Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Brukseli zyrtar dhe Uashingtoni zyrtar

Në Kosovë, për çdo gja, sytë e veshët i kemi t’drejtuem kah qëndrimet e ‘Brukselit zyrtar’ apo ‘Uashingtonitzyrtar’. Prej atje shpallen t’vërtetat për Kosovën. Transmetuesit ma ‘besnik’ të ktyne qëndrimeve janë politikanët, analistat dhe gazetarët. Në vend të thuhet se ky asht qëndrim i këtij apo atij institucioni të Bashkimit Evropian, ktij apo atij ekzekutivi, apo qëndrim i ktij apo atij Kuvendi a Kongresi, qëndrimi i ktij apo atij institucioni të presidentit, shpeshherë na thuhet se ky asht qëndrim i Uashingtonit zyrtar, Brukselit zyrtar, Berlinit zyrtar, Parisit zyrtar, Tiranës zyrtare, apo Beogradit zyrtar. Nëse don me u dukë taman analist, njeri i informuem, si dikush që e njeh politikën botnore, atëherë nisja diqysh me fjalinë ‘Sipas Brukselit zyrtar… deri më 2017….. pritet me ra shi…ha ha ha (jo, po)…ta zamë, pritet me u ba liberalizimi i vizave ”.  Ose, kshtu diqysh. Ose, sipas informatave t’mija, Uashingtoni zyrtar ka qëndrim se ‘Asociacioni asht në përputhje me kushtetutën, ligjet, rregulloret, udhëzimet’. E tjera. E tjera. Nëse don me u dukë edhe ma i ‘meçëm’, gjithmonë sipas ‘mësonjësve të komunikimit me vogjlinë’, mundësisht fut edhe ndojnë fjalë si ‘spill over’, ‘domino effect’, ‘sui generis’ etj.

Thanë ndryshe, kur dikush don me kumtu ndoj myzhde në Kosovën tonë të vogël, metoda ma e lehtë me u dukë i informuem, bindës, njohës i politikave të mëdha botnore, asht me ia nisë diqysh me fjalinë se ‘Sipas Brukselit zyrtar…..’, ose ‘Ky asht qëndrim i Brukselit zyrtar’. Aman, STOP. Frekuenca e përdorimit të ktyne fjalive n’Kosovë asht goxha e naltë sidomos nga politikanët e myzhdeve dhe kjo ndodh sa herë ndihet nevoja me u informu vogjlia për ndodhitë e madhe politike si fjala vjen, liberalizimi i vizave, ose asociacioni. Për shembull. Kur politikanët e myzhdeve dojnë me legjitimu çfarëdo veprimi a mosveprimi politik në Kosovë, si me thanë, me i forcu ‘domosdoshmëninë’ e atij veprimi a mosveprimi, ose me e ba veprimet a mosveprimet e tyne të pëlqyeshme prej vogjlisë, ia shtojnë gjithqysh këtë mbiemnin ‘zyrtar’.

Politikanë të myzhdeve, akuikomunitaris-analistat, akademi(k)amikazet, pra, me fjalë të tjera, ‘speca-listët’ e përdorimit të togëfjalëshit ‘Brukseli zyrtar’ nuk kanëproblem me gjeografi. Besoj se i din se ku shtrihen kto kryeqytete. Kanë problem me këtë termin zyrtar – me sa kam veneru. Nëse e lexojmë drejt, sipas tyne, zyrtar i bjen si kishe qëndrim shtetnor. Ama, Bashkimi Evropian nuk asht shtet. Me thanë ‘Brukseli zyrtar’ asht identik si me thanë ‘turshi zyrtare’. Kur dikush i ban gati turshit për dimën, s’do me thanë se i ka shti veç specat turshi. Dikush si ka marak specat. Shtin patlixhana turshi. Ose diçka tjetër. Prandaj, do t’ishte mirë që mos me i ngatërru specat me turshi. Sidoqoftë, kndej pari, sa herë të përmenden turshit, i nënkuptojmë specat. Thanë ndryshe, kur flitet për Bashkimin Evropian dhe kur ‘speca-lista’ dojnë me barazu qëndrimin e kësaj organizate me ‘Brukselin zyrtar’, përndime nuk e di se çka mendojnë me kta çka thonë. Me thanë qëndrimi i Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian, Këshillit Evropian asht deri diku e kuptueshme. Këto institucione janë të ndame. Kanë qëndrime t’pamavaruna. Madje, me që ra fjala, shpeshherë kanë qëndrime krejtësisht të kundërta karshi njana tjetrës. Ta zamë, Parlamenti Evropian mundet me nxjerrë nji rezolutë afirmative dhe kërkon nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që Kosova të njihet si shtet, kurse Komisioni Evropian dhe Këshilli Evropian janë neutrale karshi pavarësisë së Kosovës. Kësi raste kur institucionet e Bashkimit Evropiane kanë qëndrime të dallueshme karshi njana tjetrës janë të pafundme. Pra, kur ‘speca-listat’ kumtojnë qëndrime të ‘Brukselit zyrtar’, nuk e di se ku e gjajnë këtë qëndrim pos në ‘kacen’ e trunit tyne, për faktin se nuk ka një Bruksel zyrtar. Madje-madje, në Bashkimin Evropain ka një mantra ideologjike që recitohet si vers fetar: ‘të bashkuar në diversitet’. Me fjalë të tjera, në Bashkimin Evropian nuk ka një ‘qëndrim të bashkuar’, ‘qëndrim zyrtar’ për shumëçka.

