Unë jam shqiptar e kosovar. Dhe kjo dikujt mund t’i tingëllojë si krizë identiteti, për të cilën tanimë është bërë trend të shkruhet. Ani pse kriza nuk është në fakt temë debati, klithmat populliste dhe pseudoanaliza akademike që po vërshon në sferën publike po bëhet vet tregues i krizës. Dhe në këtë trend, s’ka lidhje nëse i kupton nocionet e konceptet si identiteti, kombi, shteti, etnia, etj., me rëndësi është që të shkruash diçka dhe të botosh. Fundja, një emocion tifozërie futbolli. Dhe mirë bëhet që shkruhet. Edhe ata për të cilët unë mendoj se kanë qasje krejtësisht të gabuar në këtë debat, bëjnë shumë mirë që shkruajnë. Kësisoj, pra vetëm përmes fjalës së shkruar, mund ta shohim nivelin e mendimit, mbështetjen e tij në debate a koncepte intelektualësh e akademikësh, vetëm kështu mund të krahasojmë dhe të krijojmë kuptime, kuptime që mbase do të na hynë në punë, kurdoqoftë.
Një gjë në këtë trend, megjithatë, nuk është fare e mirë, dhe kjo është tendenca për ta shndërruar debatin për krizën identitare në një duel, deri në vdekje, mes shqiptarit e kosovarit (p.sh. brenda meje). Pra, edhe në mesin e atyre që i njohim si intelektualë e njerëz të penës, po e vërej tendencën e kornizimit të debatit mes të qenit shqiptar dhe kosovar, sikur këto dy terme a koncepte identifikuese, na qenkan në kundërshtim njëri me tjetrin, dhe, pa pikë modestie, sikur u paska mbetur atyre që t’i fusin në duel. Tutje, në këtë duel, gjithsesi se shqiptari do ngadhënjejë ndaj kosovarit, meqë shqiptari është koncepti i njëmendtë ndërsa kosovari i huaj, dhe, sidomos meqë, kosovari i huaj forcohet në diskurs të jetë vetë antishqiptari. Në diskursin e tyre kosovari dhe shqiptari dalin skaje të ndryshme të një boshti, apo, dalin të jenë sikur materia dhe antimateria, pra, që kur preken, e asgjësojnë njëra tjetrën. E kjo miq, është vetë çmendia (jo domosdoshmërisht çmenduria).
Kur këtë polarizim të sajuar e artikulon dikush si Andi Bushati në Tiranë apo Halil Matoshi në Prishtinë, nuk brengosem shumë. I pari nuk është gjë tjetër pos një oportunist i agjendës publike andaj kur futkotizmi i tij arrin në shkallën për ta quajtur Milot Rashicën tradhtar nuk brengosem më. Vetëm buzëqeshi. Injoranca e Bushatit në kombinim me një emocion të paidentifikueshëm të tij nuk është e rrezikshme. Është veç qesharake. I dyti është, megjithatë, një debatues i mirë dhe i flaktë dhe do të ishte i shkëlqyeshëm nëse peshën e argumentin do ta mbante në nivel neutral të komentit. Por, kur i futet shkencës sociale, Matoshi bën gafe amatoreske, meqë shumë shpesh në një fjali të vetme kombinon teori autorësh që i takojnë kuadranteve të kundërta epistemologjike, e madje edhe ontologjike. Kësisoj, “aktivizmi” i tij del disi i thatë. “Analiza” e Bushatit i ngjan një çirrjeje kakofonike kurse ajo e Matoshit një kompoti frutash nga mali dhe deti, të cilat ani pse i quajmë njëjtë – fruta — s’kanë asgjë të bëjnë njëra me tjetrën. Për këtë arsye, por edhe për tjera që do i përmend një herë tjetër, nuk e kam parë të rrugës t’u përgjigjem as njërit as tjetrit.
