Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Shkrimi dhe variacionet e tij

Ky artikull ka të bëjë me shkrimin dhe variacionet e tij. Për atë se si shkrimi mund t’i përkasë letërsisë dhe të marrë formën e një tregimi, poezie apo romani. Por shkrimi mund të jetë edhe publicistik apo eseistik dhe ta trajtojë një temë të caktuar sociale, politike apo kulturore. Për më shumë, shkrimi mund të jetë akademik, i mbështetur në metodologji rigide dhe të dhëna empirike, në bazë të të cilave ndërtohet një teori apo arrihet në konkluza të caktuara. Pra, shkrimi është mjeti që përdoret, ndërsa substanca e tij përcakton zhanrin, metodologjinë dhe natyrën e shkrimit. Më poshtë po sjellim një itinerar të praktikimit të shkrimit nëpër këto fusha të ndryshme, bazuar në përvojën personale të autorit përgjatë viteve. Kjo është storie e metamorfozës së shkrimit dhe pasojat që bart ajo kur zbrazet në letër (apo në laptop, si në këto momente).

Zakonisht dashuria për shkrimin fillon diku në adoleshencë dhe manifestohet në një poezi, një strofë, apo edhe në një varg të vetëm. Ndoshta pastaj kalohet edhe në tregim të shkurtër 2-3-faqësh. Më shumë se dashuri, kjo lidhje është si njëfarë obsesioni,një përndezje delirante ndjenjash. Ajo çfarë në fakt njeriu ndien në gjenezën e tij si autor është se ja, edhe unë po shprehem, po krijoj. Po shkruaj. Ndërsa deri më tani vetëm kam lexuar. Me këtë rast është një lëvizje vendimtare që ndodh në qenien e të riut, gjë që sjell një si lumturi të lehtë flatruese. Edhe pse në retrospektivë është e pashmangshme që ato shkrime të hershme të lëngojnë në shprehje e kreativitet, ato prapë se prapë mbesin dëshmi e flirtimit më të hershëm me shkrimin.

Dhe ky shkrim krijohet zakonisht brenda kornizës së poezisë dhe tregimeve, pra letërsisë si dashuria më e hershme. Zaten, shumë nga ata që merren me shkrime të llojeve të tjera (gazetarë, akademikë, filozofë), fillet e shkrimit i kanë pasur në letërsi. Kjo ndoshta sepse të shprehurit në poezi apo tregim të shkurtër shikohet si diçka më e lehtë (edhe pse nuk është më lehtë, por të paktën ka më pak tekst), apo sepse letërsia për shumëkënd është dashuri e parë, edhe pse më vonë e braktisur për shkrim akademik, gazetaresk apo publicistik.

Pas fillimit të studimeve akademike, shkrimi papritmas fillon të përjetojë modifikime të brendshme. Nëse, ta zëmë, studion në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, shkrimi fillon t’u nënshtrohet kallëpit autoritar të rregullave akademike dhe zhargonit politik. Eseja duhet të ketë hyrje, pasuar nga trungu, ku elaborohet problematika dhe nxirret konkluza, dhe pastaj nga një përfundim ku duhet përsëritur në mënyrë koncize atë që është thënë më lart. Për më shumë, shkrimi akademik në shkenca politike nuk duron metaforën, fluturimet poetike. Shkrimi akademik e politik është më prozaik, vjen si i drunjtë e i thatë. Aty kërkohet metodologji e caktuar, analiza duhet shtjelluar brenda konturave të caktuara të rregullave akademike.

Shkrimi letrar, në anën tjetër, përfytyrohet si një krijesë më e njomë e delikate, kufijtë e së cilës janë vetë imagjinata. Mirëpo, është gjuha ajo që mund të tingëllojë delikate, se temat që rrek letërsia mund të jenë plot gjak e tragjedi. Letërsia mban në gjirin e saj poezi lirike si ato të Lasgushit, por edhe drama plot tmerr e gjak si ato të Shekspirit. Në anën tjetër, shkrimi akademik mbi marrëdhëniet ndërkombëtare eksploron botën realpolitike të Morgenthaut, apo ofron qasje inovative mbi konceptualizimin e paqes e konflikit nga Johan Galtung e John Paul Lederach. Janë këto dy shemra që tashmë jetojnë brenda studentit – ajo e letërsisë, që vjen si dashuria e parë, dhe bota e politikës që imponohet si më e vrazhdë, rigide e joimagjinative. Në vrazhdësinë e saj ka rrezik që ta mbysë shkrimin letrar brenda studentit.

Pas studimeve ti mund të punosh në organizata ndërkombëtare, mund të këshillosh qeveri e parlamente. Mund të mbash fjalime në konferenca e simpoziume. Gjasat janë që gjatë kësaj karriere shkrimi akademik – ai shkrimi rigid e i paimagjinatë – do të të shërbejë mjaft mirë. Mësimet e akumuluara përgjatë viteve të kanë trajnuar mjaft mirë se si të formulosh një raport “të orientuar nga politikat përkatëse”, të pajisur me një sërë rekomandimesh që u adresohen qeverisë, shoqërisë civile apo mediave. Raporti patjetër se do të jetë i armatosur me zhargonin ditor si “fuqizim”, apo “pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në vendimmarrje”, apo “demokraci të konsoliduara versus shtete autoritare” etj. Intervistat, trajnimet e konferencat po ashtu do të jenë të spërkatura gjithandej me këtë fjalor “të orientuar nga politikat përkatëse”.

Fjalimet janë të strukturuara sipas “talking points”, që në mënyrë precize i diktojnë folësit çka të thotë e çka kurrsesi të mos thotë (gjë shumë e rëndësishme po ashtu). Në esencë,ky është një fjalor mjaft i thatë e robotik. Është represiv gjithashtu, sepse në mënyrë implicite kjo mënyrë e shprehjes bën thirrje për uniformitet në shprehje, në njëtrajtshmëri. Sidoqoftë, ky është fjalori që dominon si në rrethe qeveritare, shoqëri civile, apo organizata ndërkombëtare, dhe si i tillë luan rol kyç në mbarëvajtjen e institucioneve e në komunikimin zyrtar.

Shtrohet pyetja: Ç’mbeti me shkrimin letrar? Ekziston rreziku real që, si ëndrrat e fëmijërisë, edhe shkrimi letrar eventualisht të harrohet nën trysninë e vrazhdë të shkrimit akademik, politik, publicistik apo eseistik. Ti tashmë mund t’i kesh kryer të gjitha shkallët e shkollimit akademik. Më në fund ke kohë që t’u kthehesh më seriozisht leximit dhe shkrimit letrar. Dhe e kupton atë që në ndërdije e ke ditur vazhdimisht: shkrimi letrar duket të jetë më sipëran, më i lartë për nga shprehja, forma e përmbajtja se çfarëdolloj forme tjetër shkrimi. Nëse autori arrin t’i kapë sferat më të larta të lirisë dhe shprehjes individuale, pa iu nënshtuar trysnisë apo konformitetit të jashtëm, nëse ekziston një pikë imagjinare ku ai arrin tek e vërteta që është e tij dhe e askujt tjetër, ajo pikë ka qenë dhe vazhdon të mbetet shkrimi letrar.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.