E njëjta vlen edhe kur kumtohen qëndrimet e shteteve të ndryshme rreth dhe për Kosovën. Politikan të myzhdeve, akuikomunitaris-analistat, akademi(k)amikazet, pra, me fjalë të tjera, ‘speca-listët’, poashtu përdorin togëfjalëshin ‘Uashingtoni zyrtar’, ‘Berlini zyrtar’, ‘Parisi zyrtar’, ‘Beogradi zyrtar’, apo ‘Tirana zyrtare’. Kur flitet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe kur thuhet se ky asht ‘qëndrimi i Uashingtonit zyrtar’, t’duket sikur këta ‘speca-lista’ janë t’u e kumtu qëndrimin e të gjitha institucioneve vendimmarrëse në SHBA – Kongresit, presidentit të shtetit, e të tjera me radhë. Por, brenda vetë Kongresit amerikan, meqë asht dy dhomësh, ka mospajtime për shumëçka. Shpeshherëqëndrimi ‘zyrtar’ i Senatit dallon fortë prej qëndrimit të‘Dhomës së Përfaqësuesve’. Nëse prej ‘speca-listëve’ na kumtohet një qëndrim i Obamës rreth Kosovës, ai ështënjë qëndrim i SHBA-ve dhe nuk ka nevojë që t’ia shtojmë seriozitetin këtij qëndrimi me fjalën ‘qëndrim zyrtar’.

Me bitisë këtë shkresë, po m’duket se togëfjalëshin ‘qëndrimi i Brukselit zyrtar, Uashingtonit zyrtar’, e kemi trashëgu nga përdorimi i shpeshtë që i asht ba këtij togëfjalëshi për ‘Tiranën zyrtare’. Kjo asht trashëgu nga njimendësia uniforme e komunizimit dogmatik shqiptar, ku ‘qëndrimet zyrtare’ kanë ardh nga televizioni shtetnor shqiptar. Televizoni shtetnor shqiptar ka qenë pista ku gazetarët janë lansu si raketa për me kumtu qëndrime zyrtare (të vërteta të pakontestueshme) të partisë komuniste shqiptare për ‘përparimet planetare’ të Shqipnisë, vllaznim-bashkimin kinezoshqiptar, e ku ta di unë. Me fjalë të tjera, qëndrimin e Tiranës zyrtare.Shqipnisë ‘zyrtare’. Pra, kjo asht koha kur Shqipnia ‘jozyrtare’ s’ka ekzistu. Me Shqipni ‘jozyrtare’ po mendoj Shqipninë pas ranies së komunizmit. Pra, qëndrimi i ‘Tiranës zyrtare’ ishte qëndrimi i një vendi ku gjithçka detyrohej medoemos të ishte zyrtare. ‘Jozyrtarja’ ishte kërcënim, tradhti, rrezik, revizionizëm, anakronizëm e çka jo tjetër. Sa ma pak përdoret nëKosovë togëfjalëshi ‘Brukseli zyrtar’, ‘Uashingtoni zyrtar’, aq më shumë do t’jemi imun prej rrenave. ‘Rrenave zyrtare’.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.