Këtë përgjigje, megjithatë, më shtyri ta bëjë miku im Jusuf Thaçi, me të cilin kam pasur kënaqësinë të punojmë së bashku dhe mendimin e të cilit e çmoj, përkundër faktit që rrallë pajtohem me të. Debati me Cufën është gjithmonë i hareshëm, meqë deri së voni kemi lexuar thuajse të njëjtat gjëra, të cilat i interpretojmë ndryshe. Unë jam ateist, ai është besimtar. Unë jam pak më i djathtë, ai pak më i majtë. Unë jam postmodernist dhe preferoj qasje cilësore në hulumtim e analizë, ndërsa ai, me aq sa më kujtohet, është më pozitivist dhe më sasior, ani pse kjo asnjëherë nuk e ka limituar në të konceptuarit e metafizikës, prandaj edhe kemi debatuar. Dhe pikërisht për këto arsye dhe për respektin që kam për të, nuk mund ta lë pa e komentuar shkrimin e tij të fundit në Gazetën Express, apo, thënë ndryshe, nuk mund ta lë pa e çmontuar, si është më së keqi, thirrjen e tij për të zgjedhur mes shqiptarit dhe kosovarit, apo, siç e thotë ai brutalisht, mes Skënderbeut dhe Ahtisaarit.
Unë jam shqiptar. Por jam dhe kosovar. Apo, siç do thoshte Mitrush Kuteli, jam shqiptar e kosovar. Identiteti kosovar mund të mos jetë identitet kombëtar. Dhe, në mënyrën se si unë e përceptoj kombin, edhe nuk është. Fundja, gjithë ne kemi qenë pjesë e formimit të një kombi, pra kombit shqiptar. Së këtejmi, identitetin kombëtar, e kemi të krijuar. Jemi komb dhe jemi një. Jemi më shumë se një popull. Pra, nuk jemi një komb veç pse e kemi një gjuhë e kulturë të përbashkët. Kjo kategori është etnia. Jemi komb, sepse kemi identitet politik. Pra, kemi vetëdije politike, e cila është kolektive. Dhe në këtë vetëdije, qe prej Rilindjes e këndej, kemi vizion, kemi interesa, të përbashkëta, që na bëjnë një. Ky është kombi pra, të paktën në kuptimin modern të tij. Dhe kombi im është kombi shqiptar.
Dikush mund të pyes se çfarë qenka tash identiteti kosovar, që është pyetje me vend. Përgjigja në të nuk është një e vetme, pra ka plot sosh, varësisht nga pikëvështrimi. Kur shikohet përmes treguesve të dy shekujve të kaluar kur edhe u formuan shumica e kombeve, identiteti kosovar brenda atij shqiptar na del të jetë identitet rajonal, siç argumenton, mes tjerash, edhe Mehmet Kraja. Dhe Kraja nuk e ka hiç keq, në fakt analiza e tij është në nivel të duhur akademik. Por kjo është një qasje e të analizuarit kontekstin kosovar, të cilës aktualiteti dhe gjithëpërfshirja i kontestohet nga qasjet tjera. Gabimi i qasjes tjetër, asaj të “baballarëve” të kombit kosovar, është thjesht leximi i ngushtë i teorive të kombeve, sidomos Eric Hobsbawm dhe Benedict Anderson. Aq qesharak dalin disa prej tyre, sa që thirrjet e tyre për krijim të një kombi të ri, pra ndryshim identiteti brenda natës, tingëllojnë diçka në stilin “veproni kështu o popull se kështu thotë teoria”. Ky është një nga bastardizimet më të mëdha që mund t’i bëhet fjalës shkencore. Me fjalë tjera, duke thjeshtësuar për hir të argumentit, çka i ka bërë kombet dikur, nuk i bën ato më sot, meqë, pos tjerash, çka kombet ishin dikur nuk janë më sot. Dhe identiteti kosovar, ani pse është rajonal, ani pse është pjesë e identitetit kombëtar shqiptar, përmes funksionalizimit të shtetit të Kosovës, edhe mund t’i kaloj këto premisa. Nuk them se bëhet identitet kombëtar, të paktën jo në kuptimin tonë të kombeve, sepse atë proces, pra kombformimin, e kemi përfunduar me formimin e identitetit kombëtar shqiptar. Por në një kuptim tjetër, për të marrë një shembull më ekstrem në kuptimin amerikan, kombi është thuajse i njëjtë me shtetin. Së këtejmi, në sytë e të tjerëve mund të jemi komb tjetër nga ai shqiptar, ani pse nuk do ndjehemi ashtu. Por kjo nuk më bën mua më pak shqiptar dhe kjo është e vetmja gjë që ka rëndësi.
