Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Shfaqen qëndrimet e Kryeministrit të ri në Mynih

Fjalimi i Albin Kurtit në Mynih mori hov, dhe gjithsesi pamë një paraqitje ndryshe të një udhëheqësi të Kosovës. Shumë nga ajo që u tha do të duhej të institucionalizohej në të gjitha degët e shtetit për politikën e jashtme, sidomos në ndërlidhje me Europën dhe SHBA-t.

Qëndrimet e Kryeministrit Kurti në tryezën për Ballkanin shfaqën vetëbesim dhe qartësi. Kosova u paraqit si pjesë e komunitetit europian dhe si vend që do mbështetje për vizionin e saj të ri për vende të reja të punës dhe për drejtësi. Kurti e prezantoi Kosovën si shtet të barabartë dhe proaktiv, që ka ide dhe bën propozime konkrete për të ardhmen e saj dhe të rajonit. Pjesëmarrësit, udhëheqës të mbarë Europës, ishin sy e veshë, të vëmendshëm për të përcjellë atë që po thuhej për Kosovën nga Kryeministri i ri.

Kosova shtet, me vëmendjen e Europës

Duke folur si një përfaqësues i Kosovës sovrane të barabartë me shtetet e tjera të pranishme aty, Kurti kërkoi këshilla dhe ndihmë në: luftimin e krimit dhe korrupsionit; zhvillimin ekonomik, si në mbylljen e hendeqeve të aftësive profesionale dhe në lidhjen e arsimimit me nevojat e tregut të punës.

Tregoi për, siç tha ai, rreziqet e mungesës së perspektivës europiane: një puç i dështuar në Maqedoni, një tjetër në Mal të Zi, dhe ideja për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Rekomandoi që i gjithë Ballkani, gjashtë vendet kandidatë për integrim, të futen përnjëherë në Bashkimin Europian. Futja e njërit shtet dhe jo tjetrit krijon probleme për shtetet individuale dhe për intregrimin europian në përgjithësi.

Përtej paraqitjes së Kurtit, le të përqendrohemi në tri çështjet që ai promovoi dhe që—kjo me gjasë tregon që ishin në interes të Kosovës—mund të kenë hidhëruar Presidentin serb Vuçiq.

Integrim të përbashkët europian

Kërkesa për integrim të shteteve të Ballkanit Perëndimor në të njëjtën kohë nuk është as provokuese, e as e pamundur. Të gjitha vendet individualisht dëshirojnë të hyjnë në BE sa më shpejt. Situata e tashme, ku dera i hapet njërit e jo tjetrit, apo hapja e derës për njërin është e lidhur ngushtë vetëm me një tjetër, shkakton kundërshtime në sajë të pabarazisë, fton ndikime të huaja, sidomos ruse, në vende të caktuara, dhe çorienton perspektivën e përbashkët për integrim.

Nëse marrim rastin e Kosovës, ne po i shohim efektet e njëanshme të ngadalësimit të integrimit, dhe mungesës së liberalizimit të vizave. Kosova është në një pikë më të vështirë në konsolidimin e demokracisë dhe të zhvillimit ekonomik. Po ka ikje të madhe të popullit të saj në vendet europiane, shpeshherë në forma jolegale. BE-ja po “getoizon” një vend me më pakë se dy milionë banorë (afërsisht sa ka qyteti i Hamburgut të Gjermanisë) nga një entitet me 500+ milionë banorë.

Në thelb, problemi i integrimit është politik edhe pse përdoren parametra të ndryshëm të progresit. Si i tillë, duhet të trajtohet me vendime politike prej të cilave më e mira është futja e të gjithëve njëkohësisht. Në këtë kontekst, secili vend bashkë, dhe BE-ja në tërësi, do të mund të vendoste rregulla apo kushte të përbashkëta që duhet të përmbushen për ta realizuar këtë integrim sa më shpejt.

Jo dialog me harta, e jo marrëveshja pa dialog

Qëndrimi “jo dialog me harta”, duke iu referuar dialogut Kosovë-Serbi, duhet të adaptohet nga të gjitha degët e Shtetit të Kosovës. Ideja e shkëmbimit të territorit, tashmë thuajse e vdekur, sjell më shumë probleme seç zgjidhë. Përmes procesit zgjedhor demokratik në Kosovë populli legjitimoi një qeverisje, e cila është kundër prekjes së kufijve.

Përtej kësaj, Kosova dhe Serbia duhet të jenë të hapura dhe kreative për të gjetur zgjidhje në dialog. Këto duhet të mos prekin pavarësinë, integritetin territorial, dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës apo të Serbisë. Duhet të afirmojnë Kosovën më tepër në arenën ndërkombëtare, pa minuar atë që është arritur me mend, me gjak, e me mund prej vitit ’99 e këndej.

Çka është e rëndësishme pikësëpari është që Kosova të këtë dialog të brendshëm politik para se, ose ndërsa të dialogojë e të bëjë marrëveshje me Serbinë. Atë që nuk e pamë në Mynih e tanimë duhet ta shohim është një politikë e jashtme e përbashkët nga udhëheqësit e Kosovës.

Qeveria, Presidenca dhe Kuvendi i Kosovës duhet të koordinojnë ngushtë marrëdhëniet e jashtme të Kosovës. Ta kenë një zë në Mynih, Bruksel, Londër, dhe Uashington. Kudo, e nga kushdo që udhëheq Kosovën, zotimet, kërkesat dhe qasja strategjike do të duhet të jetë e ngjashme nëse jo krejtësisht e njëjtë. SHBA-t dhe BE-ja mbase po duan që Kosova të ecë shpejt; kjo kërkon bashkërendim të menjëhershëm.

Plani marshall europian

Plani i promovuar i ish Sekretarit të Shtetit amerikan George Marshall ishte votuar nga Kongresi amerikan në vitin 1948. Ishte në fakt modest në aspektin ekonomik (ekuivalent me rreth 135 miliardë dollarë të sotit, dhe më pak p.sh. se shpenzimet amerikane për rindërtimin e Afganistanit dhe Irakut.) Por, kishte më shumë vlera në spektrin politik-diplomatik. Zotimi amerikan që plani tregoi ishte një promovim aktiv i luftës kundër komunizmit. Mbështeti hapjen dhe ndërlidhjen ekonomike brendaeuropiane që shërbeu si fillimi i atij që sot njohim si Bashkimi Europian.

Në këtë kontekst, kërkesa për një Plan të Marshallit Europian në Ballkanin Perëndimor ka përkrahje historike dhe mund të ndërlidhet mirë me kërkesën për t’i integruar të gjitha shtetet në të njëjtën kohë. Në vend të luftës kundër komunizmit, tani ky plan do të mund të përqendrohej në promovimin e demokracisë, sundimin e ligjit, dhe zhvillimin ekonomik.

Dialogu Kosovë-Serbi mund të sjellë progres vetëm nëse përqendrohet në të ardhmen e jo në politikat territoriale të shekullit XIX. Ngjashëm me Kosovën dhe Serbinë, i gjithë rajoni ka nevojë për një paketë ndihmë nga perëndimi në mënyrë që të gjithë përfundimisht të “perëndimizohen”. Këtë po e kërkojnë me ngulm popujt e Ballkanit; qasja progresive e udhëheqësve të rajonit dhe mbështetja e BE-së mund ta realizojë atë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.