Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ndikimi i sistemit politik në sjelljen e individit

Ta konsiderojmë vlerën e ambientit në të cilin jetojmë nuk është e mjaftueshme të merren parasysh vetëm kushtet materiale dhe fizike, duke qenë se në qendër të ndjesisë së sigurisë dhe mirëqenies tonë është “atmosfera psikike” e ambientit në të cilin jemi. Ju ka rastisur të shkoni në një kafene të thjeshtë dhe jo aq moderne dhe aty të gjeni një komoditet të veçantë që u përgjigjet sentimenteve tuaja? Kështu kemi vetëm një grimcë të përshtypjes se për çfarë atmosfere është fjala…

Mbase nuk është risi të thuhet që sistemet politike e kanë diferencuar ambientin material dhe fizik dhe mbi të gjitha atë psikik të zotërimeve të tyre dhe rrjedhimisht kanë depërtuar deri te qeliza shoqërore – familja dhe deri te qeliza individuale – psika e njerëzve. Por, a janë destinuar fillimisht sistemet politike ta zotërojnë këtë ndikim mbi individin, apo është e mundur jetesa në distancim nga këto qasje dhe individi të ketë hapësirën dhe lirinë e vet autonome brenda sistemit?

Shembuj të sistemeve totalitare dhe diktatoriale japin një mesazh që liria individuale është reduktuar deri në atë masë sa që mund të mos ketë ekzistuar as si formë e mendimit personal (në vetvete), por të jetë adaptuar në formë të të menduarit kolektiv. Përjashto njerëzit të cilët kanë ruajtur një autonomi të të menduarit në heshtje, ose siç thuhet në diskurset religjioze “në zemrat e tyre”, por ka reduktuar çdo formë të shprehjes apo veprimit.

Megjithëse, nëse shohim nga ka lindur ideja e një sistemi të tillë – duke i konsideruar historitë e zhvillimit të shteteve moderne por dhe historinë pararendëse të formimit dhe shembjes së perandorive, si dhe para tyre formave fisnore të organizimit të “mini-shteteve” – a kanë qenë ato me prirje totalitare qysh në fillim?

Vërehet që një përsiatje mbi historinë e sistemeve politike na lidhet ngushtë më pyetjen tjetër rreth natyrës njerëzore – tendenca dominuese, ndryshimi i sjelljes, edukimi dhe manifestimi i ideve inovative si dhe lindja e idealeve. A ka nisur gjithçka nga një njeri idealist apo dominues, apo psikodinamika e grupit dhe nevojat ekzistenciale të kohës i kanë formësuar madje edhe tendencat njerëzore?

E di që këto janë disa nga pyetjet e shkencave shoqërore, filozofisë dhe shumë të tjera, por qëllimi i pyetjeve sokratike nuk është patjetër dhënia e përgjigjes sa është nxitja e shqyrtimit dhe ekzaminimit të këtyre realiteteve, prandaj edhe qëllimi i këtij reflektimi është të japë një perspektivë vetëdijesuese, le të themi, mbi ndikimin aktual që sistemi juaj politik ka mbi ju.

Është një thënie e gjetur nga Kerry Washington, mandej e cituar shumë shpesh nga Aung San Suu Kyi në ndërmarrjet e veta politike, që thotë se: “Ju mund të jeni duke mos menduar për politikën, por politika mendon për ju”. Në interpretimin e parë është vetevident fakti që politikanët në politikëbërjen e tyre janë vetëm duke i zbatuar ‘termat e tyre të referencës’ dhe po mendojnë, nën obligimin e tyre, për qytetarët. Kjo madje tingëllon pozitive. Në thellimin e një niveli të dytë pas kësaj, thënia i flet edhe qytetarit neglizhent i/e cili/a nuk shpreh interesim të votojë apo të ndërmarrë veprime për ndryshime politike – por megjithatë ky individ nuk mund ta ruajë autonominë e tij/saj të ambientit socio-politik sepse do të funksionojë brenda politikave të vendit, që nuk i ka zgjedhur.

Do të thotë që sistemet, qëkur kanë bërë jehonë në fise, grupe dhe sub-grupe, e kanë ngërthyer pushtetin e tyre social duke i bërë aktorë të një drame të shkruar bashkërisht sipas veprimit dhe mosveprimit të individëve. Në një përsiatje të mëhershme, në trajtimin e Interpretimit të sistemeve sipas psikologjisë politike kemi të bëjmë me individë të cilët motivohen të ndërmarrin veprime drejt politikëbërjes duke qenë të shtyrë nga faktorë të ndryshëm.

