gabimisht për Pat Buchanan, në vend se të votonin për kandidatin Al Gore. Faji kryesor për këtë devijim të vullnetit qytetar i ishte atribuuar të ashtuquajturit ‘efekti flutur’, që derivonte nga problemi me dizajnin e fletëvotimit me emërtimin e njëjtë. Si rezultat i kësaj ngjarjeje, në vitin 2002 Kongresi amerikan kishte miratuar aktin ‘Help America Vote’, që kishte digjitalizuar në tërësi procesin, duke përmirësuar aspekte të procedurave zgjedhore, si përfshirja e makinave të votimit, proceset e regjistrimit dhe trajnimin e punonjësve të vendvotimeve.

Ky rast, por edhe raste tjera anë e mbanë botës, janë indikatorë tejet domethënës që tregojnë se përzgjedhja e tipit dhe specifikave të fletëvotimit janë elemente mjaft determinuese në pasqyrimin real të vullnetit politik të zgjedhësve.

E në Kosovë, në gjithsej gjashtë cikle zgjedhore për Kuvendin e Kosovës, janë përdorur në përgjithësi vetëm dy lloje të fletëvotimeve. Në zgjedhjet e vitit 2001 dhe 2004, ishte përdorur tip i njëjtë i fletëvotimit, i cili i ishte përshtatur sistemit zgjedhor me lista të mbyllura. Këto fletëvotime ishin të thjeshta, meqë përfshinin vetëm emrat e subjekteve politike, që vendoseshin në qendër të fletëvotimit, dhe kutitë e shënjimit që vendoseshin në të majtë. Me ndryshimin e sistemit zgjedhor në vitin 2007, përkatësisht hapjen e listave zgjedhore, kishte ndryshuar edhe dizajni i fletëvotimit, të cilit i ishte shtuar korniza e kuqe dhe kutitë e kandidatëve, që ishin vendosur në pjesën e djathtë të fletëvotimit. Modele të ngjashme, me ndryshimeve të vogla teknike, ishin përdorur edhe në zgjedhjet e vitit 2010, 2014 dhe 2017. Në këto tri palë zgjedhje, në fletëvotim ishin vendosur edhe logot e subjekteve politike.

Në anën tjetër, në nivelin lokal, prej gjithsej 10 cikleve zgjedhore, nga të cilat gjashtë ishin për kuvendet komunale dhe katër tjera për kryetarë të komunave, janë përdorur tri tipa të ndryshme të fletëvotimeve. Në zgjedhjet e para për kuvendet komunale të vitit 2000, fletëvotimi përmbante vetëm emrin dhe kutinë e subjektit politik në qendër, ndërsa në pjesën e djathtë të fletëvotimit ishin vendosur tri kuti, në të cilat votuesi shënonte numrin e kandidatit. Ky dizajn kishte pësuar ndryshime në zgjedhjet e vitit 2002, pasi ishte hequr pjesa e shënjimit të kandidatëve.

Pas ndryshimeve në sistemin zgjedhor të vitit 2007, në zgjedhjet lokale të atij viti, kur për herë të parë ishin organizuar edhe zgjedhjet e drejtpërdrejta për kryetarë të komunave, ishte ndryshuar formati dhe dizajni i fletëvotimeve, duke kaluar nga formati i zgjatur i fletëvotimeve paraprake, në formatin A3, me kornizë ngjyrë të kaltër, si dhe ishin shtuar kutitë e kandidatëve për kuvende komunale. Votuesit kishin mundësinë e votimit të deri në dhjetë kandidatëve. Kurse, fletëvotimi për kryetarë të komunave, që i përkiste formatit A4, ishte i thjeshtë në dizajn dhe përmbajtje, duke qenë se përmbante vetëm numrin, emrin e kandidatit dhe emrin e subjektit politik.

Fletëvotimet për zgjedhjet për kuvendet komunale të vitit 2009, kishin pësuar ndryshime në disa elemente. Në pjesën e subjekteve politike ishin shtuar logot e subjekteve politike dhe emrat e bartësve të listave, ndërsa numri i kandidatëve që mund të votoheshin ishte kufizuar në vetëm një. Elemente të ngjashme ishin aplikuar edhe tek fletëvotimi për kryetarë të komunave në zgjedhjet e atij viti.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2013 dhe vitit 2017, ishin përdorur dizajne pothuajse të njëjta të fletëvotimeve, me ndryshime të vogla në vitin 2017, kur secilit subjekt politik, përkatësisht secilit kandidat për kryetarë të komunave, u ishte kufizuar hapësira nga vija të holla ndarëse, ndërsa në fletëvotimin për kuvendet komunale ishte ndryshuar fonti i emrit të bartësit të listës.

