Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Dhetë argumente kundra shkrimit biologjistik “hem (…) hem”

(Përgjigje në shkrimin “Hem i çliruem, hem rob” të Ardiana Shala Prishtina, publiku në Sbunker më 13 dhjetor 2021.)

Spari, po e marr guximin dhe û,  me shkru ni përgjegje në gegnisht, tue respektu gjuhën me të cillen shprehet autorja.

Sepse i shkruej dhe i flas dy versionet e shqipes, e letërsi shkruej veç gegnisht. Që këtu (në gjuhë) nis diferencimi i kombeve, ngase kombi shqiptar âsht dhe trajtohet par exellence, e nga shumica e teorikëve “komb i gjuhës shqipe”, prej nga edhe e mori emnin.

Me këtë hov due me e vù n’dije i Ardiana Shalën- Prishtinën, se ka autorë që piknisht kulturën e unisueme, përjetësisht gjuhën e unifikueme e marrin për maturim të kombit!?

Dhe (pa)vetëdijshëm ajo jep ni dëshmi se nuk kemi t’bâjmë me ni komb unik, me vet faktin se shkruen gegnisht!?

Në librin “Krijimi i identiteteve kombëtare (Evropa e shekujve XVIII- XX), Dukagjini – Pejë, 2004; Anne-Marie Thieze tue folun për fabrikimin e ‘ni gjuhe kombëtare’ shkruen se krijimi i shqipes përbën pa dyshim rastin më të vështirë të përpunimit të nji gjuhe kombëtare. Jo vetëm dialektet në përdorim ishin tepër të diferencuara (…) dhe tek më 1972 standardi i ri i gjuhës shugurohet prej ni Kongresi. Nëse vlen konstatimi se pa ni gjuhë kombëtare të unisuar nuk âsht bâ kombi, atëherë simas Thieze kombi shqiptar munet me u marr si komb i krijuem vetëm para 50 vjetësh!???

Porse, Zoja Prishtina e mohon me gjasë gjuhën e unisueme kombëtare si kërrthizë të kombit unik shqiptar

S’dyti, kurrë nuk kam thânë (nga cila imagjinatë a përrallë me zâna e dragoj e nxori autorja këtë konstrukt s’e di!?) se bashkimi kombëtar âsht shërbesë ndaj interesave të Sërbisë, porse kam argumentu se ‘politikat ballkanike’ rândomsisht ideohen në Beograd (si ndarja e këmbimi i territoreve, si Open Ballkan…) dhe se ni bashkim kombëtar si akt deklarativ e retorikë demagogjike për me i përfitu masat (Rama & Kurti & Prishtina!,) pa u maturu shteti kosovar (pa e pas marr ulësen në OKB) dhe pa i siguru kufijtë e jashtëm (territorin kushtetues, veriun e vendit) âsht letër lakmuesi me burim Beogradin dhe i shkon në favor idesë së ndarjës së Kosovës.

S’treti, kurrë nuk kam kriju etalon që mat shkrime a ide me diskursin bardh-zi, për narrativen patriotë-tradhtarë, bile kjo ndamje për mu âsht fashiste dhe kurrë në jetë nuk kam thânë se ata që janë për bashkim “i shërbejnë anmikut’, sepse me pasë durim me e lexu shkrimin e plotë, Ardiana e kish gjetë vizatue edhe këtë mundësi, që û e lâ t’hapun, porse për këtë duhet piknisht njeriu i lirë e jo rob!?

Dhe se, ky kish me qenë bashkim i vullnetshëm i dy entiteteve sovrane, anëtare të OKB-së, NATO-s dhe BE-së, në ni lidhje federale a konfederale, tue mos u shpërba asnjana nga shtetet, pra tue rujtun subjektivitetin. E pse jo, nëse dy shoqnitë shqiptare (n’dash dy kombet politike!?) e shohin si interes dhe e arrijnë me mjete referendumiane?

S’katërti, e që ka kosovacentristë e integrista në shoqninë kosovare, ky pohim nuk âsht fare përçamës, sepse dy krahët janë produkte të mendimit të lirë në ni shoqni të lirë dhe derisa nuk propagandohet dhunë për realizimin e ndonjânës nga këto ide, janë menime të ndryshme që i paraprijnë zhvillimit të mendimit shoqnor.

Unë jam kundra menimit uniform dhe të vërtetave përfundimtare.