Identiteti rajonal i Kosovës ka evoluar pa dashjen tonë. Pra, ne kemi qenë pjesë e një sistemi tjetër politik nga Shqipëria dhe së këtejmi kemi evoluar ndryshe nga ta. Por përkundër kësaj, përkundër ndarjes dhe moskomunikimit të gjatë, përkundër zhvillimit në kahje të kundërta, koncepti i njësisë së kombit triumfoi. Dhe janë pikërsisht këto dallime, këto ndasi, këto pika të ndryshme, të Mitrush Kuteli i prekë me shkëlqesi në Poem Kosovar. Për Kutelin, kosovarët u dëbuan dhe u vranë se ishin kosovarë: “Të vritet! Se ish kosovar. Dhe se ish zot mbi këtë dhe”. Kosovarët për të janë shqiptarë, por, po të ishin vetëm shqiptarë, pra jo edhe kosovarë, nuk do vriteshin, sepse ishte Kosova si rajon që kishte mbetur nën pushtim të huaj. Kësisoj, identiteti i Kosovës te Kuteli është rajonal, por kjo nuk e ndalë atë së quajturi kosovarin komb në vete, të njëjtë me shqiptarin në thelb, por të dallueshëm në nuancë: “Komb i lirë kosovar, ti komb shqiptar…”. Pra, historia e pafavorshme për popullin shqiptar mund ta ketë formësuar ndryshe shqiptarin e Kosovës nga atë të Shqipërisë, duke krijuar kështu identitete gjeografike, të dallueshme nga njëra tjetrën, por që asnjëherë këto dallime nuk kanë përbërë kërcënim për identitetin kombëtar shqiptar. Siç e thoshte Arbën Xhaferi, shqiptarët janë dhe vazhdojnë të jenë shqiptarë, kudo që janë. Dhe rrjedhimisht, janë dy gjëra që duhet veçuar: 1) se shqiptari dhe kosovari janë një, se shqiptarja si vlerë është prodhuar, bartur dhe riprodhuar nga shqiptarët në Kosovë njëjtë sikurse edhe ata në Shqipëri e gjetiu, dhe 2) se pavarësisht se si zhvillohet tutje identiteti kosovar, ai nuk mund të jetë i kundërt me atë shqiptar, edhe nëse eventualisht bëhet i ndryshëm nga ai. Nuk ka argument më të mirë sesa vet ngadhënjimi i identitetit kombëtar shqiptar të kosovarëve përgjatë historisë. Dhe nëse nuk qenkemi bërë jo-shqiptarë përgjatë okupimeve, nën regjime shtypëse, si ka mundësi të frikësohemi nga ndryshimi tash, kur jemi të lirë, si mund të bëhemi antishqiptarë ne kosovarët tash kur jemi duke e parë dritën tonë historike? Andaj edhe më duhet t’i them troç Jusuf Thaçit se shkrimi i tij i fundit në Express është fund e krye kot, një mendim i papërfunduar mbase dhe një thirrje banale.
