***
Gjithmonë kam pasur bindjen e thellë se arti i përkufizuar si produkt i rregullimit të qëllimtë të elementeve simbolike për të tërhequr vëmendjen e shqisave apo emocioneve, mes të tjerash nuk është asgjë ose më e shumta është diçka, përmes së cilës arrijmë të shpëtojmë nga terrori i jetës dhe nga brutaliteti i vetes. Pra që të jem më i vrazhdë me veten, jam i mendimit dhe atë në mënyrë fanatike mendoj se arti nuk ekziston. Henry Miller i cili ishte çmendur nga dëshira për t’u bërë shkrimtar, ka një konstatim interesant. Arti nuk na mëson asgjë tjetër përveç se kuptimit mbi jetën. Pra ajo çfarë mbretëron është sall vetëdija mbi të. Prandaj në këtë pikë ngrihem furishëm si titan mbase pa asnjë gjykim të drejtë. Çfarë është kjo dyndje e madhe mbi artin, i cili nuk na mëson asgjë tjetër përveç se kuptimit të vrazhdë mbi të qenit artist. Secili artist krijon në mënyrë që ta forcojë mendimin mbi integritetin e tij si artist. Duke e vrarë mizorisht përmbajtjen si esencë. Gjithnjë duke kaluar kufijtë vetëm e vetëm që të perceptohet si diçka artistike. Shkrimtari anglez Gilbert Keith Chesterton, i cili shpesh quhej si princ i paradoksit, mendonte se arti duhet ta ketë një kufi njëjtë sikurse morali. E mbase njëjtë sikurse edhe liria sepse e dimë shumë mirë se koshienca mbi kufijtë është e vetmja portë e njohjes mbi të vërtetën. Kush dëshiron ndëshkim, le ta merr atë.
Sa për mua arti është një mundësi e mirë, për të mbetur njerëz të shkëlqyeshëm. Nuk ka asgjë më artistike se jeta. E cila shpesh fatkeqësisht përjashtohet nga shpirtngushtësia e artistëve. Për Xhafën realiteti është më i fuqishëm se arti. Gjë që qëndron teorikisht deri në çastin kur përballesh me punët e tij. Të cilat janë e kundërta e asaj që thotë problematiku bashkëkohor Xhafa. Më ndjeni. Kurrë nuk do të kisha shkruar në lidhje me artin bashëkohor po të mos kisha dijeni dhe dilema mbi interpretimin, i cili më shqetëson dhe privon qenien e thjeshtë megjithatë vigane. Në artin bashëkohor çdo gjë ka një interpretim dhe kjo është e vetmja gjë e cila e arsyeton ekzistencën e saj. Vepra ime me dy pëllumba të ngordhur në çorapet e mia të palara nënkupton konceptin mbi paqen e brishtë botërore dhe rrezikun permanent që kanoset nga fuqitë e mëdha botërore. Pra një interpretim dhe ja ku u bëmë artistë. Artistit bashkëkohor i mjafton shkathtësia për interpretim dhe mbështetet tek përkufizimi i Edgar Degas se artisti bën mrekulli vetëm atëherë kur nuk e di se çfarë po bën. Por a është kjo një e vërtetë e cila do të na shërbejë në të ardhmen përderisa nuk jemi ukrainas dhe nuk e kemi pushtuar ende pavijonin rus në Bienalen e Venedikut.
***
Duke qenë viktimë e vapës dhe duke e rikthyer në mendje konceptin mbi vetëvrasjen, në këto ditë vetmitare mbushur me tension dhe dëshpërim njerëzor, mbushur me izolim dhe myk, isha i pranishëm si një bishë e heshtur, në ekspozitën e themeluesit të klinikës së neuropsikiatrisë, Skënder Boshnjakut që quhej Ciklim. Dhe natyrshëm u mahnita nga shpjegimi dhe dekonstruktimi që ja bënte veprave të tij. Për Boshnjakun ekzistonte bërllogu fizik dhe bërllogu human. I shtyrë në moshë ai kishte vendosur për diçka të bukur. Që bërllogun fizik ta kthente në një realitet tjetër. Përderisa pikëpyetja e madhe që na takonte neve ishte bërllogu human, që është vetë realiteti, të cilin e kemi krijuar pa arritur ta përmbysim. Për Boshnjakun arti ishte më i fuqishëm se realiteti. I shkreti kishte mbledhur me durim kuti të ndryshme duhani, mështjellëse çokolladash, ishte futur në kazane e në plehra, ishte detyruar nga grykësia e shitësve, të paguante për pakot boshe të domateve vetëm e vetëm që këtyre gjërave të pavlera t’ju jepte jetë dhe t’i bënte të bukura. Një realitet me ngjyra. Që kënaqë syrin dhe nuk je i detyruar të shpjegosh sepse vetë puna e Boshnjakut dhe detyra e tij dinjitoze qëndronte mbi çdo shpjegim. Si gjithmonë procesi ishte emblematik.
Ndërkohë si për ironi nga ana tjetër tetë lopë qëndrojnë si vepra arti në oborrin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, pleh dhe mut, erë dhe pëllitje, e gjitha kjo si vepër e artit bashëkohor që nuk të çon të asnjë realitet tjetër, që nuk të shpëton. Por që jep mundësi për shumë interepretime. Aq sa nuk kapesh dot për asnjërin. Kaq. Sa për mua ka kohë që jam internuar në tokën e mendimit të ashpër, të vrazhdë dhe esktrem, nga miqtë e mi të dashur që janë artistë bashkëkohorë. Dhe si i linçuar nga e drejta për interpretim thjesht i vështroj veprat e Xhafës dhe në përjashtim të mijëra këpucëve në formën e barkës, që më thonë diçka, pjesa tjetër është qesharake, boshe dhe asburde. Natyrisht duke i thurrur lavde Xhafës pa e kuptuar përse. Dhe pa guxuar të shtroj pyetje mbi veprat e tij. Sepse tekefundit çfarë duhet të kuptojmë nga arti bashkëkohor. Çfarë të duash ose asgjë. Dhe nëse nuk e ke një intepretim thjesht duhet të qërohesh. Nga aty. Në kërkim të emocionit dhe shqisave. Që duket sikur i paskam të humbura.