Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Mohimi i masakrave si kumt i zymtë revizionist i Serbisë

Ilustrimi nga: BigEye

Mohimi i masakrës së Reçakut nga ministri i Brendshëm serb, Aleksandër Vulin, shënon provokimin e radhës së Beogradit ndaj Kosovës dhe përshkallëzimin e revizionizmit zyrtar të përqafuar nga regjimi i presidentit Vuçiq. Mësymja e figurave më ekstremiste në qeverinë serbe për t’i sfiduar të vërtetat historike është shëmbëlltyrë se si jo vetëm që rajoni nuk po shkon drejt pajtimit, por përkundrazi, po bën hapa pas.

Masakra e Reçakut, në të cilën 45 shqiptarë u vranë barbarisht nga trupat serbe, është një nga krimet e dokumentuara gjerësisht. Brutaliteti i forcave serbe dhe dhuna ndaj popullsisë civile shqiptare ishin të njohura edhe më herët, por masakra e ndodhur më 15 janar 1999 shërbeu si një kambanë zgjimi për vendet perëndimore dhe e bëri të qartë domosdoshmërinë e angazhimit të drejtpërdrejtë për ta ndaluar gjenocidin që Millosheviqi synonte ndaj shqiptarëve.

Vulin e quajti atë një “gënjeshtër e madhe, një falsifikim i tmerrshëm”. Kjo nuk është hera e parë që ai i ka kontestuar krimet në Reçak, duke treguar se Beogradi kërkon ta zhbëjë të vërtetën e Reçakut. Kjo ndodh pikërisht për rëndësinë e saj në sensibilizimin e komunitetit ndërkombëtar dhe vënien në lëvizje të asaj që u shndërrua më pas në ndërhyrjen më të suksesshme humanitare në historinë moderne.

Mobilizimi për hedhjen e dyshimeve për këtë dhe krime të tjera në Kosovë është bërë apendiks i një mendësie agresive për ripozicionimin e Serbisë në rajon.

Ajo çfarë është edhe më shqetësuese është se ministri Vulin i bëri komentet e tij teksa vizitonte setin e një dokumentari, të sponsorizuar nga qeveria serbe, për të përgënjeshtruar këtë dhe të tjera krime të Serbisë në Kosovë. Në fakt, është raportuar më herët se ministria e drejtuar nga Vulin ka ndërmarrë një projekt të përbashkët me Radio Televizionin e Serbisë për të realizuar një film të quajtur “Dosja e Kosovës”.

Doktrina revizioniste është ngritur tashmë në politikë zyrtare dhe e mbështetur financiarisht nga Beogradi, duke krijuar reminishenca të drejtpërdrejta me makinerinë e propagandës që drejtonte dikur presidenti Vuçiq kur shërbente nën hijen e Sllobodan Millosheviqit. Ama, ndryshe nga ajo kohë, propaganda e tanishme nuk i drejtohet vetëm publikut të brendshëm, por synon ta minojë edhe diskursin faktologjik ndërkombëtar.

Në këto kushte, deklaratat e ndryshme për mohimin e krimeve, rehabilitimin e kriminelëve të luftës dhe përpjekjeve për ta delegjitimuar ndërhyrjen e NATO-s për të ndaluar spastrimin etnik duhen parë si pjesë integrale e shprehisë së politikës së jashtme të Serbisë. Si të tilla, duhet të ngjallin shqetësim të madh jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjitha vendet e tjera të rajonit. Kjo për faktin se këto shprehi agresive kanë ardhur në rritje proporcionale me procesin e armatimit të Serbisë dhe shpeshtimin e shfaqjeve ushtarake.

Ka dhe një kontekst pak më të gjerë ky inkrementalizëm. Vetë Vulini është vënë në krye të promovimit të “botës serbe”, një platformë që risjell ide të nacionalizmit ekstrem serb.

Përpjekja e Aleksandër Vulinit për t’i mbuluar krimet në Kosovë vjen në një moment kur një iniciativë e ngjashme po ndiqet edhe në Bosnjë-Hercegovinë. Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të vendit, ka nisur prej kohësh një fushatë mohimi për krimet serbe në Bosnjë-Hercegovinë, duke mohuar madje dhe gjenocidin në Srebrenicë. Një debat i tillë u bë çështje e ditës edhe në Mal të Zi para disa muajsh, kur Vladimir Leposaviq, ministri i atëhershëm i Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, hodhi dyshime për tragjedinë e Srebrenicës.

Duket se e ashtuquajtura “bota serbe”, e përqafuar nga Aleksandër Vulin, ka si gurthemel mohimin e krimeve serbe, në Kosovë, por jo vetëm. Prandaj, sot është më e nevojshme se kurrë që të refuzohet përpjekja e Serbisë për të deformuar, hedhur dyshime, ose transformuar të vërtetat historike.

Vetë Kosova në radhë të parë duhet të jetë tejet reaktive përpara qëndrimeve të tilla dhe t’ua bëjë të qartë partnerëve ndërkombëtarë malinjitetin e synimeve të përfaqësuesve serbë.

Përpara këtij fakti, është e papranueshme heshtja e Tiranës zyrtare në dënimin e deklaratave të ministrit serb. Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e dënuan mohimin e masakrës së Reçakut duke dënuar vrasjet aty dhe duke theksuar se krimi ishte “i dëshmuar”, heshtja dhe ndrojtja e përfaqësuesve të Shqipërisë bie edhe më shumë në sy.

Procesi i nisur për përmirësimin dhe thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, nëpërmjet petkut të iniciativave të ndryshme dhe të platformave si “Ballkani i hapur”, duhet ta thjeshtonin dhe bënin më të pranueshme protestën e palës shqiptare. Dështimi i institucioneve për ta ngritur zërin për një kauzë të tillë themeltare mbart një kumt të zymtë për të shumëpërfolurin bashkëpunim rajonal.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.