Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Konsumerizmi i shfrenuar shqiptar dhe përgjegjësia individuale qytetare për gjendjen ekonomike

Pavarësisht se kanë kaluar dy dekada e gjysmë prej rënies së komunizmit, në ligjërimin ekonomik shqiptar mbizotëron dimensioni etatist. Në mentalitetin popullor dhe pothuaj sa herë që flitet për ekonomi, vëmendja shkon e gjitha tek roli i politikës, pra i shtetit në ekonomi. Kjo do të thotë që pothuaj të gjitha përgjegjësitë për pakënaqësinë me gjendjen ekonomike drejtohen pikërisht tek qeveria në pushtet ndërkohë që edhe drita e shpresës apo zgjidhja kërkohet pikërisht tek shteti. Kjo është në vetvete paksa situatë paradoksale, sepse pikërisht nga i njëjti aktor që konsiderohet shkaktar i të gjitha problemeve ekonomike pretendohet edhe zgjidhja. Padyshim që një pjesë e madhe e përgjegjësisë për varfërinë e shqiptarëve e ka pasur qeverisja e kaluar komuniste në dimensionin totalitar në Shqipëri dhe me atë okupator në ish-Jugosllavi. Përpos saj, kuptohet që shtetet ku banojnë shqiptarët kanë një përgjegjësi shumë të madhe për gjendjen ekonomike aktuale të kombit tonë me klimën e biznesit, strukturën institucionale, sistemin e pa konsoliduar të drejtësisë që nuk garanton pronën dhe kontratën, barrën fiskale, tatimet, shërbimet e dobëta publike etj. Mirëpo shteti nuk është aktori i vetëm në ekonominë e tregut, sepse rol vendimtar luajnë edhe sipërmarrësit privat dhe konsumatorët individualë.

Është me rëndësi që, kur bëhet diagnostikimi i ekonomisë, të analizohen me hollësi të gjithë aktorët dhe faktorët që ndikojnë për të gjetur një kurë sa më të përshtatshme për shërimin e ekonomisë. Kjo do të thotë se përtej përgjegjësive dhe problemeve që lidhen me sjelljen e aktorit shtet në ekonomi, është e nevojshme të analizohet edhe sjellja e sipërmarrësve dhe konsumatorëve. Në këtë rast duhet parë përtej modës kolektive të shqiptarëve për t’u ankuar, për t’i eksternalizuar përgjegjësitë personale dhe për të fajësuar dikë tjetër, dhe të bëhet një reflektim i sinqertë edhe për përgjegjësinë tonë si qytetar. Fatkeqësisht ende nuk është kuptuar mirë se liria ekonomike e sistemit të ri politik që ndërtuam pas rënies së murit të Berlinit ka përbrenda jo vetëm lirinë por edhe përgjegjësinë individuale të qytetarit qoftë në rolin e sipërmarrësit, dhe qoftë në rolin e konsumatorit.

Në përgjithësi roli i konsumatorit neglizhohet ose shpërfillet në analizat ekonomike të mediave shqiptare dhe kjo mund të konsiderohet deri diku një trashëgimi e të kaluarës jo aq të largët komuniste. Në një ekonomi të centralizuar shtetërore, roli i konsumatorit është i papërfillshëm sepse ekonomia komandohet nga lart pa e vrarë mendjen shumë për dëshirat, shijet apo opinionet e konsumatorëve. Porse, në një ekonomi të lirë të tregut sikurse po përpiqemi të ndërtojmë anembanë trojeve shqiptare, roli i konsumatorit është shumë herë më i rëndësishëm për ekonominë. Mënyra se si konsumatorët përzgjedhin, shpenzojnë paratë e tyre, përdorin produktet apo shërbimet e ndryshme, përmbushin pasionet apo dëshirat e tyre, është vendimtare për përcaktimin e të mirave apo shërbimeve që prodhohen në një shoqëri. Analiza e sjelljes së konsumatorëve është bërë një fushë me vete studimore multi-disiplinare që nuk ka të bëjë vetëm me ekonominë e marketingun, por huazon nga pak edhe prej psikologjisë, sociologjisë dhe antropologjisë.

Pa hyrë thellë në këtë fushë, një ndër dallimet kryesore në këtë fushë është ajo mes prirjes utilitare dhe asaj hedoniste. Rasti i parë ka të bëj me konsumin e produkteve e shërbimeve të dobishme që kërkohen për mbijetesën apo nevojat e përditshme të një konsumatori, ndërsa rasti i dytë ka të bëjë me ato produkte apo shërbime që i dëshiron për qejf, kënaqësi, pasion, pushim apo rehati. Pra, ky është dallimi mes blerjes së rrymës apo bukës dhe pijeve alkoolike, apo një abonimi në televizione kabllore për zbavitje.