Në ndërmarrjen për të gjetur një krahasim që përbën një kuptim logjik mes kërkimit të individëve për pushtet, një artikull tejet interesant për temën ka qenë i bujshëm në vitin 2004, kur Macoby e bën një krahasim mes individit me tendencë narcizoide produktive dhe individit me tendencë destruktive, duke aluduar në faktin se personat që kërkojnë lidership dhe prijshmëri kanë në vetvete një besim që i zotërojnë kapacitetet intelektuale dhe emocionale të përballen me kërkesat e grupeve dhe madje të një populli.

Në një shembull të tij thotë: “Liderët si Jack Welsh dhe George Soros janë shembuj të narcizëve produktivë. Ata janë të talentuar dhe strategë kreativë, të cilët e shohin pikturën e madhe dhe gjejnë kuptim në sfidat e rrezikshme të ndryshimit të botës dhe lënies prapa të një trashëgimie. Një arsye që ne presim prej narcizëve produktivë në kohë tranzicionale është se ata e kanë guximin të shtyjnë përpara proceset e transformimit masiv, të cilët në kushte normale shoqëritë i kalojnë përmes një procesi gradual. Narcizët produktivë nuk janë vetëm ndërmarrës të rrezikut të gatshëm të kryejnë punën, por janë dhe figura karizmatike të cilët ushtrojnë ndikim mbi masën dhe i “konvertojnë” qëndrimet e tyre përmes retorikës. Rreziku qëndron në faktin se ky tip i narcizmit mund të kalojë në destruktiv atëherë kur personit i mundon dija, ka pak vetëreflektim dhe ushtron pak vetëpërmbajte; atëherë bëhen ëndërrues joracionalë. Këtu fillon ideja e ushqyerjes së skemave madhore iluzive kur beson që rrethanat specifike dhe armiqtë po ia pengojnë suksesin. Tendenca për grandiozitet dhe mosbesim bëhet për ‘ta thembra e Akilit.”

Në sensin e psikologjisë klinike narcizmi ka gjetur dhe një term mbështetës pozitiv, i emëruar “narcizmi i shëndoshë”, që i referohet një sensi pozitiv të vetes, që është i lidhur me idenë e harmonizimit me të mirën e përbashkët (1970). Madje, në një artikull tjetër të ngjashëm mbi tentimin për të analizuar profilet dhe sjelljen e liderëve politikë, gjatë udhëheqjes së Barack Obama’s në ShBA, dallimi mes tij dhe shembujve të tjerë të historisë moderne të Amerikës ishte në atë që u cilësua si “narcisizmi konstrukitv”, që nënkuptonte arritjen e përmbushjes vetjake dhe pëlqimit të vetes pas një kontributi kolektiv, në kundërshtim me “narcizmin destruktiv”, kur një lider arrin ndjesinë e përmbushjes vetjake dhe vetëpëlqimit apriori pa qenë patjetër në ekuacion dhënia e kontributit ose realizimit të objektivave të popullit.

Ky shembull ndoshta më së miri ilustrohet nga personazhet e mbretërve në kohën e monarkive, kur brohoritja e turmës ka ngjallur sentimete të caktuara te perandori apo mbreti, por masa ka qenë e lumtur nga “ndihma” që i është dhënë (p.sh., ulja e taksave për produktet e detit që hynin në një shtet) apo nga droja se po të mos brohorisnin do të identifikoheshin si ‘antikushtetues’, e disa motive të tjera të mundshme.

Megjithatë, antikiteti po ashtu ka njohur sisteme të jashtëzakonshme politike dhe shtetorganizime impresive të cilat e kundërshtojnë idenë e ‘primitivizmit’ por shtojnë peshë në nivelin e përjetimeve edhe në ditët tona – se a kanë gjetur ata formulën e një jetese kolektive të përshtatshme? Dhe cili është ideali social apo shoqëror i tyre (sipas Aristotelit, Platonit etj.).

Shembull nga një situatë interesante e antikitetit është edhe gjurma e pergamenës së parë së të drejtave të njeriut, e regjistruar nga historia të bazë të artefaktit të saj të gjetur, të njohur si Cilindri i Kirit, nga Babilonia e lashtë, e dhënë nga “Cyrus the Great”, që si duket ka arritur të administrojë disa regjione të cilat sot janë shtete të lindjes dhe i janë përgjigjur thirrjes së mbretit për bashkim trupash ushtarakë në kohë luftërash, por në kohë paqeje kanë gëzuar të drejtën për ruajtjen e kulturës dhe religjionit të tyre si dhe gratë dhe burrat kanë pasur zotërime personale të lejueshme me ligjet e trashëgimisë për kohën. Ky udhëheqës mund të supozojmë deri diku që ka qenë i dashur për vartësit e tij sepse ka harmonizuar nevojat e masës. Më tutje, në shek. XX, lloji njerëzor ka pasur sfidën e regjimeve totalitare dhe komuniste, por a ishin këto një tentim implementimi i Manifestit të Komunizmit nga Karls dhe Engels, apo një riinterpretim me terma personalë të kësaj doktrine politike…