S’pesti, mosnjohja e terminologjisë sociologjike (popull, etni, shtet e komb ose kombi/shtet e shteti/komb ectr) nuk të bân analfabet, nëse nuk je sociolog me shkollë, ose nëse nuk merresh aktivisht dhe profesionalisht me dijet humanistike, nuk të penalizon. Mund të jesh aktiviste e zoja politike, poete dhe çkamos, por jo domosdo edhe sociologe. Se i zâ për analfabetë ata që nuk e dallojnë kombin nga etnia, ky âsht konstrukti po aq arbitrar që ma vesh autorja. Edhe pse shkrimi im nuk ishte i fokusuem tek teoritë identitare, sepse në thelb e kishte profilin politik të Kryeministrit Kurti, autorja e ka rrokë çashtjen dytsore të tij, për me e bâ xhurulldi, pra me ‘shpik’ ni debat nga i cili ashiqare nuk munet me dal e fitueme, sepse tabloja e saj identitare âsht biologjizëm shoqnor, qe merr hov thjesht tek teoria e gjakut, gjuhës e trollit.

S’gjashti, se ekziston ni shtrimje e gjânë e definicionit të Stalinit për kombin ndër shqiptarë  (po aq sa tek serbët, kroatët e ballkanasit tjerë) që flet për kombin tue shenju etninë, para primesave politike (si bashkësi e përfytyrueme e politikisht e konstruktueme dhe konstitucionalisht e ndërtueme, ky âsht ni fakt i paluejtshëm. Vetëm duhet me bâ ni lexim korrekt të definicioneve që nga Fichte e Herder, Stalin, Kardel (në mendësinë dhe librat, gazetat e Televizionet shqiptare) dhe me i krahasu me Altermatt, Schnapper, Thieze, Huntington, Anderson dhe postmodernistëve tjerë.

S’shtati, shteti kombëtar për të gjithë teorikët, të djathtë e të majtë, âsht kulmi i organizimit të ni shoqnie politike e jo ambiciet, dëshirat, legjendat, historicizmat, projeksionet e nacionalizmave, njashtu të djathtë e të majtë (kombi si konstruksion âsht mburojë e të djathtës), por tek shqiptarët edhe e majta shpesh rrëshqet në tabanin e të djathtës kombëtariste. Kombi  mishnohet veç se në realitetin e ni shteti sovran. Pa këtë realitet, ai âsht embrional dhe i paqëndrueshëm. Dhe për ni menje racionale vërtet nuk di pse liria kombëtare dhe arritja e shtetit nacional si qëllim i ni lëvizje kombëtare, (rasti i Kosovës) po mujka me u përkufizu si pranim i fatit të robit!?Nëse autorja dhe kushdo tjetër munet me e zbërthy këtë konstrukt, kisha me qenë falemnerues!

Unë jam siciolog me shkollë dhe gazetar me profesion por po, shkruej edhe letërsi, pra jam shoqnisht i angazhuet dhe shkruej dhe vlerësoj si dhe shpreh idetë e botëkuptimet e mia, lirshëm e pa asni zor, pa pretendime megalomane për inxhiniering kombesh dhe pa ia imponu askujt, sepse dorën në zemër idetë nuk munen me u imponu nëse ato nuk janë të besueshme e të themelta dhe nêse nuk kombinohen me aksion politik! Janë për lexim e reflektim, por jo zgjidhje përfundimtare.

S’teti, përse e përdor unë togfjalëshin ‘kombi unik shqiptar’? Natyrisht që, si njâni nga ata që argumentojnë ekzistencën e shtetit/komb kosovar, pra me e bâ diferencën nga ‘kombi unik’ e thom se ekzistojnë dy kombe politike me shumicë etnike shqiptare. E përsëris se vet t’shprehunit e autores në variantin gegë të shqipës, më jep të drejtë se nuk ekziston ni komb unik shqiptar!?

S’nanti, autorja lë ta merr munin me e shpjegu e kthjellu se kur janë kriju kombet dhe veçmas, ai shqiptar? Kah vjen nocioni komb në shqip dhe kush e solli atë në mendësinë shqiptare? Kur u ngjiz e kur u maturu ai komb unik shqiptar dhe cilin shtet e territor e kishte në pronësi? Masi po thotë në shkrim se shqiptarët e Kosovës janë nda dhunshëm nga kombi shqiptar, (kur, nga kush dhe si?) pra ajo duhet me e ditë kur kanë jetu shqiptarët në ni komb unik dhe në ni entitet juridik-politik t’quejtun Shqipni, e t’njoftun ndërkombtarisht, pos në tre vjetët e pushtimit nazifashist dhe atëbotë, jo e tân Kosova, sepse ishte e ndame në tre Zona ndikimi, prej të cillave veç Zona e ndikimit italian ishte në ni administrim të përbashkët shqiptar.

