Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Të përjashtuarit si banorë të kampeve (I)

Filozofi i njohur italian Giorgio Agamben është dalluar me pandehmat e tij hulumtuese për kampin si strukturë politike dhe juridike e rendit modern, implikimet që ka pasur ky zhvillim mbi kategorinë e të drejtave të njeriut dhe, më kryesorja, “arsyen” e ngjarjeve të tilla; pra, ku qëndrojnë rrënjët e kësaj anomalie. Apo shfaqja e tij është thjesht pasojë e drejtpërdrejtë e kushteve mbi të cilat është e themeluar jeta jonë politike.

Në librin “Homo Sacer – Sovreign Power and Bare Life” (Pushteti sovran dhe jeta e zhveshur) ky mendimtar, i ndikuar po ashtu edhe nga tezat e Micheal Foucault dhe Hannah Arendt mbi biopolitikën apo pushtetin mbi jetën, i hulumton konturat e këtij fenomeni të kobshëm modern.

Siç dihet, që nga koha e Arisitotelit, jeta e thjeshtë reproduktive apo biologjike kishte qenë e përjashtuar nga domeni i politikës. Mendimi klasik grek bazohej në ndarjen ndërmjet jetës politike (polis-πόλις) dhe asaj shtëpiake (oikos-οἶκος). Mbi të parën ishte e bazuar “mbretëria e lirisë”, qytetarisë, kohës së lirë dhe e çlirimit nga barra e obligimeve ditore, kurse mbi të dytën sfera e nevojave, domosdoshmërisë si dhe përkujdesjes për jetën dhe familjen. Aristoteli në veprën e tij “Politika” e kishte kanonizuar këtë ndarje strikte.

Me lindjen e modelit modern të institucioneve shtetërore, kjo ndarje u eliminua. Kurse pikërisht sfera e jetës, ajo që deri atëherë kishte qenë e margjinalizuar, u integrua gradualisht në kuadër të trupave administrativë të menaxhimit politik. Veçoria karakteristike e këtij pushteti, sipas Michel Foucault, ishte përqendrimi i mekanizmave të bio-pushtetit rreth “trupit-lloj, si specie, rreth trupit si vend i zhvillimit të mekanikëve të së gjallës dhe mbështetje e proceseve biologjike”.

Ky autor në fund të veprës “Historia e Seksualitetit 1 – Vullneti për dije” (The Will to Knowledge – The History of Sexuality 1) konstaton se shumimi i këtyre mekanizmave rregullatorë të popullsisë u kushtëzua edhe nga lindja e ekonomisë kapitaliste, sepse kjo e fundit s’mund ta siguronte “rritjen dhe shtrirjen e vet të qëndrueshme pa futjen e kontrolluar edhe të trupave në aparatin prodhues dhe pa përshtatjen e fenomeneve të popullsisë me proceset ekonomike”.

Mirëpo, paradoksalisht, pikërisht në kohën kur çështja e jetës bëhet epiqendër e politikës, intensifikohen masakrat, hovëzon ideja e gjenocidit dhe manifestohet fenomeni i holokaustit. Sepse, sipas Michel Foucault, edhe “luftërat tani e tutje zhvillohen në emër të ekzistencës së përbashkët të shoqërisë, popullsi të tëra ndërsehen për të vrarë njëra-tjetrën në emër të domosdoshmërisë jetike të secilës. Masakrat bëhen çështje jetike”. Pra, perversione të tilla u shfaqën nga shtytja për ta siguruar hapësirën jetike kombëtare dhe si rezultat i drejtpërdrejtë i lindjes së bio-politikës.

Ndërkaq, kampet shndërrohen në hapësirë “efikase” të materializimit të këtyre strategjive te reja politike. Vendi “ideal” ku ata që perceptohen si rrezik biologjik për një komb, kundërshtarët e shënjuar racor, zhvishen nga të drejtat e tyre morale, politike dhe civile. Shndërrohen vetëm në qenie të pastra natyrore dhe biologjike.

