Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Markat tregtare si mjet politik dhe patriotik në Kosovë

Markat tregtare janë një prej formave të pronësisë industriale, të cilat veçojnë produktet dhe shërbimet e ofruara nga kompani të ndryshme në treg. Si markë tregtare mund të regjistrohet çdo shenjë që përbëhet nga fjalët, shkronjat, numrat, ngjyrat, forma e mallrave ose e paketimeve, tingujt-zërat ose kombinimi i cilësdo nga këto. 

Markat tregtare e diferencojnë produktin në treg. Çdo konsumator blen produkte apo shërbime mbi bazën e informacioneve që ofrojnë markat tregtare, siç është prejardhja, kualiteti, reputacioni dhe çmimi i mallit apo i shërbimit.

Për shkak të rëndësisë ekonomike, markat tregtare shpesh përdoren si mjete nga politikanët për arritjen e qëllimeve të caktuara. Viteve të fundit, ky fenomen ka qenë një pikë e rëndësishme e politikëbërjes edhe në Kosovë.

Ndalimi i importit të produkteve serbe për qëllime politike 

Në vitin 2018, Kosova vendosi masë mbrojtëse tarifore prej 100% ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Kjo masë u largua në vitin 2020. Tre vjet më vonë, në qershor 2023, Kosova ndaloi totalisht importin e mallrave të prodhuara në Serbi, për shkaqe të sigurisë kombëtare, por jo edhe për lëndën e parë. 

Ndalimi i produkteve serbe u shpërfaq edhe si formë e rezistencës ekonomike, si kundërpërgjigje ndaj vendimeve të Serbisë në dëm të Kosovës.

Megjithatë, rishtazi, Qeveria e Kosovës ka larguar këtë ndalesë, si rezultat i kërkesës së drejtpërdrejtë nga Gjermania, një nga partnerët kryesorë politikë dhe ekonomikë, dhe mbështetës i integrimit të vendit në tregjet ndërkombëtare. 

Kjo ndalesë e imponuar nga Qeveria e Kosovës ishte në kundërshtim me parimet e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA), pjesë e së cilës është edhe Kosova. 

Fushatat për ngritjen e patriotizmit ekonomik

Injorimi i produkteve serbe dhe produkteve të huaja ishte cak i fushatave të ndryshme në Kosovë. Në veçanti, “Duaje Tënden” ishte një ndër më të famshmet që promovojnë konsumimin e produkteve vendore dhe bëjnë thirrje për bojkotimin e produkteve serbe.

Por, pavarësisht fushatave të shumta vetëdijesuese, ato nuk kanë rezultuar si të suksesshme. Sipas anketës “Perceptimi i Konsumatorëve për Prodhimet Vendore”, tregu vendor ka mungesë së zgjedhjeve dhe kualitetit të disa produkteve. Si rezultat, qytetarët nuk kanë zgjedhje tjetër veçse të blejnë produkte me origjinë nga jashtë.

Thirrjet për konsumimin e produkteve vendore duhet të shoqërohen me një investim të qëndrueshëm në cilësi nga vetë prodhuesit vendorë. Në mungesë të këtyre standardeve, konsumatorët do të vazhdojnë të preferojnë produkte të huaja.

Nevoja për qasje strategjike

Qeveria e Kosovës duhet të krijojë një balancë në mes të qëllimeve politike dhe angazhimeve ekonomike në kuadër të CEFTA-s dhe bashkëpunim me partnerët strategjikë.

Nuk është aspak produktive që Qeveria të ndërmarrë masa, siç është ndalimi i importit të produkteve serbe, të cilat duhet të hiqen pas një kohe të shkurtër për shkak të presionit ndërkombëtar, dhe kjo vlen veçanërisht kur tregu i Kosovës synon të jetë i hapur dhe tërheqës për investitorë të huaj. 

Në vend të fokusit në ndalesa dhe masa mbrojtëse që janë të përkohshme, Qeveria duhet të punojë drejt krijimit të mundësive të reja për prodhuesit vendorë. 

Investimet në infrastrukturë, subvencionet për prodhimin e brendeve cilësore dhe ndihma për eksportin e produkteve, janë disa prej hapave që mund të ndihmojnë në forcimin e markave vendore. 

Bizneset vendore, në anën tjetër, duhet t’u kushtojnë vëmendje të veçantë markave tregtare, që nga ideja për ta plasuar një mall apo shërbim në treg, e deri te marketingu. Gjithashtu, përmirësimi i kualitetit dhe ofrimi i shërbimeve cilësore mbeten ndër veçoritë kryesore për konsumatorin. 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.