Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Dinamika e migrimit dhe perspektivat e ardhshme për komunitetin serb në Kosovë

Panorama e Mitrovicës së Veriut, pjesa serbe e qytetit, me ndërtesa banimi të shkatërruara.

Komuniteti serb është grupi i dytë më i madh etnik që jeton në Kosovë dhe komuniteti më i madh joshumicë me mekanizma të veçantë për ndarjen e pushtetit, të përcaktuara në Kushtetutën e Kosovës. Megjithëkëtë, të dhënat zyrtare të sakta për përqindjen e popullsisë që ata përbëjnë në Kosovë vazhdojnë të jenë ende të padisponueshme. 

Pas luftës së vitit 1999, serbët bojkotuan çdo regjistrim të organizuar në Kosovë, gjë që rezultoi në mungesë të shifrave të sakta të popullsisë. Vlerësimet nga Grupi për të Drejtat e Minoriteteve në vitin 2011, sugjeruan që në Kosovë jetonin rreth 150.000 serbë etnikë, që përbënin rreth 7.8% të popullsisë së përgjithshme. 

Sipas një vlerësimi tjetër të bërë nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave në vitin 2023, popullsia e përgjithshme serbe kishte rënë në 100.000. Megjithëse burime të ndryshme nuk mund të bien dot dakord për shifrat e sakta, ka një konsensus mbi trendin negativ të vërejtur ndër vite. 

Këto shifra pasqyrojnë një rënie të vazhdueshme të numrit të serbëve që jetojnë në Kosovë përgjatë dekadës së fundit. Ekzistojnë disa faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në migrimin e serbëve të Kosovës, gjë e cila vë në pikëpyetje të ardhmen e komunitetit serb në Kosovë. 

Arsyet ekonomike 

Ekonomia e pazhvilluar e Kosovës shtyn shumë njerëz me prejardhje të ndryshme etnike të ikin nga Kosova. Sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), Kosova ka një nga nivelet më të larta të emigrimit në rajon, me 22% të qytetarëve të saj që jetojnë në vendet e OECD-së. Emigrimi i qytetarëve nga Kosova në Europë është trefishuar në periudhën 2011-2019. Me liberalizimin e vizave nga BE-ja, është e pritshme që ky trend negativ të vazhdojë të rritet.

Ngjashëm, serbët po largohen nga Kosova për shkak të mungesës së mundësive për punë dhe prosperitetit të kufizuar. Sipas një sondazhi të UNDP-së, varfëria dhe papunësia janë identifikuar si sfidat kryesore në mbarë Kosovën, të cilat prekin të gjitha komunitetet. Ky trend është posaçërisht i theksuar në mesin e komuniteteve serbe që jetojnë në enklava në Kosovën qendrore dhe jugore, ku vështirësitë ekonomike janë më të theksuara. 

Një anketë e realizuar nga OJQ Aktiv, që targeton serbët në veri dhe pjesë të tjera të Kosovës, vuri në dukje se serbët që jetojnë në veri janë pak më të pakënaqur me situatën e përgjithshme ekonomike sesa ata që jetojnë në jug të lumit Ibër. Kjo paraqet një gjetje të rëndësishme, duke pasur parasysh se gjendja ekonomike për ata që jetojnë në veri ishte më e mirë sa i përket punësimit, krahasuar me serbët që jetojnë në enklava në pjesët e tjera të Kosovës. Kjo pabarazi pritet të kontribuojë në presionin migrator mbi serbët e Kosovës në të ardhmen.   

Një nga arsyet kryesore për situatën relativisht më të mirë ekonomike në veri ishte prania e institucioneve të financuara nga Serbia, si për shembull shkollat, spitalet, universitetet dhe ndërmarrjet publike. Këto institucione kontribuojnë në nivele më të larta punësimi, paga më të mira dhe, për rrjedhojë, përmirësim të standardeve të jetesës. Megjithëkëtë, me rregulloren e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb, ekziston rreziku që pagat dhe pagesat e tjera sociale nga Serbia të ndërpriten, duke çuar potencialisht në ndërprerjen e funksionimit të këtyre institucioneve. Ky skenar do të kishte pasoja thellësisht negative për komunitetin serb dhe do të mund të nxiste migrimin e mëtejshëm. 

Sfidat e sigurisë dhe mbrojtjes 

Siguria mbetet shqetësimi kryesor i komunitetit serb në Kosovë. Për shembull, vetëm përgjatë vitit 2023 pati 179 sulme të motivuara etnikisht në Kosovë, duke shënuar kësisoj një rritje të konsiderueshme ndër vite, sipas Zyrës Serbe për Kosovë dhe Metohi. Plagosja e dy djemve serbë në ditën e Krishtlindjeve nga një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës nxjerr në pah marrëdhëniet e tensionuara etnike. Për më tepër, ka raste të shumta të sulmeve ndaj serbëve të kthyer dhe pronës së tyre, të cilat rrallë marrin epilog. 

