Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Kosova dhe pretendimi hyjnor i Kishës Ortodokse Serbe

Siç deklarohet shpesh, negociatat në Bruksel kanë për qëllim arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë. Një marrëveshje e tillë hipotetike do të çonte në njohjen e Kosovës nga Serbia dhe pranimin e saj në organizata ndërkombëtare. Krejt këto procese ndërtohen brenda suazave të negociatave politike, që tash e sa vjet zhvillohen në mes qeverish e presidentësh të të dy vendeve. Pra, negociata që udhëhiqen nga liderë politikë të cilët veprojnë, të paktën teorikisht, konform kornizave të tyre ligjore e kushtetuese. Mirëpo, tema që do të shtjellohet më poshtë nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me realitetin politik, pjesë e të cilit janë edhe këto negociata. Do të shtjellohet një realitet tjetër, ai religjioz, specifikisht ai i Kishës Ortodokse Serbe, dhe i ndikimit dhe mpleksjes së saj me realitetin politik.

Realiteti fetar i Kishës dhe politika

Përderisa negociatat në Bruksel kanë të bëjnë ekskluzivisht me realitetin politik, ato nuk e prekin temën e realitetit fetar. Ose më saktë, ndoshta e prekin, por nga këndi i mbrojtjes së tyre (narracioni serb) e jo nga pikëvështrimi i ndikimit politik të Kishës në dëm të shtetësisë së Kosovës (që do të mund të ishte narracioni kosovar).

Në teori thuhet se politika është e ndarë nga feja dhe gjersa kjo e para merret me punët e shtetit, e dyta kujdeset për botën shpirtërore e hyjnore të grigjës së saj. Mirëpo, në rastin në fjalë, roli i fesë gërshetohet me politikë dhe anasjelltas dhe kjo pasi vetë Kisha Ortodokse Serbe është produkt i negociatave mbi statusin e Kosovës, negociata që e formalizuan atë në territorin e Kosovës. Për më tepër, luftërat e fundit në ish-Jugosllavi dëshmuan se në rastin më të mirë, kleri serb qëndroi indiferent karshi politikës dhe agresionit të Beogradit, e në rastin më të keq ishte përkrahëse aktive e akteve kriminale, madje edhe duke i bekuar formacionet paramilitare para se të niseshin për në front.

Kisha Ortodokse Serbe, e njohur si e tillë, u zyrtarizua gjatë negociatave të Vjenës për statusin e ardhshëm të Kosovës. Në dokumentet e mëhershme – ato që krijuan bazamentin për Kosovën e pasluftës (Marrëveshja e Rambujesë, Rezoluta 1244, dhe Korniza Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme) – i referohej vetëm përgjithësisht parimit të së drejtës së praktikimit të fesë dhe të ruajtjes së trashëgimisë kulturore, fetare e historike. Negociatat e Vjenës e konkretizuan atë duke i dhënë emër e mbiemër si dhe pronësi. Ajo çfarë rezultoi nga këto negociata – Propozimi Gjithëpërfshirës i Ahtisaarit, përkatësisht Aneksi V mbi Trashëgiminë Fetare dhe Kulturore – flet për të drejtat, privilegjet dhe imunitetet e kësaj kishe në Kosovë. Më tutje, deklaron se Kosova njeh Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, duke përfshirë manastiret, kishat dhe vendet e tjera që përdoren për qëllime fetare, ”si pjesë integrale të Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd”.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk i referohet specifikisht kësaj teme, mirëpo në Nenin 9 (Trashëgimia Kulturore dhe Fetare), ajo stipulon se Kosova ”siguron ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë së vet kulturore dhe fetare”. Po ashtu, në Dispozitat Përfundimtare të Kushtetutës deklarohet qartë se autoritetet e Kosovës veprojnë me të gjitha detyrimet sipas Propozimit Gjithëpërfshirës të Ahtisaarit. Për më tepër, dispozitat e Propozimit Gjithëpërfshirës ”kanë epërsi ndaj të gjitha dispozitave të tjera ligjore në Kosovë”.