Përdorimi i Skënderbeut në shkrimin e Thaçit flirton pakëndshëm me simbolikën duke e tejkaluar atë në argument. Si një studiues, ai e din mirë natyrën e “shpikur” të mitit të Skënderbeut në kohën e Rilindjes si pjesë të projektit për formimin e kombit shqiptar. Megjithatë, ai e përdorë Skënderbeun në mënyrë absolute si përfaqësues të shqiptares, duke notuar kështu nëpër cektësinë e narracionit të historisë së vetëshkruar, dhe, duke e riprodhuar kështu një diskurs kinse-nacionalist që kurrë s’del përtej maketës së simbolikës. Kundrejt ti, si një antiSkënderbe, Thaçi e vendosë Marti Ahtisaarin, i cili prej emrit, te identiteti, puna dhe idetë që përfaqëson, është krejtësisht i huaj dhe shumë lehtë perceptohet nga masa si i një antiSkënderbe pra si anti-shqiptar. Në anën tjetër, diskursi i Thaçit tejthjeshtësohet në ekstrem, duke u bërë një me të konceptuarit të kombit shqiptar si një superkomb historik, që rrjedhë nga një lidhje e drejtpërdrejt gjaku, të papërmirësueshëm, të pamodifikueshëm, nga ilirët, pellazgët, e dikush tjetër para tyre. Këtë kuptimi për kombin, që bëhet thuajse hyjnor, nuk e kemi veç ne, e kanë edhe serbët, kroatët dhe gjithë ballkanasit. (Serbët e kanë më të theksuar dhe shihni se ku e sollën veten duke menduar se janë komb hyjnor.) Por kombi shqiptar nuk është hyjnor. Asnjë komb nuk është. “Hyjnizimi” këtu përdoret jo për të glorifikuar kombin, sa hyn në punë që përmet tij të kontrabandohet gjithë Kosova, shqiptarët e Kosovës, ne që e duam shtetin, përbrenda konceptit të Ahtisaarit si antiSkënderbe. Kësisoj, dhe vetëm kësisoj, kosovari dhe shqiptari mund të dalin të kundërt me njëri tjetrin. Pra, “hyjnizimi” nuk është gjë tjetër pos strategji diskursive për të krijuar një armik virtual.
Ajo që mohohet përmes kësaj sajese është rrjedhshmëria e evolucionit të shoqërive, pra vet fakti që është populli ai që e krijoi kombin shqiptar si projekt të tij politik, dhe nuk është kombi ai që e krijoi popullin. Këtë krijesë tonën politike, pra kombin si ide politike, vazhdojmë ta zhvillojmë të gjithë, ani pse që kur u shua Arbën Xhaferi kemi shumë pak pishtarë për t’na e ndriçuar rrugën. Dhe e kemi krijuar në vazhdimësi. Kosova, pra vazhdon ta krijoj kombin shqiptar. Unë, p.sh., shkruaj, dhe vet ky shkrim imi është një pikë në oqeanin e kombit shqiptar si ide politike. Ne shqiptarët e Kosovës, ne kosovarët, nuk e kemi përfunduar kontributin tonë në formësimin e mëtejmë të kombit shqiptar me Isa Boletinin me bashkëluftëtarë, por as me Lorik Canën me shokë, apo Rona Nishliun e Genc Salihun. Pse, a mos është më pak shqiptare Majlinda Kelmendi sot që garon me flamur të Kosovës sesa dje kur garonte me atë të Shqipërisë? Natyrisht që jo! Edhe po të duam, nuk mundemi, sepse, formësimi i shqiptares, vet shqiptarja brenda nesh, shqiptarëve të Kosovës, është sistemi ynë kolektiv imunitar. Ky sistem imunitar që ka prodhuar vlera dhe ide politike, na ka mbajtur këta që jemi. Përmes këtij sistemi imunitar u kemi bërë ballë të gjitha sfidave të vërteta të shqiptares. Nga ky sistem kanë dalë figura si Ibrahim Rugova e Adem Jashari, vet koncepti i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ne, pra e kemi prodhuar dhe riprodhuar shqiptaren dhe vazhdojmë ta bëjmë, me ose pa dashje a vetëdije.
