Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Numri ideal i popullsisë

Ilustrimi: BigEye

Debati për numrin ideal të popullsisë u përhap në vitin 1789, kur kleriku anglez Thomas Malthus e publikoi teorinë e tij që rritja e shpejtë e popullsisë paraqet rrezik, sepse e tejkalon sasinë e ushqimit në dispozicion. Malthusi po shkruante për Revolucionin Industrial që kishte rritur dukshëm mirëqenien ekonomike dhe kishte prodhuar sasinë më të madhe të ushqimit të parë ndonjëherë. Kjo rritje e sasisë së ushqimit kishte mundësuar jetëgjatësi dhe popullsi më të madhe në Britani.

Autorë të tjerë në këtë debat, megjithatë, kanë paralajmëruar për rrezikun e kundërt, atë të shpopullimit. Me këtë shqetësim doli edhe politikani Ben Blushi vitin e kaluar në fushatën zgjedhore, ku iu referua zvogëlimit të popullsisë në Shqipëri gjatë viteve 2001-2017. Ashtu siç kishte paralajmëruar në librin e tij “Hëna e Shqipërisë”, Blushi tha që Shqipëria “po plaket dhe po tkurret” si dhe propozoi masat që partia e tij LIBRA do t’i merrte po të ishte në pushtet. Në mesin e këtyre masave ishte premtimi që për çdo bebe të lindur shteti të japë shpërblim 1,000 euro.

Malthusi dhe Blushi, edhe pse mbajnë qëndrime të kundërta, kanë një të përbashkët: fiksimin me ndryshimet e popullsisë. Të dy brengosen për lëvizjet, luhatjet, por asnjëri nuk ka ndonjë teori të saktë (apo të pranueshme) për numrin ideal të popullsisë. Si është e mundur që një trend (qoftë i rritjes apo i zvogëlimit) të identifikohet si i rrezikshëm nëse nuk e dimë se cila është “vlera normale”? Mjekët e dinë temperaturën normale të trupit, prandaj mund të flasin për rrezikun e uljes apo rritjes së saj.

Tek rasti i Blushit megjithatë ekzistojnë dy të vërteta shqetësuese për shpopullimin e Shqipërisë. Është e vërtetë që Shqipëria nuk është vend atraktiv për të jetuar dhe që si rezultat i kësaj një numër i njerëzve emigrojnë çdo vit (39,905 në vitin 2017). Kjo ndikon drejtpërdrejt në tkurrjen e popullsisë, ashtu siç ndikon fakti që Shqipëria ka shkallën e tretë më të lartë në Evropë (pas Turqisë dhe Moldavisë) të vdekjes së foshnjave (11.9 foshnje në 1,000 raste).

Por nevoja për të vepruar kundër këtyre dy statistikave të padëshirueshme nuk buron nga fiksimi i Blushit për shpopullimin, por nga logjika e thjeshtë që janë të papranueshme për një shoqëri normale. Edhe po të ishte në rritje popullsia e Shqipërisë, këto dy të këqija do duhej të luftoheshin.

Për të mbështetur shqetësimin e tij për shpopullimin e Shqipërisë, Blushi bën disa krahasime të ndryshimeve të popullsisë me vendet e tjera evropiane, por nuk e bën asnjëherë të qartë pse Shqipëria duhet t’i imitojë ato. Çdo shtet e ka trajektoren e vet të zhvillimit dhe të evoluimit dhe nuk është e thënë që Gjermania të rritet ashtu siç rritet Greqia apo anasjelltas. Shqipëria gjithsesi nuk po e humb popullsinë e saj siç po ndodh me vendet si Serbia, të cilat pas disa dekadave pritet gati të përgjysmohen.

Për më tepër, masat artificiale të inxhinieringut social, si premtimi për të shpërbluar prindërit me 1,000 euro për çdo bebe të lindur, paraqesin probleme serioze ekonomike. Skemat e tilla janë keqpërdorur kudo që janë provuar nga prindërit që kanë lindur fëmijë vetëm sa për të marrë shpërblimin. Çfarë kujdesi prindëror do të ketë ai fëmijë që ka lindur për konsiderata financiare e jo sepse e duan prindërit? Në Rumani në periudhën e Çausheskut, politika e tij e popullimit artificial rezultoi në fëmijë të padëshiruar që mbipopulluan jetimoret deri në masën që një numër i tyre u flakën për të jetuar në rrugë. Për më tepër, përdorues të kësaj skeme do të ishin pikërisht familjet e varfra, duke krijuar kështu më shumë fëmijë në familje me kushte më të këqija materiale. Lidhshmëria mes varfërisë dhe shkallës së lindjeve është botërisht e njohur (Afrika ka më të lartën). Krejt në fund është argumenti që kjo skemë do të financohej me para të tatimpaguesve. Unë si tatimpagues nuk dua të detyrohem të paguaj për vendimet vullnetare të dikujt tjetër. Të kesh fëmijë nuk është obligim; është zgjedhje. Detyrimi i secilit tatimpagues për të paguar për zgjedhjet vullnetare të secilit qytetar do të rezultonte në një kolaps shoqëror.

Nga ky vrojtim mund të nxjerrim bazën e përcaktimit të numrit ideal të popullsisë. Ajo është: në çfarë kushtesh duan të jetojnë njerëzit? Nëse njerëzit duan të jetojnë në kushte të këqija, një numër më i madh i popullsisë mund të mbështetet nga resurset që ofron toka dhe teknologjia që i përpunon ato. Por nëse njerëzit duan të jenë të ushqyer, të shëndetshëm dhe të edukuar (produktivë, me fjalë tjera), atëherë numri ideal duhet të jetë më i vogël.

Kjo është e qartë. Popullsi më e ushqyer, më e shëndetshme dhe më e edukuar është ajo e 8 milion zviceranëve sesa ajo e mbi 1 miliard indianëve, apo e 8 milionë izraelitëve sesa e mbi 200 milionë arabëve. Shikuar nga ky këndvështrim i cilësisë së jetesës e jo i sasisë, popullsia e Shqipërisë është më e madhe se ç’munden resurset e vendit ta mbështesin dhe që me kushtet aktuale zvogëlimi është në fakt i mirëseardhur.

E njëjta thuhet edhe për botën në përgjithësi. Shkencëtari Paul Ehrlich ka shkruar në vitin 1994 sesi popullsia e atëhershme e 5.5 miliard banorëve i ka tejkaluar dukshëm kapacitetet e resurseve tokësore për ta mbështetur atë (1.5-2 miliard sipas tij).

Në konkluzion, një numër magjik për popullsinë nuk mund të nxirret, por duke u bazuar në objektivat e cilësisë e jo të sasisë dhe duke parë mundësitë e secilit vend, mund të parashikojmë që në fakt popujt më idealë do të ishin popujt më të vegjël. Nga pesë vendet me të ardhurat më të larta për kokë banori, të gjitha kanë popullsi më të vogël se Shqipëria kurse nga dhjetëshja më e mirë vetëm 2 e tejkalojnë 5 milionëshin.

Nevojat për ushqim, ujë, energji e resurse tjera ambientale vazhdojnë të rriten duke vendosur kështu presion më të madh në resurset dhe hapësirën që ofron toka. Pa një ndryshim të stilit të jetës në një lloj më të qëndrueshëm, ku resurset nuk shpërdorohen por ripërdoren nëpërmes riciklimit dhe ku hapësira (e në veçanti ekosistemet dhe biodiversiteti natyral) konservohen nga babëzia njerëzore, nuk mund të ketë popullsi të ushqyer, të shëndetshme e të edukuar.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.