Rrjedhimisht, edhe pse Kushtetuta nuk e përmend deklarativisht Kishën Ortodokse Serbe, ajo i merr përsipër të gjitha obligimet, pra edhe ndaj kësaj kishe, si pasojë e përvetësimit të Propozimit Gjithëpërfshirës. Dhe në fund është edhe Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, që mes të tjerash stipulon të ”sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb, si dhe për komunitetet e tjera në Republikën e Kosovës”.

Në shikim të parë e gjithë kjo kornizë ligjore e kushtetuese ka një qëllim fisnik dhe qytetërues: atë të ushtrimit të lirë të së drejtës bazike njerëzore të praktikimit të fesë, si dhe të ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe fetare. Jam i sigurt se edhe në negociatat e Vjenës ky ishte rezonimi i delegacionit kosovar: në shkëmbim të pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj nga Serbia (që në atë kohë ishte ende ”në lojë” bashkë me Rusinë), ishte e logjikshme dhe e kuptueshme që klerit të pakicës serbe në vend t’i njihej statusi i veçantë si Kishë Ortodokse Serbe.

Në fund të fundit, si mund të refuzohet e drejta legjitime e një qytetari serb që të ketë lidhje shpirtërore direkte me kishën zyrtare të kombit të vet (Serbisë)? Ne si shtet, jo vetëm që duhet t’i lejojmë të drejtat fetare, por edhe t’i mbrojmë e t’i promovojmë ato në mënyrë proaktive. Madje edhe pa asnjë hezitim ta njohim relacionin direkt të kishave e manastireve në Kosovë me Kishën Ortodokse Serbe në Beograd. Kjo ishte logjika mbizotëruese në atë kohë sepse në fund të fundit feja është e ndarë nga politika, apo jo?

Pretendimi i ”pafajshëm” hyjnor

Si rrjedhojë rezulton se Kisha Ortodokse Serbe, në emër të lirisë së ushtrimit të fesë dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, gëzon të drejta supra-kushtetuese. Për më tepër, ato të drejta madje nuk mund të derogohen njëanshëm nga autoritetet e Kosovës. Kjo ndërlidhet pastaj edhe me sundim të ligjit. Madje, për komunitetin ndërkombëtar, mbrojtja e saj gjithmonë do të jetë kriter që do të informojë zbatimin e sundimit të ligjit në vend.

Natyrisht se mbrojtja e lirive fetare dhe e trashëgimisë kulturore është akt civilizues dhe që duhet mbështetur, sidomos nga korniza kushtetuese e ligjore moderne si kjo e Kosovës. Mirëpo, kjo do të ishte më e natyrshme në situatë kur shteti fqinj njeh pavarësinë tënde, nuk ka pretendime territoriale ndaj teje dhe e konsideron të ndarë pushtetin politik nga ai religjioz. Por ky nuk është realiteti politik. Prandaj, kështu si është, Kosova ka ndërtuar një raport skizofrenie karshi Kishës Ortodokse Serbe në vend: në njërën anë zotohet në mbrojtjen e saj (ashtu si edhe duhet), pasi i konsideron ato trashëgimi të veten po ashtu, ndërsa në anën tjetër është ambivalente për rolin e klerit të saj dhe i druhet asaj si potencialisht Kalë i Trojës brenda shtetit. Pse është kështu?

Negociatat në Bruksel na bëjnë të harrojmë nganjëherë se pretendime ndaj Kosovës nuk ka vetëm shteti serb, por edhe Kisha Ortodokse Serbe. Bile, sipas Kishës dhe narracionit të saj, pretendimi mbi Kosovën daton që nga mesjeta e hershme. Qëndrimi i tyre në Kosovë pretendohet të jetë detyrë e shenjtë. Një kalvar i lehtë për mishin (krahasuar me shpërblimin e botës së përtejme) përkundër vështirësive të çastit, siç është rasti tani me Kosovën e pavarur. Vetë Dioçeza e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë e prezanton veten si “bastion kundër të pafeve, josllavëve dhe joserbëve” që për 1000 vjet rresht është përballur me sfida të Golgotës.