Në fund apo s’dheti, kombet janë produkte të nacionalizmit dhe industrializmit e dyja bashkë derivate të modernitetit (fundi i shekullit 18 dhe fillimi i shekullit 19, porse shumë kombeve për me u maturue iu desht edhe fillimi i shekullit 20,) e veçue kombeve tjerë, shqiptarët nisën maturimin si komb më 1912 e me Ligjin e parë Kushtetues dhe Kushtetutën e Parë (vitet ‘20-25) ata e fituen peshën e ni kombi të ri. Kombin shqiptar nuk e krijuen ilirët, as Skënderbeu porse nuk e maturuen as Rilindasit. Ngjizjën e kombit shqiptar e ndihmuen filologët austrohungarezë dhe politika e Perandorisë dubioze Austro-Hungareze, pra intervenimi ndërkombëtar. Ai lindi si pasojë e konfliktit (lufta ruso -turke/kriza lindore dhe shpërbamja e Perandorisë Osmane, si dhe hovi i nacionalizmit shqiptar dhe intervenimi ndërkombëtar (austriak) ngjashëm me lindjën e kombit kosovar.

Shumë faktorë autoktonë e kanë ndihmu kombkrijimin në Kosovë – të tilla si përvoja paraprake demokratike, niveli i zhvillimit ekonomik, dhe homogjeniteti social – mund të ndikojnë në lehtësinë apo vështirësinë e ndërtimit të kombit, por përcaktuesi më i rëndësishëm i kontrollueshëm duket të jetë niveli i përpjekjeve ndërkombëtare, matur në trupat, të hollat dhe kohën.

Kombi kosovar âsht produkt i nacionalizmit etnik shqiptar, që ka dalë nga konflikti dhe e ka finalizu lëvizjën e vet kombëtare me pronësi mbi shtetin nacional më 2008. Sepse komb pa shtet e ni Kushtetutë (ku të gjithë qytetarët u nënshtrohen ligjeve të njâjta) nuk ka! Pra kombi kosovar nuk munet me u injektu në ADN, sepse nuk âsht tablo biologjistike por thjesht konstrukt politik.

Unë besoj tek vlerat qytetare dhe kombet me bazë qytetare dhe jo sidomos tek definicioni i Stalinit për kombet, e të cilin e ka në mbamendje autorja dhe besimi se ekziston ni komb shqiptar i ndamë n’dysh, âsht vërtet gjithshqiptare, që nga secili bari deri tek dy kryeministrat e dy shteteve me shumicë dermuese shqiptare.

E po, këto argumente me gjasë nuk vlejnë për autoren, madje as kur në Kushtetutën e Kosovës – me germë dhe frymë – thuhet se FSK-ja âsht forcë kombëtare e Kosovës, as kur Tony Blair thotë në Kuvendin e Kosovës se ‘kosovarët janë komb i dalun nga konflikti’, as kur Kosova u bâ pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s dhe merr pjesë në Ligën e kombeve (futboll) as që ka ni Teatër kombëtar, ni Bibliotekë kombëtare apo ni Asambël kombëtar të kangëve e valleve…!?

Për autoren me rândêsi âsht qysh menon shumica e jo çka thojnë argumentet.

Këto janë dhetë argumentet e mia, për të cillat janë kundërargumentet e Zojës Prishtina, unë në reagimin e saj emotiv, nuk i gjeta.

P.S.

Në ni debat të argumentuem publik në fushë të sociologjisë, shkencave politike e historisë, tendenca me bâ kuazi psikanalizë (se çka ka pasë autori në nëndije kur ka përdor termat ‘folklorik’, ‘interes serb’, ‘komb unik shqiptar’ etj.) si dhe me mbajtë orë biologjie e besimesh (teologji) nuk i ndihmojnë përafrimit me të vërtetën, veç sa e turbullojnë atë.

E nderuemja Prishtina, duhet me u bind se këto fjalë (nocione) nuk i kam përdor me asni qëllim të msheft, as në kuptim përjashtues, por në burimin e tyne etimologjik. Shkrimi jém nuk âsht eskatologjik, nuk ka t’bâj me vdekjen, gjykimin dhe fatin përfundimtar të shpirtit dhe të njerëzimit. Pra jo me “shkencën e gjânave të fundit” por me jetën dhe raportet praktike sociale në shoqnitë reale njerëzore.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.