Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Rusia është në Mesdhe dhe s’e ka mendjen të largohet (II)

Përfundimi i Luftës së Ftohtë shënoi fillimin e një rreshtimi të ri madhor strategjik në Europë dhe Mesdhe. Rusia u tërhoq prej perandorive të saj të jashtme dhe të brendshme për t’u përqendruar te problemet e brendshme, të cilat e mbajtën të preokupuar përgjatë viteve 1990. Me shterjen e resurseve të saj dhe shkërmoqjen e establishmentit të mbrojtjes, Rusia u zhduk nga Mesdheu si aktore detare, ushtarake dhe gjeopolitike. Mbetjet e Flotës Sovjetike në Detin e Zi u ndanë me Ukrainën dhe Rusia gati sa nuk pushoi së ekzistuari fare si forcë detare.

Prania e vazhdueshme e flotës ruse në Sevastopol, gjë e cila bazohet në një traktat të negociuar me Ukrainën më 1997, u ballafaqua me një të ardhme të pasigurt duke marrë parasysh aspiratat e kësaj të fundit për t’iu bashkuar NATO-s. Me zotimin e NATO-s të vitit 2008 për të pranuar Ukrainën dhe Gjeorgjinë si anëtare në një të ardhme të pacaktuar, ambiciet ruse në Mesdhe jo vetëm që u duk se u veniten në të kaluarën, por prania e saj në Detin e Zi erdhi në pikëpyetje gjithashtu.

Zotimi la mundësinë që Rusia të humb qasjen në Sevastopol, duke e lënë me vetëm një port të madh në Novorossiysk dhe duke e lënë Moskën me prospektin që Deti i Zi të bëhet liqen i NATO-s me pasoja të rënda për sigurinë e saj. Bullgaria dhe Rumania ishin anëtarësuar në NATO më 2004. Më 2011, Shtetet e Bashkuara dhe Rumania u pajtuan të ndërtojnë një bazë raketore në Rumani, për të cilën zyrtarët rusë pretendojnë se mund të paraqesë rrezik për sigurinë ruse.

Këto ishin aspekte të rëndësishme në vendimet e Kremlinit për të nisur luftë kundër Gjeorgjisë më 2008 dhe për të pushtuar Ukrainën gjashtë vjet më vonë. Prospektet e tyre për anëtarësi në NATO dhe partneritetet e ngushta me aleancën premtonin transformim madhor në rajonin e Detit të ZI, kërcënime të reja ndaj aftësisë së Rusisë për të treguar fuqinë në Mesdhe të mbrojë pozicionin e saj në Detin e Zi, si dhe një kthesë në ekulibrin e përgjithshëm NATO-Rusi në cepin jugor të Europës. Sipas fjalëve të vetë presidentit Vladimir Putin, Krimea dhe Sevastopolimund të bëhen një tjetër platformë për komponentet raketore amerikane dhe bazë e lëshimit për sulme raketore kundër Rusisë.

Në kontekstin e Detit të Zi dhe Mesdheut, konfliktet me Gjeorgjinë dhe Ukrainën morën rëndësi shumë më të madhe se sa deklaratat ambicioze por të turbullta të Kremlinit lidhur me një sferë të “interesave të privilegjuara.” Të nisura për t’i mbajtur këto vende larg NATO-s, këto luftëra kanë arritur më shumë se sa kishin pasur për qëllim. Në sytë e vëzhguesve të huaj, konfliktet kanë krijuar dy shtete armiqësore në kufirin jugperëndimor të Rusisë.

Megjithatë, prej syve të Moskës ato parandaluan depërtimin e një aleance armiqësore në këtë rajon kritik, duke tkurrur praninë e saj në Detin e Zi dhe duke paraqitur sfida të reja për qasjen e saj në Mesdhe, si dhe një përkeqësim të konsiderueshëm të korrelacionit të forcave në krahun jugor të Europës dhe për rrjedhojë tërë teatrit europian. Të dy luftërat kanë rikthyer gjithashtu posedimin e Krimesë nga Rusia – një pikë kritike për mbrojtjen e Rusisë jugore dhe platformë e shfaqjes së fuqisë dhe ndikimit në Detin e Zi dhe Mesdhe.