Momentalisht, sfidë është Kosova e pavarur që, sipas logjikës mijëvjeçare të pretendimit hyjnor, është pengesa e radhës që eventualisht do të tejkalohet. Nga distanca selestiale e gjërave, nuk është me rëndësi se a do të vazhdojë kjo pengesë për 10 vjet apo 100. Në ndërkohë, çdo incident është i padëshirueshëm por edhe rast oportunist, pasi ato ushqejnë sensin e viktimës nga kleri. Kujtojmë liturgjinë në qershor të klerit serb në objektin e papërfunduar në kampusin universitar në Prishtinë. Çfarëdo incidenti do të shfrytëzohej në maksimum për martirizimin e popullit serb në duart e shqiptarëve të papërmirësueshëm. Pra, kleri e konsideron veten martir i popullit që sakrifikon trupin e vet për hir të shpirtit të kombit. Viktimizimi pastaj ushqen narracionin e “tokës së shenjtë” të Kosovës në të cilën një ditë ata do të kthehen.

Pra, ndryshe nga shteti serb që e pretendon Kosovën me kushtetutë e ligje, mund të thuhet se pretendimet e Kishës Ortodokse Serbe janë edhe më të gjera dhe etereale. Ato janë pretendime territoriale e ajrore, janë të kësaj bote e asaj tjetrës, pra janë të tejbotshme e të përjetshme. Bashkëjetesa incestuoze shtet-kler fetar e bën çpleksjen e këtij pretendimi mjaft kompleks. Kjo sepse, ta zëmë, edhe nëse shteti serb vendos nesër që ta njohë pavarësinë e Kosovës, nuk do të mjaftonte amandametimi i kushtetutës së tyre. Ky është akt politik në fund të fundit. Mirëpo, si do të hiqej dorë nga pretendimi territorial e hyjnor i Kishës Ortodokse Serbe mbi Kosovën? Si të amandamentohet mendësia shpirtërore e një populli?

Në letrën e 20 majit të këtij viti, drejtuar Sava Janjiçit, kryemurgut të Manastirit të Deçanit, kryeministri Kurti shpreh interesimin që ta vizitojë atë, nënvizon përkushtimin e shtetit kosovar për mbrojtjen e ”trashëgimisë kulturore të të gjitha komuniteteve në Kosovë” dhe thekson se ”asetet e trashëgimisë së pasur të Kosovës” janë burim krenarie, identiteti e edukimi. Në njoftimin që pasoi, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit informon se takimi i sugjeruar është ”krejtësisht i pakuptimtë” përderisa nuk zbatohet njëvendim i mëhershëm i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronën e Manastirit të Deçanit (vendimi i vitit 2016 flet për njohjen e pronës së manastirit). Sidoqoftë, nuk mund të mos potencohen edhe disa arsye të tjera që shpjegojnë refuzimin e tyre për t’u takuar me kryeministrin.

Në letrën e tij vërehet se Kurti asnjëherë nuk flet për ”Kishën Ortodokse Serbe”. Kur flet për trashëgiminë kulturore ai u referohet të gjitha komuniteteve e nuk e veçon atë serbe. Për më tepër, këtë trashëgimi e quan të Kosovës. Përderisa letra e tij i qëndron logjikës shtetërore, medoemos se këto referime do të kenë qenë të papranueshme për klerin serb. Kjo sepse Kisha Ortodokse Serbe dhe prezenca e saj në Kosovë nuk janë thjesht realitete fetare por edhe faktorë politikë. Veprimet e Kishës, sidomos karshi Qeverisë në Prishtinë, janë politike. Si e tillë, mbase në Bruksel ia vlen të diskutohet jo vetëm për pretendimin ligjor e kushtetues të Serbisë mbi Kosovën, por edhe atë fetar e hyjnor.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.