Një prirje e re konsumatore që po merr gjithnjë e më shumë peshë në vendet e zhvilluara është sjellja konsumatore me përgjegjësi sociale, pra në blerje që nuk marrin parasysh vetëm dobitë apo shijet personale por edhe pasojat sociale. I tillë mund të konsiderohet motivi fetar që përkthehet në konsumin ekskluziv i ushqimeve hallall apo koshar. Konkretisht bëhet fjalë për një ndjeshmëri në rritje mjedisore, ku vendimi për të konsumuar një produkt apo shërbim lidhet me pasojat ambientale, me dëmin apo përfitimet mjedisore të produkteve apo shërbimeve. Po ashtu ka të bëjë me dimensionin etik, sikurse ka qenë nisma ndërkombëtare kundër tregtisë të të ashtuquajturve diamante të gjakut që shërbenin për të financuar luftërat në Afrikë, apo mos-konsumimi i produkteve që shfrytëzojnë punën e të miturve në të ashtuquajturat “punishtet e djersës”. Në këtë kategori të konsumit etik mund të quhet edhe nisma e bojkoti të mallrave serbe apo e favorizimit dhe promovimit të mallrave që janë prodhim vendas të cilat mes shqiptarëve janë ende tendenca në fazë embrionale.

Kur analizohet ekonomia jonë  vihet më së shumti re dimensioni i theksuar hedonist në sjelljen konsumatore që tregon për një papërgjegjshmëri personale dhe një tendencë për të shpenzuar më shumë apo për të bërë një stil jete më luksoz sesa realisht ua lejon xhepi. Këtë gjë e dëshmon në Shqipëri niveli i lartë  i kredive konsumatore që janë me interes të lartë e pa kolateral dhe që përdoren kryesisht për blerje mallrash konsumi si celularë, elektroshtëpiaket, mobilje etj. Banka e Shqipërisë raportoi muajin e kaluar se kredia konsumatore është rritur 12.4% krahasuar me një vit më herët duke kapur rreth 280 milionë euro. Në një situatë të ngjashme është edhe Kosova ku niveli i kredive të marra nga ekonomitë familjare e që përdoren si kredi personale për blerje mallrash konsumi apo patundshmëri, zë një peshë tepër të madhe. Sipas raportit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës të vitit të kaluar, kreditë për ndërmarrje ( pra për sektorin produktiv) kanë arritur vlerën në mbi 1.3 miliardë euro, ndërsa kreditë për ekonomi familjare mbi 660 milionë euro.

Po ashtu aktiviteti parazitar hedonist masiv tipik i shqiptarëve ku shpërdorohen qindra milionë euro në vit është kafja dhe restoranti, çka demonstrohet nga numri i jashtëzakonshëm i bar-restoranteve në vend. Censusi i bizneseve i botuar nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë në vitin 2012 tregonte se asokohe kishte 99 722 biznese aktive ndërkohë që 60% e tyre ishin bare, kafe, restorante dhe hotele dhe vetëm 15.8% ishin biznese të prodhimit. Tregu i fryrë i patundshmërisë i shndërruar në një flluskë të mirëfilltë është një tjetër ilustrim i dominimit të sjelljes konsumatore hedoniste tek ne, mirëpo për këtë treg në Kosovë kam shkruar më hollësisht më herët. Në rastin e Shqipërisë, censusi i fundit ka nxjerrë se gjatë periudhës 2001-11 janë  ndërtuar 290 mijë banesa të reja duke pasur një rritje prej 37% ndërkohë që popullsia është zvogëluar me 8%. Çereku i familjeve kishin dy banesa dhe përqindja e banesave bosh ishte 33% ndërkohë që në vitin  2001, vetëm 12 përqind e banesave qenë bosh. Kuptohet që migrimi qoftë i brendshëm dhe qoftë jashtë vendit është një ndër shpjeguesit e këtyre numrave. Megjithatë përgjegjësi të madhe bie edhe mbi maninë e shqiptarëve për ndërtime duke ndërtuar pafund banesa të dyta pushimesh buzë bregdetit, sikur të bëhej fjalë për qytetarë skandinav që mund t’ia lejojnë vetes banesat e pushimit e jo për ballkanas që mezi kanë dalë nga varfëria ekstreme e komunizmit.

Ilustrim i sjelljes së papërgjegjshme konsumatore ose më saktë sjelljes hedoniste, është gjithashtu kostoja absurde e dasmave masive ne Kosovë që kushtojnë së paku 10 000 euro dhe për të cilat madje ka edhe mundësi marrje kredish bankare. Dëshira për të rënë në sy tek të tjerët bën që të hidhen në ushqim e aheng qejfi dhjetëra mijëra euro në secilën dasmë, duke bërë madje që të ndërtohet një industri e veçantë për dasma me artistë, fotografë e lokale të shtrenjtë të specializuara për dasma.