Sondazhet e fundit të opinionit publik konfirmojnë se gjendja e sigurisë për komunitetin serb është alarmante. Sipas anketës së OJQ-së Aktiv, 83% e të anketuarve në veri e vlerësojnë situatën e sigurisë si “shumë të keqe”, ndërkohë që 69% e tyre thonë se ata personalisht apo anëtarët e familjes së tyre janë në rrezik të drejtpërdrejtë. 

Gjetje të ngjashme vihen re edhe në hulumtimin e Pulsit Publik të UNDP-së, i cili vë në dukje se vetëm 38% e serbëve në Kosovë ndihen të sigurt jashtë. Të dhënat nga i njëjti hulumtim tregojnë një hendek prej 43.2% kur krahasohen me nivelet e sigurisë midis serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës, që nënvizon një shpërputhje të madhe.

Së fundi, prania e grupeve të organizuara kriminale që veprojnë në veri paraqet një sfidë tjetër të sigurisë. Këto grupe përdorin taktika të ndryshme për t’i arritur qëllimet e veta, si kërcënimet me vdekje, rrahjet, vendosjen e bombave dhe djegien e makinave, duke kontribuuar kësisoj në një atmosferë frike dhe pasigurie. Ndërkohë që disa prej aktiviteteve të tyre mund të jenë të motivuara politikisht, prania e përhapur e krimit të organizuar shërben si motiv i fortë që njerëzit të migrojnë.   

Politikat armiqësore të Qeverisë së Kosovës 

Veç vështirësive ekonomike dhe pasigurisë së përgjithshme, qëndrimi i Qeverisë së Kosovës karshi komunitetit serb shërben si një faktor i rëndësishëm që i shtyn ata të largohen nga Kosova. Edhe pse kryeministri Albin Kurti po përpiqet që në publik të shfaqet i afërt me serbët, duke folur serbisht, në praktikë, veprimet e qeverisë së tij kanë qenë vazhdimisht armiqësore karshi komunitetit. 

Refuzimi i Kurtit për të zbatuar Marrëveshjen e Brukselit (2013), posaçërisht në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe (AKS), paraqet një pikë kyçe të mosmarrëveshjes. Ky refuzim, jo vetëm që ua mohon serbëve të Kosovës një shkallë autonomie, e cila u pranua nga Qeveria e Kosovës dhe u ratifikua nga Parlamenti i Kosovës, por po ashtu i nënshtron ata ndaj presionit të hapur institucional. 

Ky presion institucional karshi serbëve është manifestuar në veprime të ndryshme përgjatë viteve të fundit. Ndalimi i importit të të gjitha mallrave nga Serbia ka efekte të dëmshme për komunitetin serb, duke ndërprerë financimin e Fondit Zhvillimor për Komunat në veri të Kosovës. 

Veç kësaj, vendosja e rregullt e njësive speciale të policisë në veri, arrestimet sporadike të serbëve pa urdhër-arrest, bashkërisht me ndërtimin e bazave policore në pronat e shpronësuara ilegalisht nga serbët vendas, kanë kontribuuar në një mjedis shumë armiqësor.

Për më tepër, vendimi për ndalimin e dinarit serb, nga popullata vendase dhe gjithashtu nga aleatët e Kosovës, po shihet si një përpjekje për të ushtruar presion mbi popullatën serbe dhe për të zhbërë institucionet e drejtuara nga serbët, si shkollat dhe spitalet. E gjithë kjo pa e përmbushur zotimin për zbatimin e AKS-së.

Sipas Marrëveshjes së Brukselit, këto institucione duhet të kalojnë nën autoritetin e AKS-së. Megjithëkëtë, refuzimi i Kurtit për ta themeluar AKS-në e ka komplikuar tutje situatën. Për më tepër, Qeveria Kurti shpeshherë fajëson serbët dhe targeton shoqërinë civile, duke e përkeqësuar atmosferën edhe ashtu të tensionuar. 

Këta janë veç disa nga faktorët kryesorë që kontribuojnë në rënien e shpejtë të popullsisë serbe në Kosovë. Nëse ky trend vazhdon, serbët e Kosovës do ta humbasin rëndësinë e tyre politike dhe kjo mund ta shtyjë Serbinë të marrë një qëndrim më të sertë karshi Kosovës, duke penguar integrimin rajonal dhe europian të Serbisë dhe Kosovës.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.