Media nuk është mikja më e mirë e gruas në Kosovë. Rrallëherë shohim raportime të arritjeve të grave, aq më pak artikuj që adresojnë ndonjë problem me bazë gjinore. Tregimet për gratë, në të shumtën e rasteve, zënë hapësirë në rubrikën rozë apo kronikën e zezë. Mbase njëra nga arsyet për këtë, është reflektimi i realitetit patriarkal në vend. Por, marëdhënia e medias me shoqërinë është më komplekse sesa vetëm raportim realiteti. Mediat formësojnë besimet e qytetarëve. Ato e kanë fuqinë ta fokusojnë interesimin publik në tema apo subjekte të caktuara. Dhe cfarë ndodhë me qasjen e medias ndaj grave? Dy shembuj nga java e kaluar na dëshmojnë që për shkak të mungesës së sensitivitetit ndaj perspektivës gjinore, kanalet informative mund të deformojnë lajmet, të ndikojnë publikun, dhe të krijohet fushatë dënimi ndaj subjekteve. Një nga shkaqet thelbësore për këtë, është shpërfillja ndaj përdorimit të termeve adekuate dhe përgjithësisht mungesa e raportimit të drejtë. Sharlatanizëm i shkallës më të lartë.
Keqpërdorim Seksual i të Miturës. Titull artikulli i kësaj jave. Nuk kërkohen njohuri të thella të gjuhës për ta kuptuar që diçka nuk shkon me këtë titull. A nënkupton kjo që në rastin e kundërt – përdorimi seksual i të miturës – do t’ishte sipas rendit të gjërave? Çfarë në fakt ka ndodhur është sulm seksual ndaj një të miture. Dhe këto dy fjalë nuk dëftojnë të njëjtin kuptim. Përdorimi ka kuptimin e vënies në veprim të një objekti, mjeti. Subjektet nuk përdoren – as nuk keqpërdoren. Sidomos në këtë rast. Përjashtim bëjnë rastet kur trajtohen si skllevër, të reduktuar në trupa, objekte. Subjektet, ndërkaq, trajtohen mirë apo keq. Në këtë rast, madje, nuk bëhet fjalë as për keqtrajtim, por për sulm. Sepse trajtimi i nënshtrohet një niveli pëlqimi, lejimi. Ndërsa në sulm nuk ka miratim. Ashtu siç, sipas të gjitha gjasave ka ndodhur.
Por pse është kaq e rëndësishme gjuha? Sepse ajo pasqyron kulturën. Pra bart informata për mënyrën se si një shoqëri e sheh botën. Njëjtë si mediat si kanale komunikimi, marëdhënia e gjuhës me shoqërinë nuk është e thjeshtë. Ndikimi është i dyanshëm. Gjuha ka forcë ta ndryshojë apo përforcojë mënyrën se si mendohen gjërat. Gjuha dhe mendimet tona janë pothuajse një. Në kokën tonë ne mendojmë me gjuhë në shumicën e kohës. Dhe gjuha jonë, ashtu si realiteti, është patriarkale. Dhe duke lënë tituj të tillë, ne nuk e sfidojmë patriarkalitetin. E mirëmbajmë atë. Mbase jeni mërzitur nga përdorimi i kësaj fjale, po aq sa jeni lodhur me përdorimin e fjalës feminizëm. Ndoshta kjo tregon për rezistencën tonë ndaj kësaj gjuhe të re që sfidon normat tradicionale të funksionimit të shoqërisë tonë.
Të kthehemi tek gjuha patriarkale dhe realiteti patriarkal. Sepse kjo mund të na ndihmojë të kuptojmë problemin e një ngjarjeje të ndjeshme që ndodhi këtë javë e cila u prit me një reagim të furishëm. Gjithandej në media u tha se vrasja e një të mituri u bë për shkak të një vajze. Dhe kështu gjuetia e shtrigave ndaj vajzës, familjes së saj etj. etj. filloi. Mediat nuk hezituan të orientojnë gjykimet ndaj një vajze të re, e cila ka qëlluar të jetë në mes të dy djemve adoleshentë. Ajo u bë qendra e kritikës ndonëse këmbëzën nuk u tha që e kishte ngrehur, as nuk u aludua që ka nxitur vrasësin, apo bashkëpunuar me të. Edhe nëse dorasi ka mundë ta bëjë një gjë të tillë nga dashuria që ka ndjerë për vajzën në fjalë, këtë nuk e ka bërë për shkak të vajzës per se. Dhe çfarë dashurie se! Si në kohërat e Pushkinit. 1836.
Këtë mund ta kuptojmë edhe nga një postim në Instagram – i cili poashtu u publikua nga mediat – dorasi i thotë vajzës ‘s’ka kerkush qi tmerr pi meje…e di qi smunesh mu bo e tjetrit kur une t’kom bo qikjo qi je”. Çka na tregon gjuha të cilën e përdorë djali dhe çfarë thotë shkenca për këtë? Leksiku i djalit është pasqyrë e arsyes së vërtetë të vrasjes – dominanca. Jo çika. Ai pretendon që çikën e paska ‘bo’ dhe kësisoji ka pushtet mbi ekzistencën e saj. Është mëse e dukshme prania e elementeve të abuzimit e kontrollit dhe e gjithë ngjarja lidhet me atë se kujt i takon ajo. Subjektiviteti dhe liria e vendimeve për jetën e saj, i janë hequr. E si mund të jetë ajo fajtore, kur sipas fjalëve të vet dorasit ajo s’ka të drejtë të vendosë për fatin e vet? Studime të shumta konfirmojnë që arsyeja kryesore kur djemtë shfaqin agresivitet ‘për shkak të një çike’ është për të treguar dominancë ndaj njëri tjetrit. Domethënë s’ka fare të bëjë me personin në mes. [1]
Çfarë ndodhë rëndom në këto raste është që gratë janë viktimat e një mentaliteti të këtillë i cili e zhveshë atë nga ego, subjektiviteti, roli i saj përtej riprodhimit. Kujtoni Diana Kastratin. Zejnepe Bytyqi-Berishën. Auloni u vra për arsye të po të njëjtit mentalitet i cili vrau Dianën e Zejnepen.
Nuk mund ta anashkalojmë rëndësinë që ka gjuha në shoqëri. Mediat kanë përgjegjësi të raportojnë kujdesshëm sidomos në rastet e ndjeshme si ky i Aulonit. Nuk është i shkëputur fati i Zejnepes me portretizimin që ia bëri media çikës së përfshirë në rastin e Aulonit. E gjitha është e lidhur me perceptimin për çikat dhe gratë në Kosovë si objekt i këmbyeshëm mes burrash. Dhe kur nji djalë beson se ka të drejtë në kontrollimin e jetës së një çike, pashmangshëm do të bëhet abuziv dhe i dhunshëm. Më shpesh ndaj çikave (një në tri gra – gjatë jetës së tyre – janë viktima të dhunës), e me raste edhe ndaj djemve të tjerë. Për të treguar dominancë.
_________________
[1] Ainsworth, Sarah E., and Jon K. Maner. Sex begets violence: Mating motives, social dominance, and physical aggression in men. Journal of Personality and Social Psychology 103.5 (2012): 819-29. Print.