Sido që të jetë, konfliktet në Gjeorgji dhe Ukrainë, si dhe reforma e jashtëzakonshme ushtarake dhe modernizimi i forcave të armatosura, përfshi aftësitë detare, të nisura pas luftës së vitit 2008 në Gjeorgji, nuk mund të kompensojnë për sfidat që kanë paraqitur me shekuj për Rusinë gjeografia dhe gjeopolitika europiane. Luftëanijet e saj nde duhet të kalojnë përmes ngushticave të kontrolluara nga Turqia ose të lundrojnë përreth Europës e pas brigjeve të aleatëve e partnerëve të NATO-s, siç kishin bërë në kohët e Katarinës së Madhe, që prej Gjirit të Finlandës e deri te ngushtica e Gjibraltarit. Aeroplanët ushtarakë rusë duhet të fluturojnë nëpër hapësirën jomiqësore ajrore nëse duan të arrijnë Mesdheun. Të dyja janë bërë më problematike si pasojë e të dy konflikteve.

Strumbullari sirian

Shumë shpjegime rreth vendimit për të ndërhyrë ushtarakisht në Siri më 2015 – e para ndërhyrje e tillë në epokën postsovjetike – u përqendruan në dëshirën për të rikthyer Rusinë në pozitën e mëparshme si forcë madhore në gjeopolitikën e Lindjes së Mesme. Nuk ka dyshim se ky qëllim luajti rol madhor në vendimin që transformoi Rusinë prej një fuqie të perënduar në aktor madhor në rajon. Shpjegime të tjera janë përqendruar në shqetësimin e Kremlinit për kërcënimin terrorist që u përhap prej Sirisë në Kaukazin Verior e më tej. Megjithëkëtë, një tjetër shtysë e rëndësishme, edhe nëse jo e tillë që të tërhiqte vëmendje të menjëhershme, ka qenë balanci i pushtetit në krahun jugor të Europës dhe dinamikë NATO-Rusi në teatrin më të gjërë europian.

Suksesi ushtarak i Rusisë në Siri u dëshmua shumë i rëndësishëm për pozicionin e saj në Mesdhe. Siria ka qenë klienti më i vjetër dhe i fundit i Rusisë në Lindjen e Mesme dhe Mesdhe dhe vend ku flota e saj ka pasur ende prani. Jo me tepër se vend për të shkelur, ajo ka qenë i vetmi pozicion ushtarak në rajon. Me ndërhyrjen ushtarake, Rusia e rikonsolidoi veten si prani e rëndësishme ushtarake në Mesdheun lindor me një marrëveshje afatgjate me Sirinë që siguron praninë e saj në bazën detare të Tartusit dhe bazën ajrore të Hmeimimit, të dyjat prej të cilave po përjetojnë zgjerim madhor në mënyrë që të akomodojnë prani më të madhe detare dhe ajrore.

Hiç më pak i rëndësishëm ka qenë pozicionimi i ushtrisë ruse në një teatër që Turqia e konsideron kritik për sugurinë dhe stabilitetin e saj të brendshëm. Me sigurimin afatgjatë të pranisë së saj ushtarake në Siri, Moska ka siguruar një burim madhor për të fituar terren në marrëdhëniet me Ankaranë – jo ndryshe prej pozicionit të Ankarasë në marrëdhëniet me Rusinë gjatë luftës në Çeçeni në vitet 1990 dhe 2000. Kjo është fitore e rëndësishme për Rusinë në raport me NATO-n, ku Turqia është potencialisht aktor kryesor në kontekstin e krahut jugor të Europës dhe Mesdheut.

