Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Vetëpunësimi, mjet fuqizimi apo pabarazimi?

Ilustrimi: BigEye

Që nga paslufta, Banka Botërore i ka shpallur ndërmarrësinë dhe vetëpunësimin si dy nga strategjitë kryesore për fuqizimin ekonomik të grave, zhvillimin e vendit dhe avancimin e barazisë gjinore. Si bankë udhëheqëse në prodhimin e dijeve për zhvillim, Banka Botërore, për gati 24 vjet, prodhon hulumtime dhe rekomandime që synojnë të nxisin gratë drejt vetëpunësimit, çka është përkthyer me nisma të vazhdueshme nga shteti i Kosovës dhe organizatat e shoqërisë civile për ta zhvilluar “potencialin ndërmarrës” të grave kosovare.

Siç është konstatuar në disa hulumtime të tjera, tregu i punës në Kosovë vazhdon të jetë në masë të madhe joformal – (rreth 39.5 %). Ky treg absorbon një numër të madh të grave që punojnë me rrogë, me rreth 1 në 3 prej tyre që punojnë joformalisht. Ngjashëm, gjetjet e fundit për ndërmarrësinë e grave tregojnë një përqindje të ulët të aktiviteteve të formalizuara ndërmarrëse, me një koncentrim të madh te sektori i shërbimeve.

Sipas një hulumtimi të  Institutit GAP, nga 18% të ndërmarrësive të grave, pjesa dërrmuese janë të koncentruara në shumicë dhe pakicë (27%), aktivitete të shërbimeve (17.1%) dhe prodhimtari. Ndërsa, për pjesën dërrmuese, ndërmarrësia është çarja e fundit që ato gjejnë për t’i ikur varfërisë.

Vetëpunësimi dhe ndërmarrësia, sidomos te gratë e klasës punëtore dhe ato të varfra që targetohen nga Banka Botërore dhe organizatat e tjera të huaja dhe lokale, nuk e sigurojnë as barazinë, as lirinë që premtojnë. Prandaj, kërkohet një kritikë e konceptit të vetëpunësimit prej pikëpamjes së teorisë feministe të punës, e cila sugjeron se koncepti i ndërmarrësisë është koncept klasor dhe i gjinizuar. Këtu vetëpunësimi kuptohet si strategji e cila e dëmton konceptin e punëtorit/es dhe thellon dhe riforcon pabarazitë gjinore, duke i bërë gratë fytyra të prekariatit dhe fleksibilitetit.

Cilat janë problemet me vetëpunësimin?

Vetëpunësimi është një nga format më të pasigurta të punësimit, që, sot, i diktuar nga qeverisja neoliberale, është vënë në funksion të transformimit ideologjik dhe material të konceptit të punëtorit/es, duke shkatërruar raportet punëdhënës/e-punëtorë/e dhe duke krijuar të vetëpunësuar, pa shefa, pa vende stabile pune, pa orar dhe pa rrogë stabile.

Sipas Guy Standing, kjo e ka formuar një klasë të re punëtore, të quajtur prekariat. Në Prekariati: Klasa e re e rrezikshme (2014), ai e përkufizon prekariatin si grup socio-ekonomik të karakterizuar nga pasiguria në punë, privimi i të drejtave dhe përfitimeve shoqërore që rrjedhin nga marrëdhëniet e punës. Këto përfitime përfshijnë pensionet, të drejtën për pushim të paguar, sigurim potencial shëndetësor, të drejtën për leje të lehonisë, lejen prindërore e të tjera.

Përveç krijimit të tregjeve jostabile, riorganizimi i tregut të punës në neoliberalizëm nga paradigma zhvillimore e ka kthyer gjininë në “ekonomi të mençur”. Për rrjedhojë, gratë janë shndërruar në fytyrat potenciale të zhvillimit, kapacitetet ndërmarrëse të së cilave duhen kultivuar. Jo befasisht, që nga paslufta, (ri)trajnimi i grave kosovare është orientuar drejt pajisjes me “aftësitë e duhura” për t’u adaptuar në treg dhe natyrës së ndryshueshme të tregut, duke i pozicionuar në sektorë të feminizuar pune.