Përkundër ndryshimeve të vazhdueshme në secilat zgjedhje, dizajni i fletëvotimit është evidentuar si një nga problemet kryesore që ka ndikuar në rritjen e fletëvotimeve të pavlefshme. Ky fenomen ka qenë dukshëm më i shprehur në zgjedhjet për kuvendet komunale të vitit 2017, kur rreth 80 mijë fletëvotime ishin shpallur të pavlefshme, ndërsa në zgjedhjet e përgjithshme të po atij viti, përqindja e fletëvotimeve të pavlefshme, kushtimisht thënë, kishte kaluar pragun zgjedhor prej 5%.

Edhe pse ende nuk janë miratuar dhe publikuar raportet e auditimit të fletëvotimeve për dy palë zgjedhjet e fundit të vitit 2017, nëse bazohemi në raportet paraprake të viteve 2013 dhe 2014, ato konkludojnë se gati gjysma e fletëvotimeve të pavlefshme për zgjedhjet e përgjithshme ishin shpallur të pavlefshme meqë ishin shënjuar vetëm kandidatët dhe jo subjekti politik, ndërsa në zgjedhjet për kuvendet komunale, mbi 80% e fletëvotimeve të pavlefshme ishin shpallur si të tilla, për shkak të mosshënjimit të subjektit politik por vetëm të kandidatit.

Element tjetër që rezulton të jetë shumë i rëndësishëm në dizajnin e fletëvotimit janë edhe numrat e subjekteve politike, përkatësisht lidhshmëria e tyre me numrat e kandidatëve. Numri rendor i subjekteve politike përcaktohet zakonisht pas shpalljes së zgjedhjeve, ndërsa lista e kandidatëve certifikohet në një periudhë të mëvonshme. Kjo mundëson që deputetët më ‘fatlum’ të kenë numrin e njëjtë me atë të subjektit politik. Në çdo palë zgjedhje të organizuara nga viti 2007 e këndej, së paku një kandidat për deputet që ka pasur numrin e njëjtë rendor me atë të subjektit politik, ka fituar mandatin, me një numër të konsiderueshëm të votave. E përbashkëta, – gjashtë prej këtyre deputetëve, që janë Gani Buçinca (2007-PDK), Adem Hajdaraj (2007-LDK), Nazane Breca (2010-LDK), Raif Qela (2014-PDK), Njomza Emini (2014-LDK) dhe Bali Muharremaj (2014-AAK), – është se asnjëri prej tyre nuk është rizgjedhur në mandatin pasues. Në zgjedhjet e fundit të vitit 2017, kandidatët e tri subjekteve politike – koalicionit PAN, Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit LAA, që kishin numrin e njëjtë rendor me atë të subjekteve të tyre, janë zgjedhur deputetë, duke u renditur mjaft lart në listën e deputetëve që kanë fituar më së shumti vota. Deputetët ‘fatlum’ të këtyre zgjedhjeve nga këto subjekte ishin Teuta Haxhiu nga PAN, Ali Lajçi nga LVV dhe Driton Selmanaj nga LAA. Pra, rëndësia e dizajnit të fletëvotimit reflektohet edhe në diferencën në mes të votave të kandidatëve brenda subjekteve, që po ngushtohet në çdo palë zgjedhje.

Në një studim të realizuar së fundmi nga Instituti Demokratik i Kosovës, ndër të tjerash është testuar një dizajn i ri i fletëvotimit për zgjedhjet e përgjithshme, që është përgatitur nga ekspertë zgjedhorë dhe të dizajnit grafik, që merr parasysh të gjitha problemet e evidentuara përgjatë proceseve të kaluara. Ky fletëvotim i ri konsiston në ndryshime vizuele, duke e bërë fletëvotimin më intuitiv, të qartë dhe të kuptueshëm. Në këtë dizajn të ri është propozuar që numrat rendorë të subjekteve politike të fillojnë prej numrit 111, duke mënjanuar mundësinë që kandidatët për deputetë të kenë numër të njëjtë rendor me subjektin politik. Ndryshimet tjera përfshijnë ndryshimin e formatit të kornizës së fletëvotimit, instruksionet e ofruara në fletëvotim, zgjerimin e pjesës së kutive të kandidatëve, si dhe hijezimin e kutive të subjekteve politike dhe kandidatëve, në mënyrë që votuesit t’i bien më lehtë në sy ato, për të mos harruar shënjimin e asnjërës pjesë. Të dhënat nga testimi tregojnë për një rënie të përqindjes së fletëvotimeve të pavlefshme nga 5.5% sa ishte në zgjedhjet e vitit 2017, në vetëm 3.7%. Mbi 90% e të anketuarve e kanë konsideruar dizajnin dhe strukturën e versionit të ri të propozuar më pozitivisht sesa të kaluarin.

Duke i konsideruar faktet e paraqitura më lart, mund të arrihet në përfundimin se, edhe pse jo si faktor determinues, dizajni  i fletëvotimit mund të ketë ndikim lidhur me atë se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit. Prandaj, duhet të kujdesemi që ky person të jetë në sajë të vullnetit real të votuesve e jo si rezultat i gabimeve teknike në ditën e zgjedhjeve.

—-

Ky shkrim mbështetet nga D4D, si pjesë e projektit ‘Avancimi i proceseve demokratike’ financuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.