Duke u bërë thirrje që të zgjedhim mes Ahtisaarit dhe Skënderbeut, Thaçi, njëjtë sikur shumë tjerë në debat, nuk bën gjë tjetër pos që na shtynë të zgjedhim mes të qenit kosovar apo shqiptar. Unë jam të dyja dhe këto dyja s’kanë kurrfarë konflikti me njëra-tjetrën brenda meje. Për një qëndrim të vendosur pa kurrfarë argumenti, veç si thirrje, kjo fjali imja është kundërargumenti më i mirë, të cilin Thaçi e tjerët nuk mund ta mohojnë. Kjo, për arsye se në fund të ditës, identiteti është çështje personale dhe preferenciale. Pra, për vetën time flas veç unë dhe pikë. Rreziku i diskursit të Thaçit qëndron tek fakti se një diskurs i tillë e prezanton Kosovën, lirinë dhe shtetësinë e saj, të dyja këto të arritura përmes procesit politik të Ahtisaarit, si diçka të kundërt me shqiptaren. Dhe këtu është gabimi i shumë mendjeve tek ne, duke nisur nga ato që dikur i kishte edhe Lëvizja Vetëvendosje: që projektin e lirisë së shqiptarëve në Kosovë, projektin e pavarësimit të vendit, po e mohojnë në thelb, duke e braktisur atë nga gjithçka shqiptare, dhe, për më keq, duke e bërë këtë projekt, përmes diskursit, vetë antishqiptaren. Përjashtimi i shqiptarëve të Kosovës nga projekti Ahtisaari ka kuptim veç në këtë mikrokozmosin e pseudonacionalistëve, meqë gjithçka sa i përket Kosovës, ani pse nuk është krejtësisht shqiptare, është parimisht dhe pikë së pari shqiptare.
Po i quaj pseudonacionalistë, term ky nga i cili më duhet ta kursej Jusuf Thaçin, i cili me shkrimin e tij të fundit, befasisht, sikur iu bashkua atyre që e nisën dhe po e propagandojnë këtë diskurs. Janë kinse nacionalistë, meqë e sajojnë një kinse-kërcënim, ndaj të cilit ata dalin se po e mbrojnë kombin. (Sajohen edhe kërcënime tjera virtuale, si p.sh. islami, serbët e Kosovës, apo vet Serbia, por që këto do i trajtoj një herë tjetër). Pra, duke e zhveshur projektin e pavarësimit të Kosovës nga gjithçka shqiptare dhe duke e projektuar në diskurs si antishqiptare, po sajohet përshtypja se vet ekzistenca e Kosovës qenka antishqiptare. Se kosovarët qenkan antishqiptarë, se njerëzit që e duan shtetin dhe punojnë për të mirën e tij, nuk qenkan më patriotë, por ahtisaarianë, pra të kundërt me shqiptaren, rrjedhimisht tradhtarë. Dhe përballë këtij diskursi, ne të gjithë jemi tradhtarë. Të gjithë ne që e duam lirinë individuale. Ne që besojmë në vlera universale të lirisë, ne që e kuptojmë natyrën dhe funksionin e shtetit të cilin e duam, të gjithë ne që e pranojmë Kosovën si të arritur historike të popullit të saj shqiptar, ne qenkemi tradhtarë? Të kujt? Të shqiptares? Ne që e prodhojmë dhe vazhdojmë ta riprodhojmë shqiptaren, sipas tyre, e paskemi tradhtuar shqiptaren. Ky pra është ekuacioni i këtij diskursi. Nuk do shumë mend për ta kuptuar sa i pakuptimtë që është.
Përfundimisht, edhe një herë, më duhet të theksoj sa mirë bëhet që shkruhet. Për të gjitha këto. Sepse kështu edhe mund t’u japim kuptim gjërave. Dhe duhet vazhduar së shkruari, për zhvillimin e mëtejmë të identitetit kosovar, identitetit kombëtar shqiptar dhe sinergjisë që duhet krijuar mes këtyre dyjave. Por këto janë tema tjera, për herën tjetër. Ndërkohë, unë vazhdoj të jem shqiptar e kosovar. Kjo, për mua, ka më shumë kuptim.