Karakterin morbid të këtij institucioni ku ishte organizuar mbretëria e vdekërimit kolektiv e ka analizuar në mënyrë brilante Hannah Arendt në veprën e saj monumentale “Origjinat e totalitarizmit” (The Origins of Totalitarianism).

Për këtë teoriciene të spikatur politike të shekullit XX, kampet e përqendrimit u bënë shprehje e besimit omnipotent “nihilist” se “gjithçka është e mundur”. Dhe ato treguan më mirë se asgjë tjetër se shumë prej nocioneve tradicionale që imagjinata njerëzore që nga kohërat homerike i kishte projektuar në botën e nëndheshme të Hades-it mitologjik dhe ferrit religjioz mund të mbijnë në botën e të gjallëve pa bërë që “toka të hapet apo qielli të çahet”. Prandaj nëse, siç thotë Ismail Kadare, disa nga krenajat e “letërsisë botërore e kanë origjinën nga ferri”, atëherë të njëjtën gjë mund ta themi edhe për disa nga veprat sipërane të mendimit filozofik që u lindën nga nevoja për ta zbardhëlluar konceptualisht përvojën skëterrore të kësaj bote.

 Të zhveshur nga të drejtat

Në këtë kontekst, edhe Giorgio Agamben ngjashëm e mbron tezën se në këto “fabrika të vdekjes” u manifestuan kushtet më çnjerëzore të mundshme (conditio inhumana), që nga kohërat që s’mbahen mend mbi rruzullin tokësor. Mirëpo, sipas këtij filozofi me nam global, gjenezën e këtij fenomeni duhet kërkuar te disa nga konditat bizare të funksionimit të jetës politike moderne.

Mjerisht kampet nuk është se u lindën vetëm me botën totalitare, por as s’janë zhdukur plotësisht nga përdorimi me kolapsin e këtij sistemi të paprecedent në historinë e organizimeve politike. Kuptohet, ka ndryshuar mënyra e funksionimit dhe përdorimit të tyre. Ato s’shërbejnë më si mediume të ‘mega-vdekjeve’. Mirëpo si hapësirë e veçuar juridike dhe politike, si vend ku manifestohet “gjendja përjashtimore” (state of exception), vazhdon të ekzistojë deri në ditët e sotme.

Cilat janë arsyet që edhe modeli ynë shtetëror bashkëkohor i prodhon të përjashtuarit, të tepërtit?  Ata që s’mund t’i integrojë në mënyrë “natyrore” brenda trupave të tij politikë dhe juridikë? Pamundësi kjo e cila ndikon që kampi të shndërrohet në një hapësirë të domosdoshme për menaxhimin e kategorive të tilla që e formojnë “zgjyrën e tokës”. Ashtu sikur, bie fjala, që në rregullimin romak këtë funksion e luante homo sacer-i, një figurë kjo e zhveshur nga çdo e drejtë politike, civile dhe juridike, që “nuk gëzonte mbrojtje ligjore, madje mund të vritej nga kushdo dhe që i ndalohej edhe sakrifica sipas ritualeve fetare”.

Për Giorgio Agambenin, kontradikta të tilla, të vjetra thuajse sa mendimi ynë politik, por të ndryshme në formë, e kanë bazën te disa nocione themelore politike që s’kanë arritur të ofrojnë zgjidhje adekuate për presionet e shumëfishta dhe akute që lidhen me shtetin–komb.

Për këtë filozof, “shtet-kombëtar do të thotë shtet që e vendos vendlindjen (la nativita) në themel të sovranitetit të vet”. Me këtë formulë shteti-komb modern definohet mbi tri shtylla kryesore: “territori, shteti dhe lindja”. Një nexus i tillë e formon trinitetin e këtij entiteti.

