Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Mbi çështjen e afateve në UP

E pranoj se kjo temë është gjithmonë me interes, sidomos në Kosovë, por jo në shumicën e universiteteve botërore sepse nuk ka një gjë të ngjashme në shumicën e institucioneve që funksionojnë si duhet.

Afatet për provim përfundimtar zakonisht lidhen me kohën kur mbarojnë kurset. Në rastin tonë, kurset mbarojnë në janar e maj, andaj afatet janë në janar-shkurt e qershor-korrik. Por, është edhe një afat, i shtatorit, për t’iu mundësuar atyre që nuk i kanë kaluar provimet me sukses në qershor.

Të vendosen më shumë afate se këto tri nuk ka sens. Kuptohet, mund të kërkohen 365-366 afate, por cilat janë argumentet?

Më tej, një praktikë mjaft standarde është që nëse dikush nuk e kalon provimin, ajo t’i përfshihet në mesatare. Kjo praktikë tek ne nuk ekziston, edhe pse do të duhej të përfshihej sepse përndryshe dikush e merr notën 8 në janar e dikush pret e pret deri sa ta merr notën 9 që pastaj t’i thotë kolegut: “ja, unë e kam notën më të madhe” e zyrtarisht universiteti nuk e bën dallimin. Nëse duhet të mësojmë diçka në studime është edhe menaxhimi efikas i kohës — nuk ka kuptim t’i lejojmë studimet të stërzgjaten sepse ashtu nuk shfrytëzohen në mënyrë optimale kapacitetet e askujt – studentëve ose profesorëve e madje nuk shfrytëzohet si duhet as infrastruktura.

Një tjetër temë që nuk po e dëgjoj se po përmendet është numri i tentimeve që dikush i ka për provim. Në secilin universitet normal (dhe në Statutin e UP-së) ka limite, por pse nuk po kërkohet zbatimi i tyre?

Ja një dilemë (johamletiane) kur unë i mbaj provimet në UP: nëse dikush është vlerësuar në janar me notën 5 (pas kollokuiumeve dhe provimit përfundimtar), si ta vlerësoj atë person në qershor? A të përfshihen kollokuiumet (si dhe detyrat e shtëpisë, etj., varësisht nga madhësia e grupit) apo jo? Nëse përfshihen, atëherë ka gjasë që asnjë student nuk kalon në qershor sepse kryesisht ata që kanë rënë në provim kanë edhe rezultate të dobëta në kollokuiume. Apo të mos përfshihen ato rezultate fare në qershor, por pastaj pse të mbahen kollokuiumet — kjo i bije që studentët e ndryshëm vlerësohen me sisteme të ndryshme dhe nuk inkurajohet puna sistematike gjatë tërë semestrit dhe vlerësimi i vazhdueshëm.

Disa do të thonë “nuk është njësoj si të studiohet matematika, mjekësia e inxhinieria, sikur ekonomia, juridiku e gjeografia.” E para, ky është zbulim epokal dhe faleminderit që na tregoni! Qartazi nuk është njësoj, por ky truizëm nuk ka asnjë vlerë në argumentet rreth afateve sepse numri i afateve nuk lidhet me vështirësinë e perceptuar (e cila është subjektive — për mua gjeografia është më e vështirë se inxhinieria). Koha për ta absorbuar një materie zakonisht shfaqet në gjatësinë e studimeve e jo në numrin e afateve. E dyta, statistikisht, me siguri janë tejet të paktë ata që do të mund ta studionin violinën në UP. A t’i lejojmë Fakultetit të Arteve afate sa të dojnë ata, p.sh., pesë herë më shumë se matematika, sepse dikush ka pesëfish gjasa më pak ta mbarojë me sukses studimin e violinës sesa të matematikës?

Ka plot raste kur profesorët mund t’i vlerësojnë studentët kurdo, por regjistrimi i notave bëhet vetëm në kohë specifike. Edhe kjo mund të lejohet kur ka pak studentë, por kur rritet numri kjo do të shkaktonte kaos. Universiteti duhet ta dijë sa ka studentë dhe sa staf, sa dhoma, etj. i nevojiten e nëse studentët tërë kohën lëvizin poshtë-lart, atëherë nuk ka mundësi planifikimi.

Ajo më absurdja që e kam dëgjuar është “afati i tetorit dhe atë për kusht”. Atëherë pse fillojnë kurset në tetor? Dikush që s’e ka arritur kushtin i humb ligjëratat e para (sepse përgatitet për afatin e tetorit), pastaj i kalon me sukses dy provime në tetor dhe në nëntor vije dhe kërkon t’i vazhdojë ligjëratat e vitit tjetër, por prapë e ka humbur hapin sepse ka ardhur me vonesë. Pra studentët më pak të suksesshëm, në vend se të vijnë dy javë para ligjëratave për t’u përgatitur më shumë, vijnë me vonesë dhe më pak të përgatitur.

Dhe, për fund, argumenti më pak bindës që kam dëgjuar — meqenëse profesorët nuk po i mbajnë si duhet ligjëratat e provimet, ne kërkojmë më shumë afate. Meqenëse gjyqësia është e dobët, kërkoj që dënimet e trafikut të mos i paguaj. Qasja e duhur është: i paguaj dënimet e trafikut dhe punoj që gjyqësia të jetë më e pavarur në Kosovë — i pranoj afatet e rregullta dhe tentoj që të ndikoj në përmirësimin e ligjëratave e provimeve të profesorëve të mi.

Unë i kuptoj shumë mirë hallet e studentëve – vet kam qenë student në UP nga 1998 në 2002. Por, hallet adresohen me argumente dhe me guxim për të kundërshtuar aty ku ju bëhet dëm — vlerësimi jouniform (me të njofshëm), mospërgatitja në ligjërata, etj., e jo në kundërshtimin e rregullave që ju sigurojnë se diplomat e juaja do të jenë më shumë se dru i prerë dhe i ngjyrosur bukur.

__________________

Ky shkrim është ribotuar nga redaksia pas një tërheqje për shkaqe teknike.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.