Sidoqoftë, ky drejtim diktues, përveç një nxitjeje fillestare që u jep disave, nuk ua ofron as sigurinë, as stabilitetin dhe as barazinë e premtuar. Ndonëse mund të argumentohet që vetëpunësimi e rrit kapacitetin negociues të grave brenda ekosistemeve të cilat ato i banojnë, ai i vendos gratë, sidomos ato të klasës punëtore, në pozitë të brishtë ekonomike. Një pjesë të madhe të tyre, vetëpunësimi i vendos në skaje të ekonomisë, duke operuar me pasiguri, të ardhura jostabile dhe privim nga mbrojtja sociale. Ato, duke qenë autonome dhe shefe të vetes, e bartin përgjegjësinë ekskluzive për qëndrueshmëri. Kjo përgjegjësi është në vazhdueshmëri aktive, meqë dështimi tashmë është përgjegjësi individuale në një kontekst i cili është i dizajnuar për ta kapërdirë të dobëtin/en.

Një argument i shpeshtë i cili e lajmëron vetëpunësimin si zgjidhje për fuqizimin dhe aktivizimin ekonomik të grave, është mundësia e fleksibilitetit. Megjithatë, ky argument është veçse farsë e radhës që buron nga një imagjinatë universaliste e subjektit ndërmarrës që është i klasëzuar dhe i gjinizuar. Gratë të cilat vetëpunësohen nuk janë as ndërmarrëse, as punëtore, siç projektohen në imagjinatën neoliberale.

Ato vështirë se arrijnë stabilitetin ekonomik dhe mobilitetin klasor që premtohet nga ndërmarrësia. Gjithashtu, ato shpesh nxiten ta shndërrojnë shtëpinë në hapësirë pune prodhuese, si zgjidhja ideale për ta balancuar punën prodhuese dhe atë riprodhuese. Pra, duke qenë që gratë ndërtohen diskursivisht si subjektet të cilat gjithmonë zgjedhin kujdesin ndaj familjes para punës me pagë, mundësia për të punuar në shtëpi ose pranë, ofron zgjidhjen për t’i mbajtur gratë edhe si punëtore prodhuese, edhe si punëtore të kujdesit.

Një lëvizje e tillë, përveçqë e riforcon ndarjen e gjinizuar të punës, e transformon konceptin e vendit të punës prodhuese, duke i turbulluar kufijtë mes sferave të punës dhe jetës në emër të fleksibilitetit. Për më tepër, kjo strategji, e cila prezantohet si e pashoqe, ua saboton grave kapacitetet organizative me gratë e tjera punëtore, duke i vetmuar dhe pa mundësi të sindikalizimi. Kësisoj, gratë e vetëpunësuara vështirë që mund të organizohen për të artikuluar kërkesa për kushte më të mira pune, duke qenë se shpesh punësohen vetëm, nuk ndajnë hapësira të përbashkëta pune me të tjerat/ët dhe janë lehtësisht të zëvendësueshme.

Tutje, vetëpunësimi, si premtimi kryesor çlirues në rendin neoliberal, mbetet më i parregullueshmi dhe më pak i kodifikueshmi edhe me Ligjin e Punës në Kosovë. Pra, të vetëpunësuarat/it, ligji vështirë se i sheh si punëtore/ë, duke ofruar kësisoj një bazë të dobët mbrojtjeje për ta/o. Për shembull, Ligji saktëson kohëzgjatjen e orarit të punës për punëtoret/ët që kanë punëdhënës/e, megjithatë, një gjë të tillë nuk e zgjaton te të vetëpunësuarit. Gjithashtu, të drejtat për leje të lehonisë nuk janë të saktësuara në ligj, duke e lënë në margjina të marrëdhënieve të punës këtë formë punësimi. 

Si përfundim, thirrja që gratë t’i kthehen çdoherë e më shumë vetëpunësimit, është një strategji punësimi që, ndonëse bën injektime ad hoc, i shërben pasigurizimit të mëtejshëm tregut të punës, rritjes së pabarazisë, feminizon më tej punën dhe e normëzon pasigurinë sociale dhe tërheqjen e shtetit nga shërbimet sociale dhe mbrojtja e forcës punëtore. Kjo fton në një rimendim të metodave për aktivizimin e grave në treg, që fokusohet më shumë në transformimin e strukturave ekzistuese, sesa në individualizimin e përgjegjësisë për mbijetesë dhe avancimin e barazisë.

*Autorja është angazhuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore për shkrimin e këtij artikulli në mbështetje të Ambasadës së Holandës në Kosovë. Përmbajtja e këtij artikulli është vetëm përgjegjësi e autores dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimin zyrtar të Mbretërisë së Holandës.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.