Po ashtu, në punimin “Përtej të drejtave të njeriut” (Beyond Human Rights), Agambeni konstaton se “parimi i vendlindjes dhe ai i sovranitetit që ishin ndarë në Ancien Regime (ku lindja sillte vetëm vartësinë) gjenden tashmë pazgjidhshmërisht të bashkuar në trupin e ‘subjektit sovran’, duke përbërë kështu themelin e këtij shteti-kombëtar. Në këtë fiksion përfshihet e nënkuptuar ideja se lindja (nascita) bëhet vetvetiu komb (nazione) në mënyrë të tillë që të mos ketë asnjë çarje”.

Në këtë aspekt, edhe korpusi i të drejtave të njeriut, me anë të së cilave ne i kemi ndërtuar standardet dhe kriteret për gjykim juridik, s’është asgjë tjetër pos produkt i kësaj ndërthurjeje.

Ndërkaq krizën më të spikatur ky model e përjetoi në shekullin XX, si pasojë e shfaqjes masive të kategorisë së refugjatëve të të gjitha llojeve, qoftë të atyre që emigruan për shkaqe ekonomike, politike apo të të shpërngulurve për arsye të luftërave dhe spastrimeve etnike. Kjo krizë erdhi si pasojë e kufizimeve politike dhe juridike të kësaj strukture, për ta integruar, asimiluar dhe natyralizuar në mënyrë të menjëhershme këtë valë masive të të huajve që s’ishin të lindur në kuadër të vendit strehues. Sepse refugjati më shumë se askush tjetër e “shkatërron trinitetin e vjetër shtet-komb-territor”.

Prandaj s’është e rastësishme që kampet e para u lindën pikërisht nga nevoja për t’u ballafaquar me këtë fenomen. Si zgjidhje e përkohshme për një problem konstant të kohës sonë. Nga detyrimi për ta menaxhuar fatin e disa qenieve njerëzore që s’i takojnë asnjë vendi. Pa të drejta. Pa identitet. Dhe të papërfaqësuar politikisht dhe juridikisht. Jeta e zhveshur e të cilëve administrohet në hapësira të mbyllura dhe që dalin jashtë rendit të zakonshëm juridik dhe politik. E  si shembull paradigmatik të kësaj logjike, Giorgio Agambeni e merr edhe rastin e imigrantëve ilegalë shqiptarë në vitin 1991, kur autoritetet policore të shtetit italian i kishin mbyllur përkohësisht, para se t’i dëbonin ata në vendin e origjinës.

Paradokse të tilla askush s’i ka përshkruar më mirë se sa shkrimtari i njohur austriak me origjinë hebraike Stefan Zweig, në librin e tij “Bota e djeshme – Kujtimet e një evropiani” ku e pasqyron me një mjeshtëri të rrallë artistike dhe letrare gjendjen e “njerëzve pa atdhe”. Anulimi i shtetësisë austriake dhe zhvleftësimi i pasaportës, diçka që, siç thotë ky shkrimtar, “deri atëherë i kisha marrë si të mirëqena”, shënuan një moment dramatik në jetën e tij. Papritmas, konstaton ai, “nga qytetar u bëra refugjat”.

Sidoqoftë, me qëllim të lehtësimit dhe humanizimit të kësaj krize, që nga “Traktati i minoriteteve” para Luftës së Dytë Botërore e deri më sot, njerëzimi ka krijuar një sërë standardesh, kriteresh dhe rregullash ndërkombëtare me motiv detyrimin e vendeve të veçanta për t’i adaptuar ato në kuadër të sistemit të tyre politik, për ta siguruar trajtimin sa më adekuat të kësaj trysnie akute. Plagomë kjo që fatkeqësisht vetëm sa po vjen duke u intensifikuar dhe përkeqësuar për shkak të problemeve ekonomike, sociale dhe politike në nivel global.

Por, sa është arritur në tejkalimin e kësaj çarjeje, kjo është tema e filmit “Stateless”(Pa Shtetësi), që kohë më parë u transmetua në platformën digjitale Netflix. (vijon)

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.