Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Qeverisja e vërtetë: klientelizmi

Ilustrimi: Big Eye

Pa u luftuar klientelizmi, nuk mund të luftohet as korrupsioni. E kjo mund të bëhet me reforma thelbësore. Moralisht, luftën kundër korrupsionit, nepotizmit e klientelizmit kosovarët ka kohë që e kanë humbur. Lufta e vërtetë bëhet nëpërmjet ligjit. Vetëm atëherë qeverisja e vërtetë nuk do të jetë klientelizmi, por demokracia dhe ligjshmëria.

Kur para një viti bashkë me një grup qytetarësh organizonim protesta pas publikimit të përgjimeve në “Dosjen e Shefave”, kishte nga ata që më thoshin se Adem Grabovci i Partisë Demokratike të Kosovës nuk kishte bërë asgjë të keqe, teksa kishte punësuar militantë të partisë së tij në poste publike.

Fjalë të ngjashme dëgjova edhe këto ditë, kur u publikua lajmi se shumica nga 30 inspektorët e pranuar në punë në Administratën Tatimore të Kosovës janë zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të afërm me këtë parti.
Ka nga ata që i arsyetojnë edhe punësimet e ashtuquajtura me “kontratë mbi vepër” nga Lëvizja Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, ose nga AAK, AKR e parti të tjera në komunat që i qeverisin.
Mbase bazuar në kode morale dhe kulturën tradicionale, njerëzit përpiqen të gjejnë arsye racionale në të tilla veprime, pavarësisht se janë korruptive dhe të pandershme. Mendja ua thotë se klientelizmi, korruptimi e nepotizmi janë normale, në një shoqëri ku partitë politike janë promovuesit më të mëdhenj të këtyre dukurive.

Klientelizmi, një marrëdhënie e krijuar ndërmjet “patronit”, që në të shumtën e rasteve është zyrtar partiak që mban post publik dhe qytetarit, në Kosovë është kthyer në një qeverisje alternative, respektivisht në një formë alternative të qeverisjes. Në fakt, bazuar në mënyrën si funksionon dhe si ndikon në jetën e qytetarëve, klientelizmi është qeverisja e vërtetë.

Kjo dukuri dominon marrëdhëniet e qytetarëve me liderët partiakë e politikë. Gjithçka nis te vota, kur qytetarit në këmbim të saj i premtohet përfitim resursesh ose trajtim i veçantë dhe jo i barabartë, por i privilegjuar krahasuar me të tjerët. Në këtë mënyrë, duke plotësuar nevojat e vetëm një grupi të caktuar të njerëzve, cenohet rëndë praktika demokratike e qeverisjes. Në këtë mënyrë, klientelizmi shndërrohet në produkt politik.

***

Partitë politike në Kosovë më shumë se si të tilla funksionojnë si grupe joformale interesi, pavarësisht një strukture formale që në shikim të parë lë përshtypje të një organizimi serioz. Shumica dërrmuese e tyre nuk kanë lidhje me ideologji, por veprojnë sipas rrethanave të krijuara dhe përfitimeve momentale. Kështu, qytetarët lidhen me zyrtarë brenda këtyre strukturave jo për shkaqe ideologjike, por për nevoja klienteliste.
Pasiguria ekonomike është elementi kryesor që determinon marrëdhënien klienteliste të qytetarëve karshi zyrtarëve politikë. Në një vend si Kosova me shkallë të lartë papunësie e varfërie, ky raport vetëm sa forcohet.

Duke shfrytëzuar klientelizmin si mënyrë qeverisjeje, partitë politike ndikojnë negativisht në kapacitetin e shoqërisë kosovare për t’i zgjidhur problemet me të cilat ballafaqohet. Pse të zgjedhet rruga më e gjatë, kur është e mundshme një tjetër më e shkurtër? Në këtë mënyrë qeverisja bëhet joefikase dhe shërbimet e domosdoshme nuk ofrohen për të gjithë njësoj, ndikimi i qytetarëve në vendimmarrje zvetënohet e ndarjet në shoqëri inkurajohen. Qytetari ndihet i pafuqishëm se mund të ketë ndikim në të ardhmen e vet.

Marrëdhëniet klienteliste zgjasin dhe kultivohen, andaj është e vështirë që ato të eleminohen. Pasiguria sociale dhe mungesa e perspektivës vetëm sa i shtyn qytetarët që të bëhen klientë partish, në vend se partitë dhe institucionet të jenë në shërbim të tyre. Kështu, resurset publike shpërndahen në mënyrë të pabarabartë, e njerëzit e partive vendosin se kush do të punësohet në shkollë, spital a ndërmarrje publike. Kështu, klientelizmi shndërrohet në mënyrë jetese.

***

Kur politikanët flasin për luftimin e korrupsionit “harrojnë” të përmendin klientelizmin. Në fakt, ardhjen në pushtet ata e konsiderojnë si mundësi të mirë për ta kultivuar e forcuar këtë dukuri.

Premtojnë se do t’i depolitizojnë bordet e ndërmarrjeve publike, ndërkohë që kur vijnë në pushtet bëhen hisedarë në to. Pa u luftuar klientelizmi, nuk mund të luftohet as korrupsioni. E klientelizmi luftohet me reforma thelbësore – reforma në sistemin gjyqësor e prokurorial, reforma në arsim e shëndetësi, reforma në sistemin e prokurimit. Ndërkohë, qytetarët nëpërmjet votimit fer e të lirë duhet t’i mbajnë përgjegjës të zgjedhurit e tyre, të jenë aktivë në vendimmarrje dhe të insistojnë në ndarje të drejtë të resurseve.

Në aspektin moral, luftën kundër korrupsionit, nepotizmit e klientelizmit kosovarët ka kohë që e kanë humbur. Lufta e vërtetë bëhet vetëm nëpërmjet ligjit, sundimit të ligjit. Vetëm atëherë qeverisja e vërtetë nuk do të jetë klientelizmi, por demokracia dhe ligjshmëria. Vetëm atëherë njerëzit që promovojnë klientelizmin e nepotizmin nuk do të duatrokiten e vlerësohen, por do të ndëshkohen e përçmohen. E qytetarët duhet të vetëdijesohen se nuk duhet të jenë ata në shërbim të partive e politikës, por politikanët e vendimmarrësit duhet të jenë në shërbim të tyre.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.