Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Sa kohë merr zhvillimi ekonomik?

Për politikanët ekzistenca e të cilëve nuk sjell asnjë fije përmirësim në jetën ekonomike të qytetarëve, shfajësimi i vetvetes dhe arsyetimi i dështimeve bëhet hobi i pasdites. E gjithë energjia përqendrohet në prodhimin e çdo arsyetimi të mundshëm nën rrezet e diellit të denjë për fantashkencën më bizarre.

Një herë, një politikan amerikan gjatë kandidaturës për senat ishte vënë në presion nga mediet për pohimin e tij që ka shërbyer në Luftën e Vietnamit, kur në fakt kishte qenë rezervist i stacionuar në Karolinën e Jugut. Arsyetimi i tij? “Kam thënë që kam shërbyer gjatë Luftës së Vietnamit, jo në të”… E di, këto i ngatërrojmë përherë!

Fatmirësisht, në shumicën e rasteve njerëzit shohin përtej këtyre gjepurave. Megjithatë, ekziston një lloj i arsyetimit i cili është shumë i besueshëm në rrethana të caktuara. Ai arsyetim është: “na duhet më shumë kohë”.

Në vendet të cilat kalojnë nëpër ndryshime të mëdha sociale, politike dhe ekonomike, si për shembull vendet e dalura nga lufta, koha është një resurs në mungesë. Kur në një vend përfundon lufta, duhet kohë që ai të rindërtohet. Kur rrënohet një sistem politik si socializmi, duhet kohë që pasojat e tij të zhduken. Kur ai zëvendësohet me një tjetër, duhet kohë që ndryshimet të paraqiten dhe të vërehen.

Meqë nevoja për kalimin e një kohe të caktuar është e arsyeshme, përdorimi i kohës si justifikim për dështimet bëhet më i pranueshëm nga publiku. Në Kosovë janë të panumërta rastet e politikanëve të pasluftës, të cilët i kanë arsyetuar dështimet në fushën e zhvillimit ekonomik me nevojën për më shumë kohë. Dhe pothuajse të gjithë votuesit u kanë besuar.

Por sado që koha është pengesë e pashmangshme për progres, ajo megjithatë e ka një kufi. Pritja për zhvillim ekonomik nuk mund të zgjasë pafundësisht dhe duhet të ndodhë pas një periudhe të caktuar.

Një mënyrë për të përcaktuar sa kohë merr zhvillimi ekonomik është duke bërë krahasime me vendet tjera. Pa paragjykuar që çdo rast është i krahasueshëm, unë jam munduar që me një studim të shkurtër të krahasoj sa kohë i ka marrë zhvillimi ekonomik vendeve, të cilat kanë kaluar nëpër ndryshime sociale, politike dhe ekonomike të ngjashme si ato të Kosovës.

Për këtë shembujt janë të shumëfishtë. Nisemi nga mrekullia ekonomike gjermane. Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore ishte dukshëm më e shkatërruar se Kosova në vitin 1999, por asaj iu deshën vetëm 7 vite kohë për të tejkaluar nivelin e zhvillimit ekonomik të Kosovës sot. Bruto Prodhimi Vendor (BPV) i Kosovës për kokë banori është $4,472, më i vogël se i Gjermanisë në vitin 1952. Natyrisht, BPV për kokë banori nuk është fillimi dhe fundi i matjes së zhvillimit ekonomik, por është masa më e rëndësishme. 18 vite pas luftës Gjermania kishte ndër ekonomitë më të zhvilluara në botë me papunësi 0.7% (!), kurse Kosova mbetet e fundit në Evropë me papunësi mbi 30%.

E rëndësishme nuk është vetëm koha që merr zhvillimi ekonomik por edhe koha që i duhet të nisë ky zhvillim. Japonia është shembull i një vendi të cilit i janë dashur 27.5 vite nga mbarimi i luftës për të arritur nivelin e Kosovës, por e cila ka filluar të zhvillohet hovshëm qysh në fillim. Ajo u zhvillua me rritje vjetore rreth 10% (BPV për kokë banori) në krahasim me 5.9% që ishte rekordi i Kosovës në vitin 2003. Japonisë iu desh më shumë kohë sepse ishte më e shkatërruar, por trendi i rritjes së shpejtë tregon që, duke marrë parasysh prapambetjen, rimëkëmbja e saj është shumë më mbresëlënëse.

I njëjti tregues vlen edhe për Korenë e Jugut, e cila me mbarimin e luftës në vitin 1953 ishte më pak e zhvilluar se vendet afrikane por që në më pak se dy dekada u rrit dukshëm me rreth 8% për vit.

Rast tjetër interesant është krahasimi i Kosovës me Ruandën. Pasi përfundoi lufta civile në vitin 1994, ajo ende nuk e ka arritur nivelin e zhvillimit ekonomik të Kosovës, por po hedh hapa më të mëdhenj drejt përmirësimit. Rritja e saj ekonomike në vitet 2004-2015 ka qenë 8-11% për vit, kurse ajo e BPV për kokë banori 5-8% për vit. Papunësia e saj mesatare gjatë periudhës 2001-2016 ka qenë vetëm 4.7%.

Zhvillimi ekonomik merr kohë, por jo përjetësisht. Çdo ditë e vonuar është një ditë e humbur në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve. Dhe ta kemi të qartë këtë: përgjegjësia është e politikanëve të dështuar.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.