Rusia është angazhuar në një akt ekuilibrimi me Turqinë në një përpjekje transparente për të krijuar një pykë mes asaj dhe pjesës tjetër të NATO-s. Përderisa ndërhyrja në Siri e ka pozicionuar Moskën për të ushtruar presion mbi Ankaranë, si ushtarakisht ashtu edhe duke ruajtur kërcënimin e shpërnguljes së më shumë refugjatëve për në Turqi, ajo përkrahu presidentin Recep Tayyip Erdogan pas tentimit për grusht shteti më 2016, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe vendet europiane ngurruan.

Suksesi në Siri ka sjellë edhe më shumë përfitime për Rusinë në përpjekjet e saj për të zgjeruar ndikimin në Mesdhe. Duke qenë se marrëdhëniet amerikano-egjiptiane u ftohën pas grusht shtetit të vitit 2013 kundër presidentit Mohamed Morsi, lideri i ri egjiptian Abdel Fattah el-Sisi gjeti një partner të ri tek Putini, përkrahja e të cilit për presidentin Bashar al-Assad në një moment rreziku dha shenjë për autokratët e rajonit se, ndryshe nga Uashingtoni, Moska do të përkrahë miqtë e saj. Përmirësimi i marrëdhënieve me Egjiptin për herën e parë që prej përjashtimit të këshilltarëve sovjetikë më 1972, shtroi rrugën për rifillimin e tregtisë së armëve e madje edhe diskutimeve për qasjen ruse në bazat ushtarake të vendit. Egjipti dhe Rusia kanë nënshkruar disa marrëveshje të mëdha armës për blerje të aeroplanëve luftarakë rusë, helikopterëve dhe sistemeve të tjera të armëve me vlerë prej miliarda dollarësh (shuma e saktë nuk është bërë publike).

Sidoqoftë, kjo tregti e armëve në zhvillim e sipër me gjasë nuk është e mjaftueshme për ta kaluar në peshë efektin e subvencioneve amerikane për mbrojtje për Egjiptin në vlerë prej 1.3 miliardë dollarë në vit. Me sa duket Rusia ende nuk ka fituar qasje të plotë në bazat ushtarake të Egjiptit, ndonëse është thënë se personeli dhe pajisjet e saj ushtarake janë dislokuar në bazat në perëndim të vendit për të përkrahur Ushtrinë Kombëtare të Libisë (LNA), të cilën e mbështesin të dyja. Njësitet ruse dhe egjiptiane kanë zhvilluar manovra të përbashkëta, luftanijet ruse kanë bërë ndalesa në portet e Egjiptit dhe të dy flotat kanë zhvilluar stërvitje të përbashkëta në Detin e Zi.

Ekspansioni i pranisë së Rusisë në Siri, sado domethënës, i ka ofruar Rusisë jo më shumë se një aftësi relativisht modeste për të treguar fuqinë në Mesdhe. Gjetiu në rajon, përpjekjet e vazhdueshme për të rindërtuar lidhje me ish klientë dhe për të siguruar lidhje me partnerë të rinj janë dëshmuar si mesatarisht të suksesshme.

Ashtu si në epokën sovjetike, tregtia e armëve ka qenë mundësi e dobishme për të hapyer dyert, por jo edhe aq e mjaftueshme për të siguruar atë lloj qasjeje që kanë kërkuar diplomatët dhe liderët ushtarakë, në mënyrë që të konsolidojnë Rusinë si aktore madhore në gjeopolitikën e rajonit me peshën diplomatike dhe aftësitë ushtarake për t’i bërë ballë peshës së ndërthurur të Shteteve të Bashkuara, aleatëve të saj të NATO-s dhe Bashkimit Europian. Kompleti i mjeteve ekonomike të Rusisëështë kopje e dobët e resurseve që ishte në gjendje të ofrojë Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë dhe nuk krahasohet me resurset që mund të grumbullojnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