Kthehemi pak nga sistemi te fuqia e individualitetit. Karls dhe Engels patën sjellë një ide të re për organizmin shtetëror dhe le të themi një ideal të ri – një kombinim përvojash, njohurish dhe aspiratash të tyre.  Ngjashëm ka pasur individë në historinë njerëzore të cilët disi ia kanë dalë të distancohen nga kushtet e jetesës së tyre politike, pra sistemeve, dhe kanë krijuar ide të reja të “së drejtës” dhe të së “dobishmes kolektive”. Por, çka përfaqëson individi i tillë në çfarëdo sistemi? Si quhen ata njerëz të cilët i tejkalojnë sistemet aktuale në tentimin për të krijuar një sistem të ri më të përshtatshëm? Çfarë faktorë personalë ndikojnë në distancimin nga sistemi dhe si kuptohet kjo nga të tjerët të cilët janë besnikë apo indiferentë ndaj sistemit në të cilin jetojnë.

Gjetja më madhështore për të diktuar konceptin e krijimit të diçkaje që e determinon sjelljen e individit në sisteme politike më ka rënë në sy nga Simone de Bouvouir, ku sistemin e bën përgjegjës për krijimin e vlerave. Këto vlera bëhen busulla orientuese të sjelljes së njerëzve në atë sistem. Nëse për shembull në kohën e sistemit hitlerian situata është tepër rigide, ka ndodhur një kthesë në perceptimin e vlerave kur të bësh një persekutim apo vrasje të caktuar është konsideruar arritje, mburrje për përmbushje të misionit. Ose në jetën e kohës së sotme ku ndoshta sipas hulumtimeve të fundit në këtë aspekt Finlanda konsiderohet si një prej vendeve më të favorshme për jetesë, vlerat e këtij vendi – se çka pranohet si sjellje dhe konsiderohet e dëshirohet e favorshme dhe e çmuar – mund të dallojnë në disa aspekte ndoshta edhe thelbësore prej vendit tonë, Kosovës.

Po në vendin tonë aktualisht çfarë sistemi vlerash dominon dhe si janë krijuar ato vlera? Kosova megjithatë mund të jetë një koktej ndikimesh por s’mund ta mohojmë dhe ndikimin e sistemeve politike të këtyre 23 vjetëve të pasluftës, kur le të themi sistemi na ka shpërblyer dhe mësuar se shkolla nuk kryen punë mjaftueshëm, e prandaj duhet të jesh i/e gjindshëm/me. Të jesh i/e gjindshëm/me, çfarë nënkupton atëherë?

Në esencë, aludimi është që sistemet politike moderne janë një formë e riedukimit, prezantimit apo imponimit të vlerave të caktuara, të cilat në fund i shërbejnë vetë sistemit dhe jo popullit. Dallimi ndoshta nga kohët e shek. XX është se ky imponim më nuk mund të jetë direkt, por bëhet në mënyra më subtile, duke prezantuar mundësi dhe kushte të cilat në dukje janë të favorshme por në të vërtetë më tepër kontribuojnë në zbehjen e individualitetit dhe fuqisë personale të veprimit, një shtrembërim i dhënë i mënyrës së të menduarit dhe sjelljes.

Në këtë mënyrë, nga ajo që u tha më lart, ndodh një “transformim masiv”, por dhe një linjë direkte e ndikimit të psikologjisë së politikës në shëndetin mendor të individit. Shembujt këtu janë të pafundmë pothuajse, por që ndoshta për një lexues që jeton në këtë realitet politik në 23 vjetët e fundit do të ishin një ngarkesë emocionale të rikujtoheshin në këtë moment radhazi.

Prandaj, duke u mbështetur gjithmonë në mundësinë e revanshit intelektual që individi mund t’ia bëjë një sistemi jofavorizues, mjeti më efikas është të kuptohet ndoshta fakti që “ata që nuk lëvizin nuk i shohin zinxhirët e tyre”. Ata që kanë zotëruar artet e njohjes duhet të bashkohen në qëndrimet e përcaktimit të realitetit politik kurdo që jetojnë apo do të jetojnë, sepse paradoksi i qenies njerëzore me gjithë shembujt e sistemeve nëpër histori është që mund të arrijë të tejkalojë psikologjinë e masës dhe të kthehet në strehën e qëndrimeve të tija personale rreth botës dhe asaj që e mendon si sjelljen e duhur me bazën e zgjedhjes së saj/tij.

Ky mund të jetë fillimi i ekzaminimit të fakteve në vjeshtën e një viti të brishtë, siç ka thënë Kadareja.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.