Sikurse bie në sy që pothuaj çdo i ri i papunë vendos me krenari në tavolinën e kafesë një telefon të mençur disa qindra eurosh, një tjetër manifestim i sjelljes hedoniste është tregu i makinave që qarkullojnë që të lënë të mendosh se je në Evropë të Veriut e jo në Ballkan. Në Kosovë, për shembull, në vitin 2014 ishin të regjistruara gjithsej 286,505 mjete motorike dhe ndërkohë nëpër rrugë sheh shumë pak makina të vjetra sikurse shihen në vende fqinje me ekonomi më të shëndoshë si Maqedonia, Bullgaria e Serbia. Megjithatë, dëshira për makinë sa më të bukur e të shpejtë ka bërë që doganat të raportojnë se, në vitin e kaluar, pra në vitin e valës masive të azilkërkuesve kosovarë si dhe të protestave të dhunshme për gjendjen në vend, të jenë importuar 19, 249 makina në Kosovë. Këto raste lënë të kuptohet se qindra miliona euro po shpenzohen në vit nga qytetarët tanë në mënyrë jo-racionale e të paplanifikuar mirë, në qejfe e kënaqësi momentale duke u varrosur njëherë e mirë në sektorë joproduktiv të ekonomisë. Këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë thirrje për vetëmohim apo një stil spartan të jetës, por thjeshtë synohet të tërhiqet vëmendja tek kostoja e jashtëzakonshme oportune për ekonominë tonë. Shqiptarët padyshim do të ishin shumë më mirë ekonomikisht nëse shpenzonin me qasje më utilitare dhe paratë e hedhura për hedonizëm t’i investoni në sipërmarrje produktive, apo thjesht t’i kursenin.

Lista e rasteve illustrative e demonstruese të tendencës hedoniste mund të zgjatet shumë me tepër por ajo që është me rëndësi të kuptohet është se përgjegjësia e problemeve ekonomike nuk duhen kërkuar vetëm tek shteti, por edhe tek vetja. Ky shkrim kurrsesi nuk synon që ta relativizojë apo zvogëlojë barrën që i takon shtetit për problemet ekonomike por thjesht po përpiqet të tregojë se përtej shtetit, rol vendimtar në ekonomi luajnë edhe konsumatorët me zgjedhjet e tyre. Kultivimi i pritshmërive të ekzagjeruara ndaj shtetit dhe eksternalizimi i çdo përgjegjësie personale për veprimet ekonomike të bëra në mënyrë të vullnetshme nuk bën gjë tjetër përveçse i ngjan sjelljes së strucit që zhyt kokën në rërë për t’u arratisur prej realitetit.

Një ekonomi e tregut nuk ka për të qenë kurrë e zhvilluar dhe e begatë nëse të gjitha përgjegjësitë dhe zgjidhjen shihen tek shteti dhe nuk merret fare në konsideratë përgjegjësia individuale e konsumatorëve apo e sipërmarrësve. Afërmendsh, autokritika apo dhënia e llogarisë ndaj vetvetes është goxha e vështirë për t’u bërë, prandaj është shumë më e lehtë për qytetarët tanë që të fajësojnë tjetërkënd për dështimet personale, për mungesën e planifikimit cilësor, për shpërdorimet e fondeve të tyre apo për investime të gabuara. Qytetarët duhet të jenë të gatshëm të pranojnë pasojat e zgjedhjeve të tyre ekonomike dhe para se ta kërkojnë tjetërkund fajin të kuptojnë se një pjesë e mirë e gjendjes së tyre ekonomike shkaktohet nga zgjedhjet personale.

Për hir të së vërtetës, duhet thënë se në mënyrë të tërthortë ka përgjegjësi edhe politika në këtë tendencë të theksuar të hedonizmit dhe papërgjegjësisë personale. Ne kemi nevojë për një qeverisje të vogël dhe për sa kohë shteti është aktori më i madh dhe sektori publik zë peshën më të madhe në ekonominë e vendit, edhe aktorët e tjerë pra konsumatorët dhe sipërmarrësit do deformohen prej politikës në sjelljen e tyre. Sistemi ynë arsimor por edhe retorika e përditshme politike nuk i ka përgatitur ende qytetarët tanë që të kuptojnë siç duhet mënyrën se si funksionon ekonomia e tregut dhe të vetëdijesohen se përveç lirisë ekonomike ka edhe përgjegjësi. Siç edhe e ka thënë Friedrich Hayek në kryeveprën e tij “Kushtetuta e Lirisë”, “liria nuk do të thotë vetëm që individi ka si mundësinë ashtu edhe barrën e zgjedhjes, por do të thotë edhe se individi duhet të duhet të bartë pasojat e veprimeve të tij dhe të marrë lëvdata apo fajësim për to. Liria dhe përgjegjësia janë të pandashme. Një shoqëri e lirë nuk do të funksionojë ose nuk do të qëndrojë në këmbë nëse anëtarët e saj nuk e pranojnë që çdo individ të zërë pozitën që rezulton prej veprimit të tij/saj, dhe të pranojë përgjegjësinë personale për atë veprim të ndërmarrë”. Implikimet e trajtimit të lirisë si përgjegjësi lidhen jo vetëm me ekonominë por edhe me sfera të tjera të jetës dhe meriton një shkrim më vete.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.