Pas Sirisë, Libia u shfaq si mundësia tjetër madhore për të zgjeruar rrjetin e ndikimit rus në Mesdhe. Me përshkallëzimin e luftës civile në vend, Rusia u shfaq si përkrahëse kryesore e LNA-së, të udhëhequr nga gjenerali Khalifa Haftar. Perkrahja për tëu tregua me dërgesa armësh, mercenarësh dhe avionësh rusë nga Siria, si dhe ndihmë financiare në formën e valutës së falsifikuar. Në të njëjtën kohë, Kremlini ka ngurruar të zotohet dhe ka mbajtur lidhjet me qeverinë në Tripoli të njohur nga KB-ja. Qëndrimi i saj në luftën civile në Libi sugjeron se është e përgatitur për një lojë të gjatë, pa marrë parasysh se si do të zgjidhet konflikti dhe planifikon të mbetet e përfshirë në çështjet e vendit.

Rreziku ndaj interesave ruse në këtë situatëështë minimal, ndërsa përfimitet diplomatike, ekonomike, tregtia e armëve dhe marrëdhënia potenciale në mbrojtje dhe siguri me një vend me pozicion strategjik në mes të vijës bregdetare jugore të Mesdheut paraqesin një çmim të jashtëzakonshëm me pasoja afatgjata për pozicionin e Rusisë në rajon. Prapëseprapë, një pikëmbështetje e sigurt në Libi, sado mundësi tërheqëse, është vetëm një prospekt i largët duke marrë parasysh gjendjen e pasigurt atje.

Gjetkë në Afrikën Veriore, orvatjet e Rusisë për të zgjeruar marrrëdhëniet e saj kanë pak gjasa të korrin sukses. Po të matej me numrin e memorandumeve të mirëkuptimit (MOU) dhe marrëveshjet që ka nënshkruar, orvatjet e saj për partneritete në rajon duken mbresëlënëse. Megjithëatë, nëse gjykohet nga numri i MOU-ve të zbatuara, volumin e tregtisë, dhe rrjedhjet e investimeve direkte të huaja (FDI), atëherërezultatet janë zhgënjyese.

Marrëveshja e shumëpërmendur për të ndërtuar një termocentral bërthamor në Egjipt është nënshkruar pas shumë vonesave më 2015, e përsëri më 2017, por me sa duket ndërtimi nuk ka filluar ende. Thënë troç, marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike të Rusisë në Afrikën Veriore dhe përgjatë Mesdheut nuk lënë shumë mbresa. Ajo nuk është ndonjë burim domethënës i përkrahjes për vendet në rajon që kërkojnë të zhvillojnë ekonomitë e tyre dhe të nxisin rritje ekonomike.

Rusia ka shfrytëzuar gjithashtu asetet dhe ekspertizën edhe të naftës edhe të gazit në eksplorim dhe zhvillim për t’u orvatur që të ndikojë qeveritë nëpër Mesdhe. Këto orvatje kanë pasur më së shumti sukses në Turqi, e cila dëshiron të pozicionohet si nyjë e distribuimit të energjisë për Europën, por nuk ka pasur në vendet tjera, posaçërisht në ato ku prodhuesit vendorë garojnë me firmat ruse. Firmat ruse të energjisë kanë investuar në projekte në disa vende nëpër Mesdhe (Egjipt, Algjeri) dhe po kërkojnë mundësi të tjera (Libi), por për këto vende Rusia është gjithashtu rivale në tregun europian të energjisë qëësthë bërë gjithnjë e më garues. Karta më e fortë e Rusisë ka qenë tregtia e armëve, veçanërisht në marrëdhëniet me Algjerinë, ku ekziston një arsenal substancial i sistemeve të trashëgimisë nga epoka sovjetike. Megjithatë, tregtia e Algjerisë me Rusinë përbën vetëm një fraksion të asaj me BE-në–3.6 miliardë dollarë dhe 28 miliardë dollarë respektivisht më 2019.

***

Hulumtimi origjinal nga Eugene Rumer dhe Richard Sokolsky i botuar nga Carnegie Endowment, më 27 maj 2021.

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.